Site icon Telegrafi

Pse disa kombe janë të pasura dhe të tjerët të varfër?

Tre ekonomistë u vlerësuan me Çmimin Nobel të hënën për kërkimet e tyre mbi mënyrën se si natyra e institucioneve ndihmon në shpjegimin se pse disa vende bëhen të pasura dhe të tjerat mbeten të varfra.

Daron Acemoglu, Simon Johnson dhe James Robinson do ta ndajnë çmimin, i cili përfshin një shpërblim financiar prej 11 milionë korona suedeze (1 milion dollarë).

Komiteti i Nobelit lavdëroi treshen për shpjegimin e tyre se pse “shoqëritë me sundim të dobët të ligjit dhe institucione që shfrytëzojnë popullsinë nuk gjenerojnë rritje ekonomike apo ndryshime për të mirë”.

“Kur evropianët kolonizuan pjesë të mëdha të globit, institucionet në ato shoqëri ndryshuan”, tha komiteti duke cituar punën e ekonomistëve.

Ndërsa në shumë vende kjo synonte shfrytëzimin e popullatës vendase, në vende të tjera u vendosën themelet për sisteme politike dhe ekonomike gjithëpërfshirëse, shkruan cnn.

“Lauratët kanë treguar se një shpjegim për ndryshimet në mirëqenien e vendeve janë institucionet shoqërore që u prezantuan gjatë kolonizimit”, shtoi komiteti.

Vendet që zhvilluan “institucione gjithëpërfshirëse” – të cilat mbështesin sundimin e ligjit dhe të drejtën e pronës – me kalimin e kohës janë bërë të pasura, ndërsa ato që zhvilluan “institucione shfrytëzuese” – të cilat, sipas fituesve, “shtrydhin” burimet e popullsisë për të përfituar elitat – kanë përjetuar rritje të ulët ekonomike në mënyrë të vazhdueshme.

Në librin e tyre të vitit 2012, “Pse kombet dështojnë”, Acemoglu, profesor turko-amerikan në Institutin e Teknologjisë së Massachusetts (MIT) të SHBA-së, dhe Robinson, profesor britanik në Universitetin e Chicagos, argumentojnë se disa kombe janë më të pasura se të tjerat për shkak të institucioneve të tyre politike dhe ekonomike.

Libri hapet me një krahasim të standardeve të jetesës në dy qytete të quajtura Nogales – njëri në Arizona dhe tjetri në jug të kufirit, në rajonin Sonora të Meksikës.

Ndërkohë që disa ekonomistë kanë argumentuar se ndryshimet në klimë, bujqësi dhe kulturë kanë ndikim të madh në prosperitetin e një vendi, Acemoglu dhe Robinson argumentojnë se banorët e Nogalesit, Arizona, janë më të shëndetshëm dhe më të pasur për shkak të fuqisë relative të institucioneve të tyre lokale.

Vitin e kaluar, Acemoglu dhe Johnson – profesor britaniko-amerikan në MIT – publikuan “Pushteti dhe Përparimi”, studim mbi mënyrën se si inovacionet teknologjike gjatë 1000 viteve të fundit, nga avancimet bujqësore deri te inteligjenca artificiale (AI), kanë prirur të përfitojnë elitat, në vend që të krijojnë përparim për të gjithë.

Autorët paralajmëruan se “rruga aktuale e AI nuk është e mirë as për ekonominë dhe as për demokracinë”.

Demokracia barazohet me rritje ekonomike?

I pyetur nëse hulumtimi i tyre thjesht argumenton se “demokracia do të thotë rritje ekonomike”, Acemoglu tha se “puna që kemi bërë mbështet demokracinë,” por shtoi se demokracia “nuk është një ilaç”.

“Argumenti ynë ka qenë se kjo lloj rritjeje autoritare është më e paqëndrueshme dhe në përgjithësi nuk çon në inovacion shumë të shpejtë dhe origjinal”, tha Acemoglu në një intervistë telefonike gjatë ceremonisë së shpalljes.

Daron Acemoglu, Simon Johnson dhe James A. Robinson

Në librin “Pse Kombet Dështojnë,” ai dhe Robinson argumentuan se Kina, për shkak se i mungojnë institucionet gjithëpërfshirëse, nuk do të mund të mbante rritjen e saj ekonomike.

Më shumë se një dekadë që nga botimi i librit, Acemoglu tha se shteti kinez ka paraqitur një “sfidë të vogël” për këtë argument, pasi Pekini ka investuar shumë në fushat inovative si Inteligjenca Artificiale dhe automjetet elektrike.

“Por, perspektiva ime në përgjithësi është se këto regjime autoritare, për një sërë arsyesh, do ta kenë më të vështirë të arrijnë rezultate të qëndrueshme dhe afatgjata në inovacion”, tha ai.

Çmimi i ekonomisë njihet zyrtarisht si Çmimi i Bankës së Suedisë në Shkencat Ekonomike në Kujtim të Alfred Nobelit.

Ndryshe nga çmimet për fizikë, kimi, mjekësi, letërsi dhe paqe, ky çmim nuk u themelua nga industrialisti suedez, por nga banka qendrore e Suedisë në vitin 1968.

Vitin e kaluar, çmimi iu dha Claudia Goldin, profesoreshë në Universitetin e Harvardit, për kërkimet e saj mbi gratë në tregun e punës.

Duke përdorur të dhëna prej më shumë se 200 vjetësh nga SHBA, Goldin tregoi se si natyra e hendekut të pagave midis gjinive ka ndryshuar me kalimin e kohës.

Historikisht, pjesa më e madhe e hendekut mund të shpjegohej me dallimet në arsim dhe profesione.

Por, në historinë më të re, ajo zbuloi se shumica e hendekut ka qenë midis burrave dhe grave në të njëjtin profesion, dhe kryesisht shfaqet kur një grua lind fëmijën e parë. /Telegrafi/

Exit mobile version