PSD ka reaguar pasi sot u arrestuan kryetari Dardan Molliqaj dhe zyrtarë të tjerë të PSD-së.
PSD thotë se ata vetëm kanë kërkuar transparencë për procesin e ngritjes së çmimit të energjisë.
“Protesta e jonë sot pranë zyrave të ZRrE-së kishte vetëm një qëllim – që vendimi përmes së cilit është bërë rritja enorme e faturave të energjisë elektrike të bëhej publik. Përderisa çmimin e lartë e të papërballueshëm për shumicën e qytetarëve të Kosovës na e kanë treguar menjëherë, shumë prej çështjeve dhe rrethanave që lidhen me këtë vendim qëndrojnë të panjohura, përfshirë këtu edhe vet vendimin”.
“Protesta jonë e sotme ishte kërkesë për transparencë. Kjo mungesë transparence po minon çdo mundësi që t’i kundërvihemi padrejtësisë sociale të tarifave të reja të energjisë. Për më tepër, mospublikimi i këtij vendimi bie ndesh edhe me legjislacionin në fuqi”.
PSD ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve të saj, pasi sipas tyre askush nuk mund të ndalojë të drejtën për të protestuar.
“PSD kërkon lirimin e menjëhershëm të aktivistëve të saj, përfshirë edhe Kryetarin e saj, z. Dardan Molliqaj. Arrestimi i tyre përbën një veprim që kundërshton të drejtën për të protestuar dhe kërkuar që vendimet që na prekin të gjithëve të mos qëndrojnë të fshehura publiku. Përdorimi i dhunës së shtetit në shërbim të fshehjes së dokumenteve publike është një tregues i natyrës së pushtetit që sot është vendosur në vend”.
“Kjo çështje na prek të gjithëve e sidomos ata që kanë pak. Andaj edhe kundërshtimi është i drejtë”, thuhet tutje në njoftimin e PSD-së./Telegrafi/