Nënkryetari dhe anëtari i kryesisë së Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri dhe Dardan Molliqaj, kanë përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes midis qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, për heqjen e tarifave të roamingut dhe për bashkim doganor.
Duke kërkuar zbatimin sa më të shpejtë të këtyre marrëveshjeve, Visar Ymeri rikujtoi në konferencën për media, se ishte Grupi Parlamentar i Partisë Socialdemokrate që i kishte inicuar këto rezoluta në kuvendin republikan, gjatë pjesës së parë të këtij viti.
Nënkryetari i PSD-së sqaroi se marrëveshja për bashkim doganor mundëson përbashkimin e kontrollave doganore për mallrat që hyjnë nga vendet e treta në dy tregjet respektive, si dhe heqjen e barrierave tarifore për mallrat që kanë Kosovën dhe Shqipërinë për vend të prejardhjes.
“Ky është një hap i mirë drejt asaj të domosdoshmes. E domosdoshmja është që të unifikohen plotësisht këto dy tregje, në mënyrë që ta kemi zbatimin e parimit ‘një treg’ mes Kosovës dhe Shqipërisë, që është zbatuar tash e një kohë brenda Bashkimit Evropian”, theksoi Visar Ymeri, duke shtuar se duke qenë treg më i madh, bëhemi më atraktivë për investimet e huaja direkte, rritet vëllimi i këmbimeve ekonomike të mallrave që përkthehet në mirëqenie të qytetarëve dhe mundësohet krijimi i ekonomisë në shkallë.
Kurse, Dardan Molliqaj pohoi se fakti që dy prej rezolutave të Partisë Socialdemokrate janë shndërruar në marrëveshje ndërqeveritare dhe se do të shndërrohen në ligje, dëshmon se ato ishin nisma të duhura dhe në kohën e duhur.
“Praktikë e re në punën e grupeve parlamentare është se jo vetëm që e kemi mbikëqyrur procesin e të gjitha nismave tona parlamentare, por edhe që kemi vazhduar me aktivitete shtesë për jetësimin e tyre, pas miratimit të tyre në kuvend”, ka theksuar anëtari i kryesisë së PSD-së, duke shpjeguar se kanë vepruar vazhdimisht për jetësimin e rezolutave për heqjen e tarifave të roamingut dhe për bashkim doganor, në institucionet përgjegjëse në Prishtinë dhe në Tiranë. /Telegrafi/