Reagime pas miratimit të Ligjit të ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës u bënë nga fronte të ndryshme ditët e fundit. Miratimi i këtij ligji është pjesë e reformave, për të cilat është zotuar Ministria e Drejtësisë, prej kur Lëvizja Vetëvendosje është ngjitur në pushtet. Cilat janë ndryshimet kryesore që do t’i pësojë KPK-ja?
Reformat në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) janë të domosdoshme – për këtë pajtohen ekzekutivi, Komisioni i Venedikut, shoqëria civile, e madje gatishmëri ka shprehur edhe vetë KPK-ja.
Por, rreth jetësimit të këtij procesi është krijuar një çarje që gati dy vjet.
Këshilli Prokurorial dhe roli i tij
KPK-ja është shtëpia e prokurorëve të Kosovës. Është organ i pavarur, me kompetenca të qarta në organizimin e sistemit prokurorial në Kosovë: i zhvillon të gjitha procedurat e emërimit të kandidatëve për prokurorë, bën vlerësimin e performancës së tyre dhe shqyrton masa disiplinore, ndër të tjera.
Më 11 korrik 2024, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet për plotësimin e ligjit të ri për KPK-në. Ligji u votua me shumicë të thjeshtë, në mungesë të partive opozitare.
Më 15 korrik, KPK-ja e kritikoi ligjin, duke argumentuar se, me një veprim të tillë, pushteti synon ta bllokojë dhe ta bëjë jofunksional sistemin prokurorial, si dhe të ndërhyjë në gjithë sistemin e drejtësisë.
Të nesërmen, Ministria e Drejtësisë (MD) tha se reagimi i KPK-së ishte vazhdimësi “e qasjes destruktive, e veprimeve penguese dhe e tendencave të vazhdueshme bllokuese”.
Në pasditen e 18 korrikut, Partia Demokratike e Kosovës, parti në opozitë, e dërgoi Ligjin e miratuar në Gjykatën Kushtetuese.
Pjesëtarë të shoqërisë civile i shohin këto përplasje si një tjetër episod të keqkomunikimit ndërmjet të dyja palëve, dhe vlerësojnë se në këtë mes kanë ndikuar kritikat e vazhdueshme publike që i janë bërë KPK-së nga MD-ja.
Rruga deri te miratimi
Me ardhjen e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, më 2021, MD-ja u zotua për reforma në sistemin gjyqësor. Ndryshimet në KPK i pa të arsyeshme për të balancuar anëtarët e saj.
Edhe Komisioni i Venedikut, organ këshillues i Këshillit të Evropës, vlerësoi që “çdo shtet duhet të gjejë formulën për të krijuar një këshill pluralist prokurorial”.
Aktualisht, KPK-ja përbëhet nga 13 anëtarë: 10 prokurorë dhe tre anëtarë joprokurorë.
Në hartim e sipër të ndryshimeve u propozua rritja e numrit të anëtarëve në 19, përfshirja e Avokatit të Popullit në emërimin e anëtarëve joprokurorë, shkurtimi i mandatit të anëtarëve aktualë, si dhe forcimi i rolit të anëtarëve joprokurorë për t’iu dhënë deri diku aftësi vendimmarrëse.
Kjo u pa si tendencë e pushtetit për politizim të sistemit, ndërsa pothuajse të gjitha pikat ranë ndesh me dy opinione të Komisionit të Venedikut, të publikuara më 2022 dhe më 2023.
Deputetë opozitarë e dërguan projektligjin për KPK-në në Gjykatën Kushtetuese, e cila, gjithashtu, vlerësoi se një pjesë e konsiderueshme e ndryshimeve nuk ishin në përputhje me Kushtetutën.
Çfarë parasheh ligji i ri i miratuar?
Pas ndryshimeve të bëra, ligji i ri parasheh që KPK-ja të përbëhet nga shtatë anëtarë – kryeprokurori, sipas detyrës zyrtare, tre prokurorë dhe tre anëtarë joprokurorë – me mandat pesëvjeçar.
Ndryshimi tjetër është që anëtarët joprokurorë nuk do të propozohen më nga shoqëria civile apo institucione specifike, por do të hapet konkurs publik nga Kuvendi i Kosovës.
Më pas, kandidatët potencialë do të vlerësohen prej një komisioni të pavarur, para se për ta të votohet në Kuvendin e Kosovës, ku emrat e tyre do të miratohen me shumicë të thjeshtë.
Shumica e këtyre dispozitave do të hyjnë në fuqi në janar të vitit 2026, pasi atëherë u skadon mandati disa prej anëtarëve aktualë të KPK-së.
Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thotë për Radion Evropa e Lirë se beson që pjesa më e madhe e rekomandimeve të Komisionit të Venedikut janë marrë parasysh, ashtu sikurse vendimi i Kushtetueses.
Ai e konsideron si shumë të rëndësishme edhe përfshirjen e atij që e quan mekanizëm të zhbllokimit.
“Kur anëtarët joprokurorë ose anëtarët tjerë të KPK-së mund të sabotojnë me qëllim takimet, përpos që duhet të merren masa disiplinore ndaj tyre, Komisioni i Venedikut ka paraparë që të bëhet një mekanizëm i zhbllokimit, ashtu që kuorumi të mos jetë me pesë, por me shumicë të thjeshtë votash”.
Këtë pikë, KPK-ja e interpreton ndryshe. Pse?
Mospajtimet për kuorumin
Duke insistuar që kuorumi mund të arrihet vetëm me pesë anëtarë, kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj, thotë se vendimmarrja dhe kuorumi nuk duhet të varen prej anëtarëve joprokurorë, andaj ka kërkuar që në përbërje të anëtarëve të jenë pesë prokurorë dhe dy anëtarë joprokurorë.
“Me ligjin e ri është propozuar që të bëhet kontrolli i KPK-së përmes të zgjedhurve nga organet politike”, pohon Hajdaraj, duke iu referuar anëtarëve joprokurorë.
Por, sipas ligjit, në rastet e mospjesëmarrjes së vazhdueshme të disa anëtarëve, kuorumi mund të formohet me së paku katër anëtarë të KPK-së, dhe ata mund të marrin vendime. Aty përmendet se vendimet e KPK-së merren me shumicë të thjeshtë votash, përveç nëse parashihet ndryshe me ligj.
Bugaqku, i cili ka marrë pjesë në grupet punuese për ligjin, vlerëson se kuorumi me pesë anëtarë është i detyrueshëm vetëm në raste specifike, sikurse emërimi i kandidatit për kryeprokuror të Shtetit, apo vendime të tjera madhore.
Reagimet tjera për ligjin
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se Kuvendi ka dështuar t’i inkorporojë të gjitha rekomandimet për ta bërë një ligj të mirë për KPK-në.
Ndërkaq, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ka biseduar me disa zyrtarë të pushtetit për këtë ligj, dhe se i ka porositur ata të sigurohen secilën herë që legjislacioni i miratuar të jetë në përputhje me normat evropiane. /REL/