Të inatosur dhe në panik, për shkak të sjelljeve të partnerit të koalicionit, Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas 15 nëntorit, dhe nën ndikimin e alkoolit e tymit të cigares, (ndoshta edhe nën tingujt e këngës “Guns n’Roses” të një rock-grupit amerikan që e aktualizojë Lutfi Haziri), zyrtarët e lartë e të ulët të Partisë Demokratike, të udhëhequr nga kryetar i saj, njëherazi edhe kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi, vendosen që ta prishin koalicionin PDK-LDK. Ky vendim përveç që i zuri në “befasi” edhe i alarmoj qytetarët dhe akterët ndërkombëtar që janë kujdesur deri më tani për zhvillimet politike në Kosovë. Këta të fundit janë meritorët për vazhdimin edhe më tej të qeverisë së koalicionit mes PDK-së dhe LDK-së, por që sipas shumë analizave kjo qeveri tani është në një gjendje edhe më të keqe, se çka qenë para 20 Nëntorit dhe brenda saj i janë shtuar tej mase formalitetet dhe artificialiteti i bashkëpunimit dhe bërjes së gjërave.
Si ndodhi prishja 24 orësh e koalicionit PDK-LDK?
Qeveria e “Zanzi Bar-it”, (nuk e kam fjalën për qytetin afrikan, por për një lokal afër selisë së PDK-së ku u prish qeveria), që nga orët e hershme të së premtes nuk është më ajo që ishte deri në orët e vona të së enjtes. PDK-ja vendosi që në “Zanzi Bar”, t’i jap dimension tjetër situatës politike post-zgjedhore. Zyrtarët e PDK-së hynë në “Zanzi Bar” pa zgjidhje dhe alternativa, e dolën nga aty, përveç të dehur, edhe të papjekur politikisht, qesharak dhe mospërfillës ndaj partnerëve dhe qytetarëve të Kosovës. Me atë veprim, zyrtarët e PDK-së treguan se nuk u han “palla” për qytetarët dhe Kosovën, por se u intereson pushteti dhe vetëm pushteti dhe se kushdo që guxon t’u dalë përpara, ata janë gati për ta linçuar dhe përjashtuar. Ata kanë treguar amatorizëm politikë, çka ishte një befasi e keqe për shumicën në Kosovë, sepse në vazhdimësi janë prezantuar si “ajka” e elitës dhe politikës në Kosovë.
Një ditë para se ta marrin këtë vendim, zyrtarët e PDK-së vetë kishin bërë një koalicion me AAK-në në Obiliq për ta mundur LDK-në, (pasi që e “kërcënuan” kandidatin e AAK-së në Obiliqi që ai, ose t’ia jap votën PDK-së ose kjo e fundit do t’ia ndërpres një kontratë që kompania e tij ka me KEK-un për ruajtjen e sigurisë), por të cilën marrëveshje nuk e pranoj kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Kjo tregon se nuk ka qenë vetëm LDK-ja që ka kërkuar dhe kërkon aleat për të ndërtuar koalicione për të hyrë në balotazh në 20 komunat e Kosovës, por se edhe PDK-ja është në kërkim të tyre dhe se nuk i intereson as asaj fare, e ashtuquajtura marrëveshje gojore, që zyrtarët e PDK-së thonë se e kanë pasur me LDK-në.
Fundja, pse duhet të ekzistoj kjo marrëveshje gojore, përderisa PDK dhe LDK kanë hyrë në garën zgjedhore si parti të vetme? Madje disa orë para se të merret vendimi i çuditshëm nga PDK-ja, zv/kryeministri Hajredin Kuçi dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në një debat televiziv e pranuan se janë konkurrent dhe se kanë të drejtë të kërkon partnerë për ta fituar pushtetin. Por, si duket z. Kuçi këtu fshehu “mllefin” ndaj qëndrimit të z. Haziri dhe me të dal nga aty ka shkuar drejtë e tek kryetari i tij dhe zyrtarët e tjerë të lartë të PDK-së, me të cilët në mbrëmje kanë vendosur t’i japin një përgjigje LDK-së. Sipas tyre, përgjigja më e mirë do të ishte prishja e koalicionit me LDK-në dhe shkarkimin e Presidentit, duke formuar një tjetër koalicion me AKR-në dhe LDD-në.
A mund ta realizonte qëllimin e vet PDK-ja?
Matematikat e bërë nga udhëheqja e lartë dhe e ulët e PDK-së, (sepse aty u pa që kishte anëtarë të PDK-së të të gjitha nivelet), nën atmosferën emociunuse në “Zanzi Bar”, që ditën e premte të shkohet në Kuvend të Kosovës, për ta “riformatizuar” qeverinë, siç deklarojë zv/kryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, dolën të jenë të gabuara, të keq llogaritura dhe të pamenduara, madje treguan se janë amatera dhe jo serioz në politikë. Kjo për shumë arsye, por që dy janë me kryesoret dhe të cilat një ditën më vonë u thanë Ambasadori Amerikanë, Kristofer Dell dhe Shefi i ICO-së, Pieter Feith, e që drejtpërsëdrejti këto vërejtje kanë shkuar në adresë të PDK-së.
E para, nuk mundet Qeveria e Kosovës ta shkarkoj presidentin dhe ta shpërndaj Kuvendin, por se Presidenti mund ta shpërndaj Kuvendin dhe të shkarkoj qeverinë Së dyti, PDK-ja edhe po të mund ta bënte këtë veprim, nuk i ka numrat për ta shkarkuar Presidentin, siç nuk i ka numrat për ta mbajtur një qeveri stabile dhe funksionale.
Pikërisht duke i pasur parasysh këto dy elemente kruciale për funksionimin e demokracisë, edhe Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Kristofell Dell, tha se i gjithë procesi "duhet të bëhet në kuadër të kornizës së Kushtetutës së Kosovës dhe aktivitetet jashtë Kushtetutës, nuk duhen toleruar”, e që të njëjtën gjë e tha edhe Shefi i ICO-së Pieter Feith, kur deklaroi se “është me rëndësi që dispozitat e kushtetutës të respektohen plotësisht”. Më shqip, kjo i bie se PDK-ja duhet ta kuptoj se qeveria e Kosovës nuk mund të prishet dhe as të riformatizohet në “Zanzi Bar”, por në Kuvendin e Kosovës, aty ku janë përfaqësuesit e popullit të Kosovës dhe ku ka marr besimin.
Në Nenin 91 pika 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës thuhet “Kuvendi mund të shkarkojë Presidentin me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të tij”, që nënkupton se PDK-ja nuk mund ta shkarkoj Presidentin, por edhe në rastin se mund të bëhet kjo, PDK-së do t’i duhen 81 vota! Në asnjë variant PDK nuk i ka këto vota dhe se bazuar mbi rrethanat e tanishme, z. Sejdiu mund të qëndroj qetë në atë pozitë deri në fund të mandatit. Sipas një llogarie që kam bërë, PDK-ja bazuar në formulën e proklamuar qeverisëse PDK+AKR+LDD+pakicat, sot mund t’i mbledh maksimum 74 vota. Por, në variantin real ajo mund t’i ketë vetëm 67 vota në Kuvend, (PDK ka 37 deputet, por në tre prej tyre nuk mund të llogarisë, si Naim Rrustemi, Emrush Xhemajli dhe Kaqusha Jashari; AKR dhe LDD kanë nga 10 deputet; Grupi 7+ ka 7 deputet, grupi i SLS-së ka 6 deputet dhe deputetet Pa grup janë katër të cilët nuk e votojnë dhe as e kanë votuar më parë këtë qeveri).
Edhe Neni 100 pika 2 e Kushtetutës thotë qartë se “votëbesimin e Qeverisë mund ta kërkojë Kryeministri”, dhe pika 3 e këtij Neni që thotë se “mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditë të Kuvendit, jo më vonë se pesë (5) ditë e as më herët se dy (2) ditë nga data e parashtrimit të tij”, që nënkupton se Hashim Thaçi ditën e premte do të duhej të shkonte tek Presidenti Fatmir Sejdiu për t’ia dorëzuar dorëheqjen. Nga dita e diel deri ditën e mërkurë Hashim Thaçi do të duhej të prezantonte kabinetin e ri dhe të votohej në Kuvend të Kosovës, që sipas Nenit 100 pika 6, “nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje”.
Po, sipas të njëjtit Nen të Kushtetutës së Kosovës, pika 5, “nëse mocioni i mosbesimit dështon, mocioni tjetër i mosbesimit nuk mund të ringrihet gjatë nëntëdhjetë (90) ditëve të ardhshme”. Mirëpo, Neni 95 pika 4, “nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”. E shpjeguam gjithë këtë, për të treguar se Hashim Thaçi dhe PDK-ja në asnjë variante nuk do të mund ta nënshtronin Presidentin Fatmir Sejdiun, por se ky i fundit është mbi ata dhe se mund të largohet nga ajo pozitë vetëm nëse jep dorëheqje vet apo për ndonjë arsye tjetër personale.
Pse bien politikanët e Kosovës në situata të tilla tragjikomike?
Në vazhdimësi kam thënë dhe e përsërisë, se shoqëria në Kosovë ka defekte dhe se klasa politike ka mbetur “sakate”, për shkak të sjelljeve të përfaqësuesve ndërkombëtar në Kosovë, të cilët për dhjetë vjet janë sjellë si mbretër këtu, duke mos marr aspak mundin për të ndërtuar Kosovën dhe politikën brenda saj mbi parime të qëndrueshme demokratike. Sjellja e ndërkombëtarëve, prej të forti që tani po jep rezultatet e veta, duke e përballur një shoqëri pasive me politikanët e vet të papjekur, amator dhe naiv.
Bashkësia ndërkombëtar për dhjetë vjet në Kosovë na ka imponuar rregulla demokratike, por ajo nuk na i ka mësuar parimet e demokracisë. Për dhjetë vjet bashkësia ndërkombëtare na ka treguar, se çfarë duhet të bëjmë ose të mos bëjmë si shoqëri dhe politikanë, por nuk na ka mundësuar që të punojmë vetë, qoftë edhe duke gabuar, në mënyrë që të mësojmë nga gabimet, sepse në demokraci kjo ka shumë rendësi, ngase ajo që fitohet me vështirësi edhe ruhet më shumë, e kundërta, ajo që fitohet lehtë nuk ka ndonjë kujdes të veçantë.
Modelin e të sjellit prej të forti deshi të imponoj në Kosovë edhe Partia Demokratike e Kosovës, e cila pa pyetur dhe pa u konsultuar më askënd, madje as më ata që ia kanë mësuar këtë sjellje, as më ata që ishte në një kulm, e aq më pak më ata që dëshironte të bashkëjetonte në të ardhmen, provoj t’i përmbys gjërat për pak minuta. PDK-ja është duke e ndjerë vetën të fuqishme, që sipas saj ia siguron lirinë e të bërit çfarë të dojë në Kosovë, edhe t’i thotë LDK-së nuk je më në qeveri, por edhe AKR-së e LDD-së t’i përfshijë në qeveri pa i pyetur. Kështu nuk shkon, edhe nëse PDK-ja është aq e fuqishme sa po pretendon, sepse ka rregulla që përcaktojnë rrjedhën e proceseve politike në Kosovë. Pas këtij veprimi na është vërtetuar për të satën herë se, bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht Ambasada e SHBA-së dhe Zyra e BE-së në Kosovë vendosin për drejtimin që duhet të ndjekë politika dhe vetë politikanët e Kosovës, dhe se zhvillimet si ky i fundit janë më shumë imitim, por i keq, i demokracive të konsoliduara dhe më traditë.
Por, rasti i fundit fatkeqësisht tregon se politikanët e Kosovës nuk kanë mësuar asgjë nga parimet e demokracisë. Ata u dëshmuan përfaqësuesve ndërkombëtar, se nuk janë të aftë ende që të ecin vetë dhe se nuk duhet t’u lëshohet dora, se ndryshe rrezohen. Politikanët e Kosovës përsëri treguan se, po t’u lihet në dorë Kosova dhe ndërtimi i demokracinë, gjërat shpejt mund të përmbysen. Sjellja e fundit, tregoj, se sa të paparashikueshëm janë politikanë e Kosovës? Sjellja e tyre e fundit ia vërtetoj bindjen përfaqësuesve ndërkombëtar se ata janë të nevojshëm ende këtu, madje ata ua “nënshkruan” qëndrimin e pakufizuar në Kosovë.
Në një situatë të tillë, kur Kosova po kalonte një test të mirë të organizimit të zgjedhjeve lokale dhe kur Kosova po bëhej gati për të shkuar në ballafaqim me Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, politikanët treguan se dinë edhe të dëmtojnë vendin. Nëse deri para një muaj kishte arsye për zgjedhje të reja parlamentare, tani deri në pranverën e vonë të vitit 2010 nuk ka asnjë arsye dhe as duhet të ketë kërkesa për diçka të tillë. Kosova duhet të stabilizohet politikisht pas zgjedhjeve të 15 Nëntorit, duke e përfunduar më suksese raundin e balotazhit dhe në të njëjtën kohë të përgatitet për ta fituar procesin në GJND, e pastaj të mendohet për zgjedhjet parlamentare.
Si dhe a mund të vazhdojnë tutje së bashku PDK dhe LDK?
Pasojat që do të bartë me vete veprimi i fundit i PDK-së, janë të pakthyeshme. Vazoja që është thyer një herë, nuk mund të kapet siç ka qenë dhe se zgjidhja mund të jetë zëvendësimi i saj më një të re. LDK-ja dhe PDK-ja nuk mund të jenë siç kanë qenë. Sigurisht se gjendja e krijuar nga veprimi i PDK-së nuk do i shkonte për shtati Kosovës, sepse do të ishte një situatë paralizuese për Kosovën, e cila do të reflektohej edhe në raportet dhe komentet e përfaqësuesve ndërkombëtar. Por, as situata post “Zanzi Bar”, nuk do të vazhdojë më gjatë se deri në mes apo fund të vitit 2010, kur edhe do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për ta definuar fuqinë dhe pozicionin e vet secila forcë politike në Kosovë.
E kam thënë më herët, e përsëris edhe tani, së zgjedhjet e 15 nëntorit të këtij viti kanë qenë test dhe tregues se nga do të ec tutje politika në Kosovë. Veprimi i fundi i ndërmarr nga PDK-ja ka qenë i gabuar, i ngutshëm dhe i cili ka synuar ta dërmoj dhe poshtërojë deri në fund LDK-në dhe AAK-në, por edhe ta ndryshoj gjendjen e hartës politike të krijuar më 15 nëntor. Ndërsa LDK-ja edhe kësaj here ka treguar se vërtet nuk meriton të trajtohet më mirë nga partneri i saj, sepse nuk është e zonja të reagoj dhe as të mbrojë qëndrimet dhe bindjet e veta, e të mos flasim për më shumë se kaq. Udhëheqja e LDK-së kësaj radhe është treguar e pafuqishme dhe vartëse e lidershipit të PDK-së, çka mund t’i kushtojë, sepse ka lëshuar një rast të mirë për ta ripozicionuar veten, aty ku mendon se mund të jetë më e fuqishme. Unë nuk di se si zyrtarët e LDK-së dhe PDK-së mund të bashkëqeverisin tani e tutje, nëse ata nuk janë në gjendje ta shikojnë njëri-tjetrin në sy kur flasin. Se është kështu u pa në seancën e Kuvendit të 20 Nëntorit, kur kryeministri mbeti pa tekst para deputetëve të LDK-së.
Një politikan apo udhëheqje politike për të ushtruar rol aktiv dhe të rëndësishëm në shoqëri, ka nevojë për dy gjëra specifike, si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga forma. Së pari duhet të ketë “kompetenca profesionale, njohuri për esencën dhe përmbajtjen e politikës” dhe së dyti, duhet të kenë “aftësi për të shkaktuar mirëbesim në personalitetin vetjak dhe në qëndrimet vetjake politike”. As njëra dhe as tjetra nuk ka ndodhur as nga LDK-ja dhe as nga PDK-ja. Udhëheqjes së të dy partive kësaj radhe u ka munguar njohuria dhe një aftësi e veçantë, si bazë për marrjen e vendimeve më të mira, me këtë edhe ushtrimin e një politike efektive, që do të lehtësonte dialogun politik, do të siguronte legjitimitet mbi veprimet politike, të cilat shkojnë drejt niveleve më të larta të përkrahjes për strategjitë e tyre politike, e të cilat do të ndiqeshin dhe përkraheshin nga politikanë të tjerë në Kosovë dhe shoqëria në përgjithësi.
(Autori ka magjistruar për politikë të jashtme, punon si gazetar)