Mungesa e zhvillimit ekonomik, gjendja e vështirë sociale dhe humbja e shpresës për të gjetur një vend pune për të rinjtë pas kryerjes së shkollës së mesme, bën që shumë nga ta, t’ia mësyjnë dyerve të universiteteve. Krejt kjo për një të ardhme më të mirë për ta dhe familjet e tyre. Por nga i gjithë ky numër i të rinjve, të cilët u “turrën” universiteteve, çka mund të presim? Nëse pas dhjetë viteve ne vazhdojmë vetëm të shkollohemi e shumë pak të punësohemi edhe me fakultete të kryera, nuk di se kush do të punojë punë të tjera, në të cilat nuk kërkohet përgatitje e lartë shkollore. Ky fenomen mund të jetë shqetësues për shoqërinë kosovare dhe për shtetin e ri, pasi tregut po i ofrohen kuadro jo të formuara mirë, pa marrë parasysh se në cilin universitet po kryhen studimet. Kjo do të jetë e vështirë pa hartimin e politikave të qëndrueshme strategjike dhe zhvillimore. Po ashtu, pa stimulimin dhe krijimin e kushteve më të mira dhe tërheqëse për sektorin privat, i cili është gjeneratori dhe motori kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit. Problem do të jetë të arrihen këto kushte kur dihen procedurat për fillimin dhe regjistrimin e një biznesi, tërheqjen dhe promovimin e investimeve të huaja, moskthimin e miliardave eurove të Kosovës, të cilat mbahen dhe shfrytëzohen nga të gjithë, përveç kosovarëve. Po ashtu, përderisa Qeveria e Kosovës dhe sektori publik të jenë punëdhënësit më të mëdhenj, vendi nuk do të ketë përparim. A thua vallë nëse ne vazhdojmë të shkollohemi dhe të formohemi në mënyrë jo cilësore dhe në treg të ofrojmë kuadro kuantitativë, por jo kualitativë, kush do të punojë zdrukthëtar, automekanik e këpucëtar?
UP-ja rehaton të rinjtë
Universiteti i Prishtinës (UP) është institucion arsimor i lartë, i cili “rehaton” shumicën e të rinjve, të cilët kryejnë shkollimin e mesëm me indekse. Të rinjtë tanë ende nuk zgjedhin se çfarë duan të studiojnë me dëshirën e tyre personale, por siç u rekomandojnë familjarët. Ata kryesisht duan të bëhen politikanë, juristë e pjesa më e madhe prej tyre, ekonomistë dhe të punojnë në këto bankat, të cilat po i rrjepin qytetarët me kamatat e tyre.
Tollovia, e cila bëhet nëpër UP-në, e më theks të veçantë në Fakultetin Ekonomik dhe Juridik është e madhe. Aty ka gjithçka, përveç një mësimi cilësor dhe me standarde evropiane. Përderisa, studentët ngarendin se cili do të ulet sa më afër profesorit, sepse nuk mund ta dëgjojnë për shkak se sallat dhe amfiteatrot nuk kanë zërim dhe kushte të mira për mësim, nuk do të kemi cilësi dhe ne do të qesim në tregun e punës njerëz të kualifikuar, por jo të ditur. Por, pavarësisht të mirave dhe të këqijave, Universiteti i Prishtinës mbetet universiteti më i preferuar për të gjithë të rinjtë që kanë kushte sadopak për të vazhduar më lart studimet e tyre. Në UP, aktualisht, i ndjekin studimet rreth 35 mijë studentë, prej tyre rreth 18 mijë kanë nisur studimet për herë të parë, e ndoshta ky numër mund të rritet gjatë këtij viti akademik edhe më shumë. Aktualisht, problem do të jetë hapësira, sepse çdo vit e më shumë UP-ja po mbingarkohet me një numër të madh studentësh.
Universitetit Publik vitin e kaluar i është shtuar edhe Universiteti i Prizrenit (UPZ), i cili edhe pse u proklamua se to të fillonte shumë fuqishëm, nuk doli siç u proklamua. Madje ai rrezikon edhe të mbyllet në tërësi për shkak të problemeve me të cilat është duke u përballur. UPZ-ja ishte akredituar vetëm për një vit nga Agjencia e Akreditimi të Kosovës. Nëse ky universitet mbyllet është rrezik të dështojnë premtimet e Qeverisë për themelimin edhe të universiteteve të tjera publike në Pejë, Gjakovë Gjilan e Ferizaj, por pavarësisht premtimeve UPZ-ja u ka dhënë një mësim të mirë qeveritarëve se nuk është zor themelimi i universiteteve, por është problem dhe sfidë funksionalizimi dhe qëndrueshmëria e tyre. Në UPZ problem vazhdon të jetë edhe me tej përplasja mes rektorit ndërkombëtar dhe profesorëve për të cilët ai është i papranueshëm, madje ata kanë kërkuar nga ministri i arsimit që kontrata e punës t’i ndërpritet sepse ai është, sipas tyre, pengesë kryesore për zhvillimin e Universitetit të Prizrenit.
As privatet nuk janë për mashalla
Por pavarësisht se kushtet për studime nuk janë të mira në Universitetin e Prishtinës, kushtet në kolegjet private dallojnë shumë. Ato kanë kushte shumë më të mira mësimi, por këtu cilësia është më e dobët për ata studentë të cilët janë dembelë gjatë studimeve. Edhe pse ka konkurrencë mjaft të madhe në mes universiteteve, studentët, prapëseprapë, nuk mund të jenë konkurrent të denjë dhe jo aq seriozë sa ata të UP-së. Edhe pse në shumicën e rasteve profesorët janë të njëjtë përveçse kriteret e tyre në universitetet private janë më të deformuara e më të zbutura.
(Autori është kandidat për studime master në Degën e Gazetarisë në UP)