Telegrafi

PSD: Marrëveshja për Energjinë është avancim i autonomisë së veriut

Partia Socialdemokrate (PSD) ka reaguar pas arritjes së Marrëveshjes për Energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se është avancim i autonomisë së veriut.

PSD përmes reagimit bëjnë të ditur se asnjë marrëveshje që ka në qendër paqen mes popujve nuk lejon krijimin e entiteteve autonome në hapësirën shtetërore të një vendi tjetër.

“Koordinata kristal e qartë. Marrëveshja për energjinë është avancim i autonomisë së Veriut. Udhërrëfyesi për energjinë na tregoi udhën që ky dialog po e ndjekë. Koordinatat e një marrëveshjeje përfundimtare tashmë kanë dal në sipërfaqe. Nuk la vend për hamendje e spekulime. As për interpretime. Ajo çka dihet është që asnjë marrëveshje që ka në qendër paqen mes popujve nuk lejon krijimin e entiteteve autonome në hapësirën shtetërore të një vendi tjetër. Asociacioni i komunave me shumicë serbe e ka thelbin tek kjo natyrë politike”, thuhet në reagim duke shtuar se “Përjetësimi i konfliktit është ushqim për politikanët autoritar si Kurti e Vuçiq”, thuhet në reagim.

Sipas PSD-së, përmes kësaj marrëveshjeje Kurti po institucionalizon statusin e veçantë të komunave veriore të Kosovës.

“Kemi thënë në krye të herës që Kurti është vazhdimësi e marrëveshjeve të pjesshme, të cilat vizatojnë hartën e Kosovës mbi baza etnike. Përmes kësaj marrëveshjeje Kurti po institucionalizon statusin e veçantë të komunave veriore të Kosovës. Ai po kujdeset që marrëveshjet që dikur mbetën vetëm tekste pa fuqi politike, të marrin jetë”, thuhet tutje në reagim.

Pushtetit të ri sipas PSD-së, iu dasht pak kohë për ta rrëzuar tërë ligjërimin e ndërtuar ndaj kësaj qasjeje dhe kësaj përmbajtjeje që sot e firmosi.

“Përderisa procesi i kaluar negociator e kishte si qasje politike arritjen e marrëveshjeve përmes pjesëve të ndryshme. Procesi i tanishëm në krye me Kurtin ka si strategji këtë qasje: marrëveshjet për tema të veçanta si arritje më e lehtë dhe disi e padallueshme e perfide e marrëveshjes finale, pa u dalluar efektet aty për aty. Ky është popullizmi. Ky është rreziku. Pushtetit të ri iu dasht pak kohë për ta rrëzuar tërë ligjërimin e ndërtuar pikërisht ndaj kësaj qasjeje dhe kësaj përmbajtjeje që sot e firmosi. Nënshkrimi i Qeverisë së Kosovës nuk na përfaqëson”, thuhet ndër të tjera në reagimin e PSD-së. /Telegrafi/