Site icon Telegrafi

Pse do ta votoja Specialen?

 Tracy Ann Jacobson do të duhej të ishte ulur në vendin e Isa Mustafës në Kuvendin e Kosovës, të premten. Përkrah amerikanes, në karriget ndara për anëtarët e Qeverisë, do të duhej të zinin vend kolegët e saj diplomatë nga vendet që Kosova i quan mike.

Tash dikush mund të reagojë dhe të thotë se një pamje e tillë në sallën e Kuvendit nuk është e lejuar me Kushtetutën e Kosovës, vendit që është i pavarur dhe sovran. E unë, me këtë ide, po e kontestoj argumentin e fundit.

Kosova nuk është sovrane, në asgjë tjetër, përveç në keqpërdorimin e pasurisë nga udhëheqësit e saj.

Nuk u dëshmua si sovrane as kur iu imponuan bisedimet me Serbinë, e cila ia mban të pushtuar një çerek të territorit.

Nuk u dëshmua sovrane as kur pranoi që përskaj emrit t’i vendoset fusnota.

E tillë s’po dëshmohet as kur po negocion për çështjet e brendshme, ani pse edhe sot shefi aktual i Qeverisë, por edhe paraardhësi i tij, mohojnë se po e bëjnë një gjë të tillë.

E tash vjen momenti kur duhet themeluar edhe gjykata dedikuar krimeve eventuale të UÇK-së. Dhe në vend se të ishte punë e kryer në gjykatat lokale, tani u dorëzohet ndërkombëtarëve dhe atë jashtë Kosovës.

Për të gjitha këto zhvillime, fillimisht ka pasur kundërshtim verbal nga drejtuesit e qeverisë. Bile, Gjykatën Speciale edhe sot e quajnë ofendim për Kosovën. Por, si arsyetim për pranimin e saj, dhe të gjitha këtyre vendimeve të imponuara e të përmendura më lartë, u dha fakti se janë sugjerime të vendeve mike, me Amerikën në krye.

Unë me këtë shkrim, e pranoj, të frymëzuar nga debati kuvendar për Specialen, nuk dua dhe nuk mundem ta kontestoj faktin se është pikërisht Amerika ajo që na mundësoi ta kemi këtë liri që e kemi.

Por, fatkeqësisht, më duhet t’i fajësoj krejt vendorët që e qeverisën Kosovën nga qershori i 1999-ës e deri më sot, se nuk i bënë detyrat e tyre si duhet, andaj u mbeti miqve të nxjerrin më të mirën nga ajo që mund të nxirrej nga Serbia këmbëngulëse, dhe Rusia e saj mbështetëse.

Andaj, sot mendoj se të gjithë këta liderë duhet që t’i thonë këtij populli se dështuan. Dhe se për fajin e tyre edhe Kosova dështoi të bëhet shtet sovran, që vetë vendos për veten.

Në rrethanat e krijuara në këto 16 vjet – kur edhe njohjet, edhe çdo e mirë që na vjen nga jashtë, janë vetëm meritë e këtyre miqve, e jo e liderëve kosovarë – nuk është aspak turp që sovraniteti t’i lihet në dorë Amerikës, po qe se ajo e pranon.

Do të jem i pari që ta nënshkruaj një akt të tillë.

Të paktën, do ta dimë nga fillimi se kush ka faj apo meritë për vendimet që merren për ne.

Në debatin e së premtes në Kuvend nuk është se e pata të qartë sa duhet.

(Autori është kryeredaktor i lajmeve në Klan Kosova)

Exit mobile version