Site icon Telegrafi

Pse duhet të bashkohen Shqiptarët

Shqiptarët në Ballkan duhet të bashkohen jo pse duhen shumë në mes veti, por pse kanë nevojë për njëri tjetrin. Dalshin prej nesh 77 kombe, por jo sot. Në ditët e sodit puna është të kthehemi tek vetvetja jonë shqiptare që na bashkon, është koha që mirë e hollë t’i shikojmë punët tona dhe jo të ndahemi edhe më shumë ne fise e krahina, në klane e kombe të reja.

Popujt e hairit gjithmonë janë bashkuar në kohëra rreziqesh e paqartësish, e koha jonë pa to nuk është. Në të katër anët e tij Ballkani zien e përzien nga tensione ndëretnike, dhe si gjithnjë tash e më shumë se një shekull, nxitës dhe protagonist kryesor i këtyre tensioneve dhe armiqësive është shteti i Serbisë.

Serbët e Bosnjës pas të gjitha llahtarive që kanë kryer gjatë luftës së fundit, po kërkojnë haptazi ndarjen e Bosnjës në mënyrë që të i bashkoheshin më pas Serbisë, e cila po e mban të bllokuar veriun e Kosovës dhe po kërkon ndarjen e saj, ndërsa shqiptarët e Luginës së Preshevës i ka në Listën e atyre që mungojnë.

Maqedonia e ndërprenë regjistrimin e popullsisë së saj nga frika e përqindjes së shqiptarëve, ndërsa Greqia e cila po mbahet gjallë vetëm falë infuzioneve të Evropës, ngre tensione ndëretnike greko-shqiptare në jug të Shqipërisë.

Një mik imi një ditë më tha: “bash kisha dashur të shoh se çka ndodhë kur bankroton shteti”. E unë duke u munduar t’i jap një përgjigje pyetjes së tij, thash: Mundë të fillojnë luftëra kur falimentojnë shtetet.

Nuk është e mirë kjo kriza greke, por më e keqja është se kriza financiare e ka përfshirë pothuajse tërë Evropën. Ndërsa kjo krizë sipas ekspertëve të ekonomisë ka aso dimensione sa e rrezikon ekzistencën e valutës së përbashkët evropiane. Kancelarja e Gjermanisë, e nderuara Znj. Merkel para disa ditësh deklaroi: “Nëse s’do të ketë Euro nuk do të ketë as BE”.

Le të shpresojmë që nuk vjen puna deri aty, se pastaj mundë të këputet zinxhiri që e mban të lidhur bishën e Ballkanit- nacionalshovenizmin serb.

Perspektiva Evropiane është sot një nga faktorët më të rëndësishëm të stabilitetit politik në Ballkan e më gjerë. Ky Ballkan i trazuar dhe kjo krizë e Eurozonës do të ishte më mirë sikur t’i gjente shqiptarët të bashkuar, por ata nuk janë ashtu.

Në një tryezë debati në Beograd, ambasadori i Gjermanisë në këtë vend deklaroi se e do BE-në dhe lufton për të, sepse vetëm e bashkuar Evropa është konkurrente në ekonominë globale dhe lojtar i rëndësishëm në skenën gjeopolitike ndërkombëtare.

Shqiptarët kanë nevojë për t’ju bashkangjitur BE-së, por ata kanë nevojë edhe për t’u bashkuar në mes veti. Nuk duhet të presim nga të tjerët që të na bashkojnë, pse jemi të sigurt që instanca dhe faktor të tjerë do të na bashkojnë ne shqiptarëve?, pse do ta bënin të tjerët për ne?!. Pastaj bashkimi i shqiptarëve nuk i rrezikon proceset eurointegruese ne Ballkan, në rastin më të pafavorshëm për këto procese, shumë më pak se sa veprimet e ballkanasve të tjerë.

Nëse sot për sot nuk mund ta bëjmë një bashkim formalo-ligjor sikur që do të ishte një Konfederatë Shqiptare për shembull, ne mundë të hapërojmë pa u penguar në proceset integruese ndërshqipëtare në ekonomi, në arsim, kulturë etj; pa i dëmtuar aspak proceset eurointegruese.

Ndërtimi i autostradës ”rrugës së kombit” është një hap i madh drejt bashkimit të popullit shqiptar. Edhe fiset e numërta gjermane janë bashkuar atëherë kur i kane ndërtuar rrugët dhe hekurudhat që i kanë lidhë në mes veti.

Kur flitet për bashkimin kombëtar në Kosovë, shpesh të dëgjon veshi ndërsa thuhet: “Ne duam, por a duan shqiptarët e Shqipërisë?. Mbase shumë nga ta nuk duan, por ka edhe në Kosovë shqiptar që janë kundër bashkimit kombëtar.

Unë të gjithë atyre ju them se projekti i bashkimit kombëtar nuk është një projekt i cilitdo qoftë, por i mendjeve tona më të ndershme dhe më të ndritura – Rilindësve që janë Etërit e Kombit tonë.

Vetëm se kjo punë për tu bërë realitet e do një elitë intelektuale dhe politike të ndershme dhe të ndërgjegjshme si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë e gjithandej hapësirave shqiptare. Kjo elitë do të duhej t’i printe dhe t’i bënte roje integrimit ndërshqipëtar.

Në të gjithë hapësirat shqiptare ka një konsensus të pakontestueshëm për drejtimin euroatlantik të popullit shqiptar dhe kështu duhet të jetë. Populli shqiptar ka nevojë për ndihmën e Evropës dhe të SHBA-ve. Ai ka nevojë po ashtu t’i ndihmoj vetvetes në çdo vend të Ballkanit ku jeton në trojet e veta stërgjyshore.

Të integruar në mes veti, ekonomikisht dhe shpirtërisht, shqiptarët në Ballkan do të ishin më prosperues për veten e tyre dhe më të respektuar nga të tjerët. Do të ishin: “kala që nuk mësyhet” dhe jo kafshatë e lehtë për tu grabitur e kapërdirë si ka ndodhur shpesh në të kaluarën, e për të mos u përsëritur në të ardhmen, e cila çka sjell nuk dihet.

(Autori është mjek nga Gjilani)

Exit mobile version