Site icon Telegrafi

Pse Kosova nuk ka virologë?

Virologjia është nën-fushë e mikrobiologjisë, e cila merret me studimin dhe proceset e virusëve. Në mungesë të virologëve, me studimin e virusëve në Kosovë janë marrë kryesisht mikrobiologët, kurse luftimin e infeksioneve të shkaktuara nga virusët e kanë bërë infektologët.

Një mikrobiolog i specializuar, mund të bëhet virolog pasi të ketë përfunduar edhe atë që quhet subspecializim.

Në Kosovë janë gjithsej 45 mikrobiologë. Prej tyre 14 punojnë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, derisa të tjerët nëpër institute brenda spitaleve rajonale në vend.

Gjatë kohës së pandemisë së coronavirusit, i cili shkakton sëmundjen COVID-19, është ndjerë mungesa e virologëve, thotë Lul Raka, mikrobiolog.

Ai numëron faktorët që kanë ndikuar që Kosova të mos ketë virologë.

‘’Ka 20 vjet që nuk ka pasur një planifikim adekuat kadrovik dhe as mbështetje financiare nga autoritetet shtetërore, për avancimin e kapaciteteve deficitare që i mungojnë Kosovës. Shpërthimi i kësaj epidemie na tregoi se çfarë roli kanë specializimet e fushës së shëndetit publik”, tha Raka, duke shpjeguar se nuk është Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ai që mund të diktojë kornizën e avancimeve në specializime specifike.

Në këtë kuadër, ai tha se mundësitë për këto subspecializime në Kosovë, janë të kufizuara, duke përmendur në radhë të parë mungesat e kapaciteteve njerëzore dhe laboratorike.

‘’Për të subspecializuar virologjinë, normalisht që duhet të keni teknologjinë e fundit të aparaturës, pajisjeve dhe duhet t’ju mësojë dikush që është virolog. Një pjesë e subspecializimit do të mund të kryhej edhe në Kosovë, por kjo nuk mjafton”.

‘’Komponenta tjetër është personale dhe vjen nga vetë mjekët. Koha shtesë, nga 4 deri në 5 vjet për subspecializim kanë bërë që sot të mos kemi asnjë subspecialist të virologjisë’’, tha ai.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, tha se subspecializime në fushën e virologjisë nuk ka pasur, për shkak se interesimi primar i mjekëve në shumicën e rasteve ka qenë specializimi.

‘’Që të ketë një subspecializim në një fushë specifike sic është virologjia, duhet të ketë edhe kapacitete në infrastrukturën mjekësore, por dhe kuadër të subspecializuar të asaj fushe, i cili do të merrej me mentorimin e subspecializantëve”.

“Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk ka pasur kërkesa për subspecializime të tilla, ndoshta edhe nga fakti se ka munguar iniciativa individuale e specialistëve për një fushë të tillë subspecializimi”, thotë Hoti për Radion Evropa e Lirë.

Për ekspertët, pandemia me të cilën po përballet e gjithë bota aktualisht, duhet marrë edhe si zile alarmi, për investime më serioze në shëndetin publik.

Raka në këtë rrafsh thotë se “shteti i Kosovës dhe të gjitha institucionet profesionale duhet të reflektojnë menjëherë duke stimuluar mjekët e rinj që të marrin aftësim specialistik në këto fusha, përfshirë edhe segmentin e subspecializimit në virologji’’.

Ndryshe në Kosovë, përpos 45 mikrobiologë, janë edhe 40 infektologë si dhe 20 epidemiologë. /rel/Telegrafi/

Exit mobile version