Site icon Telegrafi

Pse Musk, Gates dhe Bezos po investojnë në kompanitë që duan ‘të lidhin kompjuterin drejtpërdrejt me trurin e njeriut’?

Ideja e lidhjes së kompjuterëve direkt me trurin tonë po kalon nga fantazia në realitet, dhe disa nga njerëzit më të pasur dhe më të fuqishëm në botë po derdhin para në këtë horizont.

Këtë ata po e bëjnë duke ndjekur një vizion që teknologjia një ditë mund të “përmbysë” kujdesin shëndetësor – dhe jetën e përditshme siç e dimë ne, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Nëpërmjet fondeve të tyre të kapitalit sipërmarrës, Jeff Bezos dhe Bill Gates të dy së fundmi mbështetën kompaninë Synchron në Brooklyn, Nju Jork, i cili ka testuar një gjë të tillë në shtatë njerëz.

Elon Musk është bërë fytyra publike e industrisë me pretendimet e tij mbresëlënëse në lidhje me potencialin e startup-it të tij Neuralink, edhe pse ekspertët theksojnë se teknikat nervore të kompanisë së tij janë të zakonshme, në rastin më të mirë.

Ndërsa Peter Thiel, një miliarder bashkëthemelues i PayPal, investoi vitin e kaluar në Blackrock Neurotech të Utah, një startup më i vjetër që ka thënë se shpreson të aplikojë për miratimin e Administratës së Ushqimit dhe Barnave së shpejti.

Ndërkohë Synchron ka zhvilluar atë që është ndoshta një nga BCI-të minimalisht invazive: është një “stent” i vogël i pajisur me elektroda për leximin e mendjes që transportohet përmes një ene gjaku kyç për t’u vendosur pranë dhe për të komunikuar me zonën e trurit që ne përdorim për të prodhuar lëvizje të vullnetshme.

Dhe zyrtari kryesor komercial i Synchron tha për Business Insider se pajisja e tij mund të lansohej komercialisht brenda disa vitesh, nëse kërkimet klinike do të shkonin mirë.

Christopher Moore, një neuroshkencëtar dhe drejtor i asociuar i Institutit Carney të Universitetit Brown për Shkencën e Trurit ka thënë: “Është thjesht një kënaqësi të jesh pjesë e kësaj fushe tani”.

Por ndërsa hulumtimi i sotëm është fokusuar kryesisht në përdorimin e këtyre “implanteve të trurit” në kokat e pacientëve me kushte serioze mjekësore si paraliza totale, ose “imagjinimi i mënyrave” për të trajtuar sëmundje si Parkinson, mundësitë për lidhjen e trurit me kompjuterët shtrihen shumë përtej kujdesit shëndetësor.

Andaj, ky potencial afatgjatë ka tërhequr vëmendjen e miliarderëve të teknologjisë si Musk, Gates dhe Bezos.

“Elon, Gates dhe Bezos janë gjithmonë të intriguar nga gjërat që mund të ndryshojnë lojën”, ka thënë në një intervistë Robert Nelsen, një investitor i bioteknologjisë në Arch Venture Partners, i cili ka investuar në Neuralink dhe Synchron.

Por çfarë është BCI?

Duke njohur sinjalet e parashikueshme të trurit, BCI-të (një rrugë e drejtpërdrejtë komunikimi midis aktivitetit elektrik të trurit dhe një pajisjeje të jashtme, më së shpeshti një kompjuter ose gjymtyrë robotike) në thelb lexojnë mendimet tuaja për të arritur veprime konkrete, si klikimi i miut të kompjuterit.

Kjo është mënyra se si Philip O’Keefe, një australian të cilit iu implantua pajisja e Synchron në vitin 2020, përdor BCI-në e tij për të luajtur lojëra në internet, për të shkëmbyer mesazhe në WhatsApp dhe për të ndezur dhe fikur dritat në shtëpi.

O’Keefe ka ALS, një gjendje që e bën të vështirë për të përdorimin e gishtërinjve dhe duarve, por ai tani nuk e ka problem të përdorë mendjen “për të bërë kërkime në internet”.

“Çfarëdo që ju mund të bëni në një kompjuter, unë mund ta bëj, gjithashtu”, theksoi O’Keefe së fundmi për Business Insider duke përdorur BCI-në e tij, përcjell Telegrafi.

“Në këtë fazë, unë jam pak më i ngadalshëm sesa ju, por ekziston aftësia për të bërë pothuajse gjithçka – nëse dua”.

Megjithatë, mundësitë e BCI nuk janë të kufizuara në klikimet e kompjuterit ose lëvizjet mekanike.

BCI-të po zhvillohen gjithashtu për të diagnostikuar çështjet e trurit dhe për të trajtuar gjendjet e ndryshme duke përfshirë depresionin përmes stimulimit të thellë të trurit.

Ato gjithashtu mund të ndihmojnë në zhbllokimin e sekreteve se si funksionon truri ynë, duke u dhënë shkencëtarëve një shans të shikojnë brenda kokës sonë dhe të shikojnë qarkun tonë nervor në kohë reale.

“Njerëzit po lexojnë modelet e aktivitetit të zonës së trurit dhe po zbulojnë epilepsinë – përpara se ato të mund të godasin”, citohet të ketë thënë Moore. “Po vjen një aplikim i qartë, njerëzor, klinik”.

Kështu, vlerësohet në shkrim, industria BCI ka tërhequr investime nga manjatët e teknologjisë, duke përfshirë Musk, Gates, Bezos, Thiel dhe Vinod Khosla.

Ndërsa shumica e këtyre miliarderëve investojnë në ide të tjera bioteknike, manjatët e teknologjisë kanë një prani të madhe në BCI, e cila mbetet një pjesë e veçantë e bioteknologjisë.

“Njerëzit mendojnë për trurin si ‘kompjuterin më të avancuar’”, tha në një intervistë Kurt Haggstrom, shefi komercial i Synchron. “Cili person i teknologjisë nuk do të dëshirojë të mësojë dhe të jetë në gjendje ta përdorë atë dhe të kuptojë se si funksionon?”.

Pavarësisht ngazëllimit, Moore tha se BCI-të nuk mund të mblidhnin të dhëna që kapnin spektrin e plotë të asaj që bën truri ynë.

BCI-të përqendrohen pothuajse ekskluzivisht në sinjalet elektrike që lëshojnë në tru. Por ka shumë komponentë se si funksionon truri ynë që nuk maten përmes BCI-ve dhe mbeten kritike për funksionin e trurit dhe se si mendimet tona krijojnë sjellje.

BCI është “padyshim një pjesë e madhe e enigmës”, ka thënë më tej Moore. “Por mendoni për të gjithë dinamikën e mundshme që mund të regjistrojmë në këto sisteme të tjera në tru”. /Telegrafi/

Exit mobile version