Site icon Telegrafi

Pse përsëritje?!

Nëse dikush thotë se Shala është bastion i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), nuk ka thënë asgjë të re… Dhe që të jesh bastion i një force të caktuar politike, as juridikisht e as logjikisht nuk është as e dënueshme e as e ndëshkueshme..Thjesht është një shprehje vullneti për një alternativë të cilët banorët e këtij vendi e vlerësojnë si me të dobishme, më me vlera e më adekuate për zgjidhjen e problemeve të tyre. Aty në çdo palë zgjedhje qofshin ato lokale apo qendrore PDK-ja, ka qenë e para dhe dukshëm para gjithë tjerave për të mos thënë se ‘të tjerët” s’janë parë asnjëherë as përafërsisht si konkurrent.

Përveç këtyre, në Shalë as mesatarja e daljes në zgjedhje nuk ka kaluar atë kufirin e logjikës, që kalon 90 për qindëshin, i cili ndoshta edhe do të shtynte të konstatosh se kutitë janë mbushur “me të ngjeshur”. Aty realisht pjesëmarrja ka kaluar vetëm pak mbi 50 për qind, gjë e cila nuk lenë vend për të dyshuar për mbivotim apo falsifikim votash.

Edhe një “argument” tjetër në të cilën po thirren më të madhe “vëzhguesit”, nuk mund të thuhet se ka ngjarë në Shalë. Aty s’ka pas as “ikje e as fikje dritash” e si rrjedhojë as mbushje kutish qorrazi.

Nisur nga këto fakte është e palogjikshme që kjo qendër votimi të futet në “listën e zezë” dhe të përsëriten zgjedhjet, pasi qe në Shalë përveç njollosjes së votuesve edhe shpenzimet financiare për përsëritje votimesh do të jenë të tepërta.

Krejt çfarë mund të thuhet në këtë mes është se dikush në mënyrë cinike e tendencioze është i interesuar të qesë hije të keqe Shalës e cila dha jo pak për shtetësinë e Kosovës. Por për të tillët pa hyrë në detaje mund të thuhet se nuk kanë asnjë kuptim proceset serioze që po kalon vendi, reflektimi negativ në to, virtyti a ideali. Për ata që gjatë gjithë kohës përpiqen e mendojnë vetëm se si të qesin hije të keqe e zbehin procese kaq të rëndësishme ka rëndësi vetëm vesi i tyre prej shkatërruesi.

Për ata ka rëndësi të dish të shkatërrosh atë që dikush më shumë mund e ka ndërtuar. Duhet të dish të vjedhësh, duhet të dish të shesësh çdo gjë, madje edhe obligimin me sublim qytetarë , të drejtën e votës. Por soji i tyre duhet të marrin përgjigjen e merituar nga organet legjitime dhe jo të lejohet që vesi i tyre të njollosë një vend të tërë. Fundja në çdo normë ligjore a zakonore përgjegjësia është personale dhe assesi nuk bënë që për pandershmërinë dhe shkeljet e individëve të caktuar të bëhen ndëshkime kolektive.

Nga gjithë këto që thamë, bëj thirrje publike që në rivotime në Shalë po deshën të dhjetëfishohen vëzhguesit, të super-bllombohen kutitë e të super-mbikëqyrën fletët dhe rezultati do të jetë serish i njëjti.. Kjo sepse aty mund të behën të gjitha këto “masa sigurie” por bindja e votuesve nuk mund të ndërrohet në asnjë mënyrë dhe me asnjë kusht.

Exit mobile version