(Përgjigje Ministrit te Punëve të jashtme të Republikës së Kosovës, z Enver Hoxhaj, lidhur me shqetësimin tij, se: pse Evropa e ka harruar Kosovën)
Në gazetën “The European Circle” ndër të tjera Ministri i Punëve të jashtme të Republikës se Kosovës z.Enver Hoxhaj deklaron, citoj: “Nganjëherë në Kosovë fitojmë përshtypjen që Evropa e ka harruar Kosovën. Ne kemi nevojë për më shumë Evropë, ne nuk dëshirojmë të humbasim interesimin e Evropës, pas 20 vjet lufte për Pavarësi të Kosovës. Kosova është pjesë e Evropës“.
Këto fjalë të thëna nga Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, z.Enver Hoxhaj, sipas retorikës apo grumbullimit të zhargonit të fjalive të thata politike janë krejt në rregull, por këto fjalë nuk përkojnë fare me drejtimin politik të Qeverisë Thaçi II, ministër i së cilës është edhe Enver Hoxhaj. Ta them të drejtën, për dallim nga ministrat tjerë të kësaj Qeverie, të cilët e kanë konceptin lindorë të qeverisjes në Republikën e Kosovës, për Enver Hoxhajn deri vonë kam pasur bindjen se është një politikan i kalibrit Perëndimor, duke u bazuar në studimet e tija që ka mbaruar në Vjenë të Austrisë, si dhe, duke e njohur nga afër punën e tij, por, fatkeqësisht, paskam qenë i gabuar.
Tani do i japë shkaqet pse. Këto (shkaqe) korrespondojnë pikërisht me një pyetje që një bashkëpartiak i imi nga CDU e Gjermanisë, parti e cila udhëhiqet nga Kancelarja gjermane dr. Angela Merkel, ku ndër të tjera ai do të më pyeste: Z Oroshi: si është e mundur që Qeveria e Kryeministrit Hashim Thaçi, që mund të hyn në Histori të Ginisit për numrin e madh të anëtarëve të kabinetit të tij, ku ka 6 zëvendëskryeministra; 18 Ministra; rreth 50 zëvendësministra dhe në këtë numër qeveritarësh të mos jetë asnjë shqiptar i besimit Katolik? Më zuri të papërgatitur! Si t‘i përgjigjem mikut tim gjerman përveç se duhet t‘i përgjigjem drejt dhe pa retorikë politike. I thashë, po i nderuar, kjo Qeveri Thaçi II është Qeveri e cila është e ndërtuar me konceptet e politikës Lindore, dhe nuk është e ndërtuar që Kosovën ta integroj në Bashkimin Evropian.
Për atë në këtë Qeveri të konceptit lindor apo mendësisë komuniste nuk mund të ketë vend për Shqiptarët Katolikë, që historikisht janë të orientuar drejtë perëndimit, ku shpeshherë ky orientim ju kushtoi edhe me sakrifica sublime. Edhe më tepër u ndjeva i befasuar kur Ambasadorët e propozuar nga Ministri i Jashtëm i Kosovës zotëri Enver Hoxhaj ishin: Akan Ismaili – SHBA, Ahmet Shala – Bruksel, Skënder Gjakalia – Gjermani, Ylber Hysa – Maqedoni, Shpend Kallaba – Bullgari, Sylejman Selimi -Shqipëri, Bukurie Gjonbalaj – Itali, Vjosa Dobruna – Amerikë Latine, Mimoza Ahmetaj – Slloveni. Pra siç shihet nga ky propozim i Ministrit të Punëve të Jashtme, nëse këtë listë do ta aprovojë edhe Presidentja e Kosovës, z.Atifete Jahjaga, atëherë del se është pikërisht ky ministër i punëve të jashtme i cili përfundimisht po ju jep fshesën e fundit edhe dy Ambasadorëve te fundit shqiptarë katolikë të mbetur në shërbim të Diplomacisë së jashtme të Kosovës, z. Albert Prenkaj dhe z. Vilson Mirdita.
Madje kur jemi te ky i fundit, dr. Vilson Mirdita, Ambasador i Kosovës në Gjermani në bazë të kushteve dhe rrethanave politike që ka vepruar, lirisht mund të themi se është Ambasadori më i suksesshëm i Republikës së Kosovës në Evropë, pasiqë shumë shpejtë u adaptua me diplomacinë gjermane, dhe bëri një kthesë të madhe politike në të mirë të Kosovës, për këtë edhe shpërblehet me largim nga posti i Ambasadorit!
Siç shihet, Alberti dhe Vilsoni janë dy hallkat e fundit të pastrimit gjeneral të shqiptarëve katolikë jo vetëm brenda Qeverisë Thaçi II, që s‘e gjen asnjë për ilaç, por edhe brenda Diplomacisë së re të Kosovës, diplomaci e cila në rrethanat që po kalon Kosova ka nevojë që edhe ku janë e ku s‘janë, t’i gjejë dhe t’i vendosi në diplomaci Albertat, Vilsonat, Gjonat, Gjergjat e Kastriotat, që ta përfaqësojnë Kosovën denjësisht, ku përfundimisht do t‘ju shkëputen rrënjët propagandës serbosllave se Kosova është një shtet fundamentalist islamik.
Këtë shkrim po e pasuroj me fjalët e një politikani shqiptar të Kosovës, i cili në prani timen i thotë një prifti katolik shqiptar këto fjalë: “Zotni, ne shqiptarët e besimit Islam në Kosovë, si shumicë që jemi, e kemi obligim moral, të kujdesemi për shqiptarët e besimit katolik në Kosovë, dhe të jeni të barabartë në të gjitha institucionet e shoqërisë në Kosovë, por kam një lutje për ju, që ta bëjmë një marrëveshje të pashkruar, që ne të kujdesemi për ju në Kosovë e ju të Kujdeseni për ne në Evropë. Pra, të jeni lidhja direkte me Evropën”. Me siguri zoti Hoxha e din se çka është tharmi, pasiqë edhe ai sikurse edhe unë, që të dytë jemi rritur në fshat dhe shpeshherë në familjet tona është gatuar buka me tharm. Pra, sadoqë mielli është i mirë, kur të përzihet me ujë për t‘u gatuar, ai nuk mund të bëhet bukë nëse nuk ia vendosë një tharm. Pra, me vendosjen e tharmit buka do të gatuhet mirë dhe do të piqet si duhet. E cila me vonë do ta ushqen me plot sukses shoqërinë e Kosovës.
Kështu është edhe Diplomacia, i nderuari zoti Ministër pa tharm, në këtë rast lexo, pa shqiptarët e besimit Katolik në Kosovë, nuk mund te hyhet në Evropë, sepse, pikërisht këta shqiptarë duhet të jenë urë lidhëse e Lidhjes së Kosovës me Evropën. Prandaj derisa ju ti harroni vëllezërit tuaj të gjuhës, gjakut e flamurit, me të cilët bashkërisht rrugëtuan gjyshërit e stërgjyshërit tanë me shekuj duke i mbajtur krahun njëri tjetrit në kohëra edhe më te vështira, por edhe ne si gjeneratë e sotshme rrugëtuam së bashku për pavarësinë e Kosovës, Evropa do ta harron Qeverinë e Kosovës, por jo edhe popullin e saj shqiptar pa dallim feje. Sepse e ka obligim të kujdeset për këtë popull, se, është popull Evropian; është popull i cili në këto troje është i vendosur baras me diellin; është popull që është autokton që prej atëherë kur zoti e krijoj tokën dhe qiellin.
(Autori është Kandidat për Deputet në Parlamentin e Republikës së Shlesvig Holshtajnit në Gjermani nga CDU, në zgjedhjet e 6 Majit 2012)