Site icon Telegrafi

Pse Memphis nuk dëshiron që ta quajmë Depay?

Nënshkrimi i ri nga Barcelona, quhet Memphis Depay, por sulmuesi dëshiron të jetë i njohur vetëm me emrin e tij dhe refuzon ta quajnë me mbiemër, siç bëjnë zakonisht. Arsyeja: ai nuk dëshiron të jetë i lidhur me babanë e tij, Dennis Depay.

Sulmuesi holandez 27-vjeçar është djali i një babai ganez dhe i një nëne holandeze. Ylli i Holandës u braktis nga babai i tij kur ai ishte vetëm katër vjeç, gjë që shkaktoi pakënaqësi dhe armiqësi të madhe te ai: Memphisi nuk dëshiron të mbajë mbiemrin e dikujt që e ka lënë. “Nuk do ta fal kurrë”, kishte komentuar ai disa herë, sa herë që është folur për babin e tij.

“Mos më thirrni Depay, më thirrni Memphis “, kishte thënë lojtari para gazetarëve.

Futbollisti nuk i pëlqen të flasë shumë për të kaluarën e tij, por nuk ka hezituar të flas për inatin ndaj babait të tij, sepse e ka braktisur atë dhe nënën e tij, Cora Schensema.

“Jo, nuk dua të shpjegoj se çfarë ndodhi saktësisht në shtëpi, sepse nuk dua t’i bëj njerëzit të ndihen keq. Do të vazhdojë kështu, sepse unë tashmë kam kthyer faqen”, u përgjigj ai disa vite më parë në një intervistë për BBC .

Vendimi i tij është i prerë. Ai këtë vendim e mori shumë më parë dhe nuk harron vuajtjet që babai i tij i shkaktoi atij dhe nënës së tij.

Dennis Depay i la ata për të krijuar një familje me dikë tjetër.

Memphis tani do të veshë fanellën e Barcelonës. “Ai është përpjekur të më kontaktojë disa herë, por situata është e pandreqshme. Unë nuk kam asnjë lidhje me të, ose me familjen e tij, dhe kështu do të vazhdojë të jetë”, kishte deklaruar lojtari.

Ai adhuron nënën e tij, idhull e kishte gjyshin

E gjithë neveria që ndjen ndaj babait të tij është në kontrast me dashurinë, admirimin, respektin dhe afeksionin e jashtëzakonshëm që ndjen ndaj nënës së tij, për të cilën është shumë krenar dhe të cilën e konsideron shembull të një nëne të vetme.

Ai gjithashtu e ka dashur shumë edhe gjyshin e tij të ndjerë nga nëna, pasi ai ia mbushi figurën e babait. Të dy kanë qenë vendimtar në karrierën e tij, siç shpjegon edhe vetë lojtari në biografinë e tij.

Ishte babai i nënës së tij, emri i të cilit është një nga tatuazhet e shumta që ai mban, që i ngjalli dashurin për futbollin.

“Ai më dha shumë forcë dhe u kujdes për mua. Unë gjithmonë do ta mbaj atë në zemrën time”, tregon ai.

Ai vdiq kur Memphis ishte 15 vjeç, por rëndësia që kishte për lojtarin është e madhe. /Telegrafi/

Exit mobile version