Telegrafi

PSD kërkon që marrëveshjet e fundit me Serbinë të bëhen publike

Partia Socialdemokrate, ka kërkuar që të bëhen publike dy marrëveshjet e arritura me Serbinë, ajo për hekurudhat dhe për autostradat.

Sekretari i PSD-së, Nol Nushi, ka thënë para mediave se sot kanë ushtruar kërkesë për realizimin e një të drejte qytetare, transmeton Telegrafi.

“Sot kemi ushtruar kërkesë për realizimin e një të drejte qytetare. Kemi parashtruar kërkesë që përbën çështjet e interesit publik. Sot janë bërë 20 ditë që prej se janë nënshkruar dy marrëveshje me Serbinë. Është fjala për marrëveshjen për hekurudhat dhe atë për autostradat. Përveç ceremonisë së nënshkrimit që e kemi parë përmes medieve, askush nuk di gjë për to. Qeveria po i privon qytetarët nga e drejta për t’u informuar. Marrëveshjet janë nënshkruar më 14 shkurt, pra në kohën e Qeverisë Kurti. Publikimi i tyre shtron natyrshëm pyetjen mbi përmbajtjen e tyre”, ka pohuar Nushi.

Ai ka deklaruar se Qeveria nuk po i publikon marrëveshjet sepse sipas tij, nuk kanë guxim të mbajnë asnjë qëndrim për to.

“Duke i mbajtur të fshehta ato, Qeveria po e shkel ligjin. E drejta për qasje në dokumentet publike është një e drejtë e garantuar. Ajo garantohet nga Neni 41 i Kushtetutës dhe nga Ligji NR.06/L-081 Për Qasje në Dokumentet Publike. Censura është praktikë jo demokratike dhe shkelje e ligjit. Kryeministri Kurti dhe ministri Abdixhiku duhet të përgjigjen për këtë. Kohëve të fundit kryeministrin e kemi parë në rolin e gazetarit hulumtues duke publikuar dokumente të vitit 2013. Por, për t’u bërë kredibil, ai duhet t’i zbardh dhe të na tregojë nëse është dakord me marrëveshjet e nënshkruara para 3 javësh”, ka thënë Nushi./ Telegrafi/