Site icon Telegrafi

Pse lehtësimi i borxheve nuk do të zgjidhë problemet e Greqisë

Greqia s’do të mund të dalë nga moçali ku ajo ndodhet, pa qenë e ndërgjegjshme se si ka përfunduar këtu. Vendi është një shembull tipik i një sistemi ekonomik të llastuar dhe plot të meta. Sektori publik është i famshëm për prirjen e tij klienteliste, i përdorur rëndom për të marrë vota gjatë zgjedhjeve, edhe pse ka ndonjë që lë të kuptohet, se pikërisht e njëjta gjë ndodh në Francë dhe Itali.

Ka prova që dëshmojnë mbizotërimin e kësaj gjendje: në krahasim me produktivitetin real pensionet janë dyfishuar, për shembull në krahasim me Spanjën. Kur flitet për biznes, qeveria favorizon elitën, duke i garantuar asaj një shtet “pa taksa”.

Disa punonjës të administratës shtetërore marrin madje bonus, edhe nëse arrijnë në orarin e caktuar në punë. Ndërkaq nuk është aq i njohur fakti, që sektori privat është plot me kompani që nuk konkurrojnë me njëra-tjetrën, por bllokojnë ose pengojnë realitete që mund të sjellin ide të reja.

Mungesa e konkurrencës sjelle fitime marramëndëse: të dhënat e fundit të OECD, tregojnë se fitimet nga aktiviteti i bizneseve në Greqi mbërrin deri në 46 për qind, shumë më tepër sesa norma mesatare e vendeve të tjera. Italia renditet e dyta me 42 për qind, e ndjekur nga Franca me 41 për qind (Mbretëria e Bashkuar ka një normë fitimi prej 32 për qind, SHBA 35 për qind dhe Gjermania me 39 për qind).

Greqia duket të jetë ekonomia më koorporatiste e Evropës. Rezultati, është një ekonomi thuajse tërësisht pa dinamizmin e nevojshëm për risitë lokale. Për këtë arsye, në Greqi ka një papunësi të lartë, dhe pak potencial për një rritje të mbështetur tek produktiviteti.

Me një nivel të tillë të ulët konkurrence, pronarët e bizneseve nuk shqetësohen për të punësuar të papunët. Prandaj, nuk është çudi, që rimëkëmbja në aspektin e papunësisë, ka qenë relativisht e ngadaltë në krahasim me Irlandën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjën, në periudhën nga fundi i vitit 2013 deri në fillim të këtij viti.

Çfarë duhet bërë? Disa ekonomistë, besojnë se falë etikës në punë dhe kursimit, populli grek mund t’ia dalë. Por këto virtyte, nuk mund të kompensojnë mungesën e inovacionit, që shqetëson ekonominë. Ekonomistë të tjerë janë të bindur, se vetëm disa koncepte të ekonomisë Kejnesiane, (zhvlerësimi dhe inpute të tjera tek kërkesa), nuk mund të garantojnë një zhvillim më të madh.

Por, besimi Kejnesian se “kërkesa” është baza e papunësisë dhe rritjes së ngadaltë, është i rremë (Stanjacioni i gjatë strukturor i Greqisë, i ndërprerë përkohësisht nga fondet strukturore të Brukselit, përbën një kundërprovë).

Gjithaq mashtrues është dhe besimi se edhe atje ku ekonomia është e bllokuar nga koorporatizmi, idetë Kejnesiane mund të japin energji të reja. Historia na mëson (duke përfshirë edhe Greqinë), se përdorimi i stimulimit ekonomik, është shfaqur pothuajse gjithmonë i paefektshëm në një periudhë afatgjatë. Përkundrazi, mund t’i shtohet vështirësive ekzistuese.

Pra, nuk ka asnjë ristrukturim të borxhit (apo madje edhe anulim të tij,) që mund ta ndihmojë Greqinë për të arritur një zhvillim të vërtetë. Popullit grek nuk i duhet një shërim i shpejtë, por për një kurë afatgjatë.

Kreditorët e eurozonës, mund të bëjnë më shumë për Greqinë, duke e nxitur të çlirohet nga koorporativizmi, si publik ashtu edhe privat. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse vendet kreditore, që gjithashtu janë në një farë mase korporatiste, janë të gatshme për të çrrënjosur në Greqi, të njëjtat praktika që pranojnë gjerësisht në kufijtë e tyre territorialë. /Huffingtonpost.it/Bota.al/
 

Exit mobile version