Ngutia për formimin e kësaj qeverie për arsyet e cekura nga vetë akterët e koalicionit si dhe mbështetësit e tyre ndërkombëtarë është vërtet absurde. Pa dyshim kjo nguti ka si qëllim shpërnguljen e vëmendjes së shoqërisë kosovare në çështje tjera derisa këta fundit ballafaqohen me probleme esenciale për ekzistencë.
Shihet qartë se ngutia për formimin e këtyre institucioneve të çfarëdo qofshin, bëhen për arsye të negociatave me Serbinë dhe jo siç rrallë herë thuhet në publik se bëhet për vendin dhe gjendjen e tij në të cilin ndodhet aktualisht, pasi që kjo gjendje nuk ka ndodh sot, por ekziston tashmë një kohë, kjo u dëshmua edhe me emërimin e menjëhershëm të znj.Tahiri që t’iu prijë negociatave. Këto negociata me Serbinë do i sjellin kësaj të fundit edhe një plotësim të kushtit për anëtarësim në BE, ndërsa Kosovës dyshohet t’i sjell diçka pozitive përveç hapjes eventuale të temës për statusin e veriut të Kosovës.
Fajësimi i parë i z.Dell që i bën z.Haradinaj, lë të kuptohet se ditën e formimit të kësaj qeverie nuk paska pasur solucion tjetër përveç AKR-së, çka në fakt nuk është e vërtet. Për secilin që ka sado pak informata rreth proceseve demokratike një gjë e tillë është e papranueshme, pasi që ekzistojnë solucione nga më të ndryshme për raste të tilla. Roli i ambasadorit Dell në gjithë këto zhvillime nuk përkon me misionin e tij për të cilin ka ardhur në Kosovë si dhe bie ndesh me teorinë liberaliste të SHBA-së. Është për tu habitur fakti se si z.Dell fajëson individë dhe media për lidhjen e koalicionit në mes PDK dhe AKR e tjerave, pas refuzimit të AAK-së që të bëjë koalicion me PDK-në, sikur nuk paska pasur solucione tjera përveç kësaj.
Fajësimi i dytë që z. Dell i bënë medias dhe fjalës së lirë, atributit të çdo demokracie, po ashtu nuk mund të jetë i pranueshëm. Deklaratat e tij për cenim të privatësisë së tij do mund të pranoheshin në ndonjë vend që nuk është dëgjuar kurrë për termin demokraci por jo edhe në Kosovë. Siç e dimë, lider me renome ndërkombëtare posaçërisht liderë amerikan nga dhe vjen z.Dell kanë pësuar rënie në karrierën e tyre politike shkaku i publikimeve të video – incizimeve që kanë mund të ndodhin rastësisht nga pakujdesia teknike apo të kenë qenë pjesë e gazetarisë hulumtuese pasi që e gjitha kjo bëhet për shkak të interesit publik, i cili e tejkalon interesin privat në çdo aspekt dhe për të cilin fakt edhe ekziston një medium. Se cili është fajësimi i radhës i tij mbetet të shihet mirëpo veprimet e tij së fundi mund dhe ta largojnë nga pozita e tij, sepse për gjëra të tilla SHBA nuk e përkrahë dot.
Të gjitha këto zhvillime të fundit paraqesin qartë interesin e vendorëve për arritjen me çdo kusht në pushtet si dhe tendencën e disa akterëve ndërkombëtarë me mision në Kosovë që të kenë jetëgjatësi me misionet e tyre në Kosovë.
Në gjithë këto ngjarje interesi i shtetasit kosovar as që përmendet kund. Nuk përmendet zbutja e kësaj varfërie enorme, papunësi e të rinjve, pensioneve fyese, 20% e ndërmarrjeve të privatizuara e shumë probleme tjera të cilat e brengosin shoqërinë kosovare për çdo ditë, shumë më përpara, se që mund ta brengos se kush do të prijë në negocimin me Serbinë, se kush do bëhet kryeministër, president, të bëmat e njërit apo liderit tjetër etj, këto çështje tashmë janë dytësore për një kosovar. Pasi që në pyetje për shumicën e popullit të Kosovës është ekzistenca dhe mirëqenia ekonomike dhe sociale e tyre.
Pra kjo nuk është asgjë tjetër përveç largimit të vëmendjes së kosovarëve nga problemet e tyre të përditshme dhe përqendrimit të vëmendjes në “imazhin e Kosovës” e gjëra që thuhen përditë sikur vjersha. Uroj që akterët me ndikim në politikë si ata ndërkombëtarë apo vendorë t’i thërrasin mendjes në të kundërtën ky largim i vëmendjes së shoqërisë kosovare nga gjendja reale nuk mund të zgjas edhe aq shumë.