Rrëfenjë anonime e kohës tonë
Përktheu: Bajram Karabolli
Dy rrobaqepës, për vite të tëra punojnë pranë njëri-tjetrit. Presin e qepin rroba, pa u lodhur, ndërkohë që, herë pas here, edhe bisedojnë me njëri-tjetrin, për gjëra të ndryshme.
Një ditë, rrobaqepësi i parë i thotë tjetrit:
– A do të shkosh për pushime, këtë vit?
– Jo, – i përgjigjet tjetri, pasi mendohet një çast.
Pastaj, heshtin dhe i kthehen punës. Pak më vonë, rrobaqepësi i dytë, papritur, thotë:
– Para njëzet vjetësh, kam qenë me pushime.
– Ke njëzet vjet që ke qenë me pushime? – e pyet i pari, tejet i habitur.
– Po, – përgjigjet qetësisht, i dyti.
Atëherë, rrobaqepësi i parë i cili nuk mbante mend që shoku i tij të kishte munguar në punë, i tha:
– Ku shkove me pushime?
– Në Indi.
– Në Indi?!
– Po. Shkova për të gjuajtur tigrin e Bengalit.
– Ti, shkove për të gjuajtur tigrin e famshëm të Bengalit?!
Që të dy e lanë punën dhe po shikonin njëri-tjetrin. Rrobaqepësi i dytë, që dukej shumë i qetë, e mori përsëri fjalën dhe tregoi si më poshtë:
– Një ditë, mbi një elefant madhështor, të cilin ma kishte dhënë hua një princ i vendit, u nisa për gjah. I armatosur me katër pushkë me qyta prej argjendi dhe i shoqëruar nga një shpurë vendasish që u binin tamtameve, iu ngjita të vetmit mal që kishte gjithë provinca. Nuk kisha bërë shumë rrugë, kur, befas, na del përpara një tigër shumë i madh. Ishte tigri i famshëm i Bengalit. Megjithatë, kurrë nuk kisha parë tigër aq të madh dhe aq të frikshëm në gjithë zonën e Bengalit. Tigri, në shenjë kërcënimi, ngriti krifën dhe nisi të hungërinte aq fort sa më kalli datën. Elefanti, i tmerruar, u tërhoq mbrapsht me forcë dhe unë rashë plasur mbi disa shkurre plot gjemba të gjatë e therës. Atëherë, tigri m’u hodh sipër, më shqeu e më hëngri.
– Të hëngri?! – tha rrobaqepësi i parë, që po e dëgjonte, dhe shqeu sytë.
– Po, më hëngri. Më gëlltiti të gjithin … Deri te copa më e fundit.
– Ore, çfarë po më thua …? Si të paska ngrënë tigri, kur ti ja ku je, i gjallë dhe plot jetë!
Atëherë, rrobaqepësi i dytë merr gjilpërën me fill dhe, duke vazhduar punën, gjithmonë i qetë, i thotë të parit:
– Pse jetë e quan ti këtë?