Telegrafi

PSD sot në protestë, në kundërshtim të marrëveshjes së Ohrit

Partia Socialdemokrate sot do të mbajë një protestë në Prishtinë për të kundërshtuar marrëveshjen e Ohrit, pasi sipas kësaj partie se kjo marrëveshje është pa mbështetje politike, pa legjitimitet e me shumë kundërshtime popullore.

Protesta do të fillojë nga ora 14:00 në sheshin ‘Zahir Pajatazi’, ndërsa bina do të jetë e vendosur në oborrin e qeverisë, përkatësisht hyrja e lartë e zyrtarëve të qeverisë, kanë thënë zyrtar të PSD.

Kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, ka thënë se Kosova pas kësaj marrëveshje nuk ka marr siguri se do ta njohin pesë vendet anëtare të BE-së, ose ndonjë garanci për anëtarësim në NATO.

“Tani që jemi thuaja që një javë nga dakordimi i Ohrit, ajo që mund të konstatohet me bindje të plotë është se kemi një marrëveshje, e cila është pa mbështetje politike nuk ka legjitimitet. Për më shumë ka kundërshtim popullor. Siç e keni parë edhe qeveria me zor e ka mbrojt këtë marrëveshje sepse është ndjerë në faj gjatë gjithë kohës për një degradim të tillë çfarë i ka ndodhur Kosovës në procesin dialogues”, ka thënë Molliqaj.

Sipas tij, Qeveria është ndjerë në faj gjatë gjithë kohës për një degradim të tillë.

“Ajo që dihet tashmë është kjo: pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës nuk ka asnjë indicie që do ta njohin shtetin e Kosovës. Asnjë garancë asnjë premtim vendor ose ndërkombëtarë për anëtarësim në NATO. As NATO nuk është në horizont. Aq më pak dhe gjithnjë më e qartë njohja nga Serbia, jo vetëm që nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje, por Kosova me vullnetin e kryeministrit të Kosovës ka hequr dorë t’ia kërkojë njohjen Serbisë. Ajo që po ndodh në këto dy dokumente, që përbën një marrëveshje, është se Kosova merr vetëm obligime karshi BE-së dhe Serbisë dhe nuk përfiton thuaja asgjë”, tha Molliqaj.

Sipas tij, mbi 75 për qind e qytetarëve janë kundër kësaj marrëveshje.

“Kosova me këtë marrëveshje do të ketë Asociacion. Rreziku i saj është që do të ketë autonomi për veriun e Kosovës. Prandaj besojmë që është jashtëzakonisht jetike dhe e rëndësishme për demokracinë e Kosovës, që kjo qeveri të ndalet në këtë drejtim, të detyrohet nga presioni qytetar dhe edhe një herë të ri-legjitimohen forcat politike karshi zhvillimeve që kanë ndodhur”, u shpreh Molliqaj, derisa kërkoi edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Tutje ai potencoi se protestën e tyre e kanë mbështetur NISMA për Kosovën, OVL-UÇK si dhe shumë gazetarë, opinionistë, politikanë.

“Protesta do të fillojë nga ora 14:00 në sheshin ‘Zahir Pajatazi’, ndërsa bina do të jetë e vendosur në oborrin e qeverisë, përkatësisht hyrja e lartë e zyrtarëve të qeverisë. Pra, ky është skenari”, është shprehur Molliqaj. /Telegrafi/