Pelegrinët në Haxh, edhe këtë vit, morën pjesë në ritualin e ‘gjuajtjes me gurë të djallit’ – herët të mërkurën në ditën e parë të Kurban Bajramit.
Si pjesë e ritualit, pelegrinët hedhin guralecë në tri shtylla të mëdha që shënojnë vendet ku djalli u përpoq të ndërpresë sakrificën e Ibrahimit.
Zona e Jamarat është një vend ku ka pasur edhe probleme për shkak të turmave të shumta.
The pilgrims reach Mina, praise be to Allah.#Proclaim_to_the_People #In_Peace_and_Security#Makkah_and_Madinah_Eagerly_Await_You pic.twitter.com/xdA5ZaVsXP
— Ministry of Hajj and Umrah (@MoHU_En) June 28, 2023
Megjithatë, vitet e fundit, Arabia Saudite ka përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën dhe masat e sigurisë për të parandaluar rrëmujën dhe mbipopullimin, përcjell Telegrafi.
Qeveria saudite ka zbatuar masa të ndryshme, si zgjerimi i madhësisë së zonës së Jamarat dhe ofrimi i më shumë mbështetjeve dhe udhëzimeve, për të siguruar rrjedhën e qetë të pelegrinazhit – edhe gjatë ritualit të gurëve.
Por çfarë është rituali kur pelegrinët “e vrasin me gurë djallin”?
Rituali i gjuajtjes me gurë të djallit përkujton një ngjarje nga jeta e profetit Ibrahim.
Thousands of pilgrims arrive at the Jamaraat #Hajj1444 pic.twitter.com/9qPH1jYWnU
— 𝗛𝗮𝗿𝗮𝗺𝗮𝗶𝗻 (@HaramainInfo) June 28, 2023
Sipas traditës islame, ndërsa Ibrahimi përgatitej të sakrifikonte djalin e tij për Zotin, djalli iu shfaq tri herë, duke u përpjekur ta largonte atë nga bindja e urdhrit të Zotit.
Si përgjigje, Ibrahimi e gjuajti me gurë djallin në çdo rast, duke refuzuar tundimet e tij.
Haxhinjtë kryejnë ritualin e gjuajtjes me gurë në ditët 10, 11 dhe 12 të muajit hënor islam të Dhul-Hixhes, të cilat njihen si ditët e Tashrikut.
Gjatë këtyre tri ditëve, pelegrinët mblidhen në Mina dhe vazhdojnë të hedhin guralecë mbi shtyllat.
Ndryshe, sipas mediave të huaja, pelegrinazhi vjetor i Haxhit pa 1,845,045 haxhinj që morën pjesë në ritualin islamik këtë vit, duke përfshirë 1,660,915 të ardhur nga jashtë Mbretërisë dhe 184,130 qytetarë dhe banorë të Arabisë Saudite.
Pelegrinazhi në Mekë – tubimi më i madh fetar në botë – dikur shihte rreth 2.6 milionë njerëz që kryenin ritualin çdo vit përpara pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.
Haxhi është i detyrueshëm për të gjithë muslimanët që janë të aftë ta përballojnë atë, si fizikisht, po ashtu edhe financiarisht. /Telegrafi/