Megjithëse nuk ishte aktive në muzikë që prej 10 vjetësh, Adea Pula është një ndër fytyrat më të dashura për publikun që nga koha kur ishte fëmijë.
Para pak ditësh, këngëtarja ka befasuar publikun duke publikuar një “cover” të këngës ‘And I’m telling you’ të Jennifer Hudson.
Në një bisedë për Telegrafin, këngëtarja tha se ky “cover” shënon rikthimin e saj në muzikë.
“Ky ‘cover’ mund të konsiderohet si një rikthim i imi në estradën kosovare, pas një pauze shumë të gjatë. Zgjodha të vija me ‘cover’ deri në realizimin e këngës sime të re, sepse gjithmonë më kanë pëlqyer këngë të tilla ku unë mund të shpreh talentin tim”, tha Adea, e cila paralajmëroi se rikthimin e vërtetë do ta bëjë me një këngë në gjuhën shqipe.
“Unë do të rikthehem me një këngë timen, por ashtu siç nuk paralajmërova për lansimin e këtij ‘coveri’, ashtu edhe kënga ime e re do të lansohet në këtë mënyrë”, shtoi këngëtarja duke dashur që data e publikimit të mbetet befasi. /Telegrafi/