Pas 178 vitesh në treg, Thomas Cook, firma më e vjetër e udhëtimeve në Britani të Madhe ka falimentuar.
Rreth 600 mijë persona mbetën “mes katër rrugëve”.
Njoftimi i shefit ekzekutiv të kompanisë, Peter Fankhauser erdhi pasi bordi dështoi të siguronte një marrëveshje me qeverinë, për t’a shpëtuar nga borxhi 1.6 miliard sterlina sterlina.
Por, kur u kthye gjithçka përmbys?
Sipas redaktorit të The Independent, Simon Calder, telashet e Thomas Cook erdhën pasi kompania po i qëndronte besnike “të vjetrës” dhe refuzoi të transformohej e të ecte me hapat e kohës.
“Thomas Cook solli revolucionin e udhëtimeve, bëri gjëra të mrekullueshme, industrializuan udhëtimet, shpikën paketat e udhëtimeve. Por në fund të shekullit XX, e veçanërisht në fillim të shekullit XXI, kompania e shpërqendroi vëmendjen. Nuk arritën të kuptonin se njerëzit, sidomos të rinjtë, nuk po përdorin më agjencitë e udhëtimeve, në të cilat duhet të paraqiten fizikisht”, tha Calder për Euronews, përcjell Telegrafi.
Ai theksoi faktin se firma më e vjetër e udhëtimeve nuk i kushtoi rëndësi linjave të mëdha ajrore “low-cost”, si EasyJet apo Ryanair.
Sipas Qendrës britanike të Aviacionit, Thomas Cook vitin e kaluar transportoi 20 milionë pasagjerë.
Katër linjat ajrore të grupit do të pushojnë me fluturimet e tyre dhe 12 mijë punëtorët e saj në 16 vende si dhe nëntë mijë në Britani të Madhe pritet të humbasin punën e tyre për shkak të falimentimit. /Telegrafi/