Era e luftës dhe aroma e lirisë, gjithandej Kosovës ndihej në marsin e vitit 1999. Më saktë, më 24 të këtij muaji. Një natë që përmblidhte shekullin, ëndrrat e një kombi, frikën, shpresën, guximin dhe trimërinë. Një natë që do ta ndërronte përgjithmonë shtratin e një lumi fatkeq.
A duhet të festojmë bashkë në Kosovë, 24 marsin? Sot jo sepse aroma e tij ende shijon fuqishëm në emocionet tona duke na e turbulluar koshiencën qytetare. Neve sepse kemi përjetuar dhunim më të madh të mundshëm si komb dhe tjerëve sepse mbi këtë dhunë kishin ndërtuar privilegjet e tyre luksoze por te rrejshme.
Sot festimi i përbashkët i datës kur u pre nata e gjatë e robërisë mbi Kosovë duket bukur i largët. Vetëm të menduarit duket si shume pretendues. Po nesër? Kur romakët e kishin pushtuar Greqinë antike, nuk e kishin pasur të vështirë ta thoshin një të vërtetë qytetëruese: Ne e pushtuam Greqinë ushtarakisht, ajo na pushtoi me kulturë.
Komuniteti serb i Kosovës, por edhe vetë ky komb, një ditë duhet ta kuptojë se ndërhyrja e Perëndimit në Kosovë, më 24 mars 1999 ishte edhe në të mirë të vetë atyre. Nëse politikës së çmendur, vrasëse të Serbisë së asaj kohe nuk i pritej hovi, ky komb rrezikonte, përveç viktimave të veta, edhe vetveten. Shndërrimi në komb të dhunshëm dhe hegjemonist, krijimi i shtresave të tëra të njerëzve të dhunshëm, politika e mashtrimit dhe diskriminimit, s’ka sesi të mos kthehet në një bumerang të tmerrshëm.
Bombat e NATO-s që ndaluan këtë lëvizje të shtetit dhe kombit serb shpëtuan dy popuj dhe ruajtën një minimum civilizimi. Në të kundërtën, shqiptarët e serbët ishin në një rrezik të madh nga i cili, të vetmuar nuk do të dilnin kurrë.
Sigurisht se Kosova ka drejtë të festojë me dinjitet këtë datë që lëvizi shekujt. Është momenti i rilindjes, moment i kthimit të demokracisë së vërtetë. Historia duhet ta thotë fjalën e vet, mirëpo nuk ka faktor relevant që mund ta mohojë të drejtën e një populli për liri dhe barazi. Demokracia është dëshmuar si produkt i shëndosh i marrjes së vendimeve, e kundërta është rrugë ë rrezikshme dhe devijuese që prodhon mjegull.
24 marsi i vitit 1999 është guri i kufirit të çmendurisë. Shënjon kthesën kthjelluese për demokracinë në Ballkan. E vështirë, e përgjakshme shkatërruese për shumë jetë njerëzish, por kjo datë do të jetë përjetësisht e shënjuar si triumf i së mirës njerëzore mbi veset e këqija që qenia njeri i merr gjatë ndërtimit të tij politik.
Kosova dhe populli i saj, në këtë datë, e ka momentin e reflektimit. Është shkolla të cilën e paguam me breza të tërë, me sakrifica nga më të paimagjinueshmet. Ideja e lirisë dhe ambicia e shëndoshë e një populli duket se është kod i pazhdukshëm, i pazbërthyeshëm nga asnjë dhunë. Vonoi apo jo, qëllimi i një populli nuk thyhet, sado që në momente të caktuara historike duket i rrezikuar. Këtë betejë e fituam, bashkë me dishepujt e lirisë perëndimore. Puna mbetet në duart tona, njashtu edhe ardhmja.
Pra gëzuar festa e rilindjes, për të gjithë, 24 marsi 1999.