Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ditë më parë sulmoi nga Kuvendi kryeministrin Albin Kurti duke ngritur pretendime se ky i fundit është rekrutuar nga shërbimet serbe gjatë kohës që ishte në burg.
Ky etiketim i Haradinaj në adresë të kryeministrit ishte njëra prej temave, që u diskutua në emisionin “Shock” në Euronews Albania.
“Nuk e di se kush nuk është shpallur spiun në Kosovë teksa është marrë me politikë. Ajo që po bën Haradinaj është sulm ndaj Kurtit për të gjithë atë që ka bërë deri kur është bërë kryeministër. Natyra e tij dhe logjika e tij është marksiste”, tha Bushati.
Analisti Baton Haxhiu tha se përmes kësaj qasjeje z. Haradinaj synon ta pozicionojë kryeministrin e vendit në një situata të pafavorshme, sa i takon vijimit të negociatave për dialogun Kosovë-Serbi.
“Haradinaj dëshiron ta vendos në një pozicion të pafavorshëm para negociatave, për arsye se ia vendos frikën brenda në trup Albin Kurtit se është i paaftë për të nënshkruar diçka në emër të Kosovës, pafuqia e tij dhe vendosja e frikës brenda tij ta armiqësojë me bashkësinë ndërkombëtare, kryesisht me Amerikën. Ku presioni është për ta bërë të pasigurt punën e Albin Kurti tani e tutje”, tha ai.
Ndërkohë analisti, Andi Bushati thotë se kryeministri Kurti sulmohet nga ana e opozitës pasi kjo e fundit e ka provuar se është e pa zonja të përballet në garat elektorale me liderin e VV-së.
“Ka një dëshpërim te kundërshtarët e Albinit që nga pafuqia për t’u përballur politikisht kapen degë mbas dege të gjejnë fabula të paqena. Në një pikë mblidhen të gjitha bashkë. Hajn nuk i ka thënë njeri edhe këtë mund t’ja thonë më vonë. Nuk po dinë se çfarë t’i thonë”, tha Bushati.
Ai shprehet se këto janë fabula të fabrikuara të cilat synojnë dëmtimin e figurës së Kurtit.
“Njeriu që i ka mundur të gjithë bashkë me votë dhe ka shumë pak kohë në qeverisje, i shpikin fabula të paqena veç prej inatit se duhet luftuar me çdo mjet”, tha Bushati.