Site icon Telegrafi

Pse Australia merr pjesë në Eurovision dhe çka ndodh nëse e fiton festivalin evropian?

Pas shkuarjes në fazën finale të Eurovizionit të përfaqësuesit australian, Kate Miller-Heidke, filloi debati në internet se pse Australia merr pjesë në një festival evropian të muzikës.

Australia ka marrë pjesë në garën më të famshme muzikore që nga viti 2015, kur morri pjesë në finale me rastin e 60 vjetorit të garës. Australia është i vetmi vend jashtë Euroazisë që merr pjesë në konkurs, përveç Marokut, i cili u shfaq fillimisht në vitin 1980.

Arsyeja më e madhe për pjesëmarrjen e Australisë në Eurosong është popullaritet i madh i festivalit që ka në atë vend.

Televizioni shtetëror australian transmeton Eurosongun që nga viti 1983 dhe pas transmetimit të parë, deri më sot, popullariteti nuk ka rënë dhe një pjesë e madhe e popullsisë së Australisë vjen nga Evropa, veçanërisht nga Britania e Madhe. Përveç garave vjetore, SBS gjithashtu transmeton jubileun e 50-të dhe 60-të vjetorit të Eurovisionit.

Australianët kanë marrë pjesë në mënyra të ndryshme në Eurosong gjatë dekadave të fundit – si interpretues që përfaqësonin shtete të tjera ose autorë këngësh.

Që nga viti 2010, SBS ka lejuar votuesit e Australisë të votojnë për fituesit, por këto vota nuk u numëruan sikurse shteteve pjesëmarrëse.

Australia për herë të parë pati përfaqësues në vitin 2012 në Baku të Azerbajxhanit dhe në vitin 2015 Australia u bë pjesë e EBU-së gjersa televizioni austriak ORF, i cili ishte organizator i garës së atij viti, ka lejuar këtë vend të merr pjesë në festival.

Për të mos zvogëluar shanset e gjysmëfinalistëve të tjerë, përfaqësuesi australian, Guy Sebastian u vendos drejtpërdrejt në finale dhe përfundoi i pesti. Për shkak të arritjes së shkëlqyeshme, Australia kërkoi të merrte pjesë në Eurosongun e ardhshëm të vitit 2016, kur Dami Im pothuajse fitoi duke përfunduar e dyta.

Kjo është e pesta herë në të cilën Australia po merr pjesë në Eurosong. Nëse një përfaqësues i Australisë fiton, konkurrenca nuk do të shkojë në një kontinent tjetër.

Në këtë rast, Australia do të organizonte Eurosongun në një nga vendet anëtare të EBU-së, ku preferencat e para janë Gjermania dhe Britania e Madhe.

Ndryshe, sonte është nata e dytë gjysmëfinale dhe Shqipëria do të përfaqësohet me Jonida Maliqin me këngën, “Ktheju Tokës”. /Telegrafi/

Exit mobile version