Site icon Telegrafi

Pse lansimi i Apple Store në Kosovë nuk është diçka e vogël

Në vitin 2019, Apple ka paguar një total prej 38.75 miliardë dollarë për zhvilluesit në platformën iOS.

Në vitin 2018 kjo shifër ishte 34 miliardë dollarë. Është interesant se pavarësisht vështirësive, një pjesë e këtyre mjeteve janë arkëtuar edhe nga zhvilluesit në Kosovë.

Por cilat janë këto vështirësi që kanë përjetuar ata deri më sot, dhe çfarë mundësi të reja ka për ta pas lansimit të Apple Store në Kosovë?

Si monetizohen aplikacionet?

Së pari duhet sqaruar që aplikacionet falas, nëse nuk kanë reklama, ato janë falas dhe zhvilluesit kanë vendosur që me vetëdije t’i ofrojnë ato pa pagesë për përdoruesit potencial.

Nëse aplikacioni përmban reklama, atëherë kjo është njëra formë sesi mund të gjenerosh të ardhura nga aplikacioni.

Forma tjetër më stabile është përmes abonimeve (subscriptions) dhe përmes in-app purchases (blerje brenda aplikacionit me kredit-kartelë).

Kjo formë, ju sjellë të ardhura direkte zhvilluesve, ku 30% ndalen nga Apple dhe 70% kalojnë në llogari të zhvilluesit.

Si është bërë kjo nga Kosova?

Por për të implementuar njërën prej këtyre dy veçorive, është dashur të jesh diku tjetër, vetëm në Kosovë jo.

Ajo që kemi bërë ne në Frakton, është regjistrimi i kompanisë në SHBA, në mënyrë që të procesohen të ardhurat prej aplikacioneve me pagesë në llogari bankare në SHBA, pastaj të deklarohen dhe të bëhen obligimet përkatëse për to, pastaj transferimi i tyre në Kosovë, dhe pagesa e obligimeve tjera përkatëse për to lokalisht. Domethënë një proces shumë i kushtueshëm dhe jo shumë motivues.

Në anën tjetër kemi pasur kompani që kanë hapur degë në Shqipëri apo Maqedoni, bashkë me llogari bankare në mënyrë që të kompletojnë procesin e grumbullimit të shitjeve nga klientët anembanë botës.

Për këto të ardhura, është dashur të paguhen obligimet përkatëse, përfshirë edhe kontabilistin dhe sigurimet shoqërore e qiranë për një zyre të vogël.

Më pas me transferimin e këtyre mjeteve në Kosovë është dashur të kujdesën për pagesat e obligimeve tjera përkatëse tatimore.

Çka nënkupton lansimi i shërbimeve të Apple në Kosovë?

Të gjitha këto telashe që i përmenda pothuajse do të eliminohen. Në mes tjerash nuk po e përmend faktin që të gjithë qytetarët e Kosovës tani mund të bëjnë pagesa përmes kartelave të tyre kreditore të lëshuara nga bankat e Kosovës për produkte të ndryshme, por më e rëndësishmja është që zhvilluesit, ndërmarrësit, startups do të kenë mundësi të arkëtojnë drejtpërsëdrejti nga konsumatori i tyre në Kosovë.

Me lansimin e Apple Store, Apple Arcade, Apple Music, Apple Podcasts dhe iCloud, u lansuan edhe disa mundësi për komunitetin e IT-së në Kosovë. Ndër të tjera:

Më shumë zhvillues e më shumë punësim — Duke qenë vetë ndërmarrës dhe punëdhënës, shpeshherë e kemi të vështirë të gjejmë kuadro në treg, përkatësisht zhvillues softuerik në iOS. Gjithsesi me lansimin e Apple Store në Kosovë, padyshim që do të shohim rritjen e këtyre profileve dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Konsumatorët do të mund të blejnë aplikacione mobile me 1€ apo më shumë, ngjashëm sikurse që paguajnë për një Makiato. Por dallimi është se me këtë 1€ ata mbështesin zhvillimin e një apo disa personave.

Më shumë aplikacione mobile / më shumë kreativitet — Në App Store sot kemi aplikacione nga të krijuara në Kosovë, por të shpërndara gjithandej botës, gjë që nuk është diçka e keqe. Por nuk kemi të dhëna nga Kosova. Lansimi i tregut të dedikuar nga Apple, do të na shtyjë të gjithëve të ofrojmë edhe më shumë. Kjo nënkupton që do të shohim edhe individë e kompani tjera të dalin në skenë me aplikacione nga më të ndryshmet, duke kontribuar në digjitalizimin e vendit dhe në rritjen e shërbimeve teknologjike në vend.

Ulje të shpenzimeve — Për shkak se tani kompanitë nuk kanë nevojë të bëjnë më “fiskulturat” që kanë bërë më parë, kjo nënkupton se shpenzimet e tyre jashtë vendit do të ulen, dhe këto mjete të kursyera do të vijnë në Kosovë për zhvillim të mëtutjeshëm. Gjithashtu kjo nënkupton që do të paguhen edhe më shumë taksa për ekonominë e vendit.

Promovimi i Kosovës — Duke pasur të pavarur App Store, Kosova ka mundësinë që tani të shoh talentin e vërtet në lidhje me aplikacionet që po shkarkohen apo përdoren më së shumti në vend. Kjo gjithashtu do të ndikoj edhe tek vizitoret të cilët më pare është dashur të zgjedhin mes Shqipërisë, Maqedonisë, Sllovenisë apo SHBA-së.

Të dhëna dhe Statistika — Deri tani të dhënat kane qenë të shpërndara në lidhje me atë se cili app është më i shkarkuari apo më i pëlqyeri. Tani do t’i shohim këto të dhëna në një vend, dhe do te kemi më shumë informacione për të pare trendet që janë prezente në Kosovë. Kjo do të ndikojë edhe tek Apple për të pare trendin e përdoruesve aktiv me iPhone.

Lokalizimi — Me lansimin e Apple Store për Kosovë, hapet edhe mundësia për lokalizimin e aplikacioneve. Çka nënkupton kjo? Kjo do të mundësojëqë të shohim më shumë aplikacione në gjuhën shqipe, dhe më shumë risi në këtë aspekt. Apple Store është prezente në mbi 175 shtete dhe ofrohet në 40 gjuhë deri më sot.

Për detajet tjera në lidhje me atë se a paguan tatime në Kosovë Apple apo sa i paguan në SHBA, (diku 35 miliard përgjatë tre viteve të fundit vetëm tatim në të ardhura e të mos flasim për tjerat), flasim në një shkrim tjetër. Deri atëherë presim risitë nga komuniteti teknologjik i Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version