Telegrafi

PSD: Të krijohet Banka për zhvillim

Gëzim Kasapolli zëdhënës në PSD ka vlerësuar se Banka për zhvillim apo Agrobanka me sukses do të implementonte projekte në bujqësi dhe industri ushqimore .

“Numri më i madh i ndërmarrjeve të vogla janë të themeluara në funksion të shitjes me pakicë dhe të sektorit të ofrimit të shërbimeve. Në fushën e prodhimit, kryesisht janë në bashkëpunim me ndërmarrjet e mesme si dhe me kompanitë e mëdha. Ato kanë shkallë të lartë të fleksibilitet në treg dhe janë shpesh burim inovacioni dhe si të tilla kontribuojnë në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik”.

Sipas tij, ndërmarrjet e vogla kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin rajonal dhe lokal të vendit dhe shpesh janë burimi kryesor i punësimit të ri.

“Nga ana tjetër biznesi i vogël mund të ketë një rol të rëndësishëm në tregtinë e jashtme të vendit si një kooperator me kompanitë e mëdha dhe kompani shumëkombëshe”.

Socialdemokratët kanë vlerësuar se, themelues i kësaj banke do të duhej të ishte Qeveria e Republikës së Kosovës.

“Kapitali fillestar i kësaj banke do të ishte përqindja e caktuar p.sh. 20% nga suficiti i Buxhetit të Kosovës, i cili është duke qëndruar në bankat e huaja jashtë Kosovës ose është depozituar në Bankën Qendrore të Kosovës”.

Gjatë kësaj konference të mbajtur për shtyp gjithashtu është vlerësuar se, duhet të merret në konsideratë që edhe mjetet të cilat janë të dedikuara në rast të ndikimit më të madh të krizës ekonomike globale në Kosovë për vitin 2009 (200 mil euro), në rast se nuk do të përdoreshin atëherë një përqindje e caktuar të drejtohej në fond të kësaj banke. /Telegrafi/