Deputeti i PSD-së, Visar Ymeri ka paraqitur në Kuvendin e Kosovës, rezolutën lidhur me procesin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.
Ymeri ka vlerësuar se procesi i dialogut ka nevojë të ri-dizajnohet dhe se aktualisht presidenti i vendit, Hashim Thaqi, është duke zhvilluar bisedimet pa përgatitje dhe pa asnjë diskutim publik.
” Dhe në vend se ta vemi gishtin në kokë dhe ta marrim seriozisht këtë situatë ku gjendemi, në vend se ta diskutojmë e ta ridisejnojmë dialogun, vendimmarrjen në të, vijat e kuqe për të, temat që i flasim e ato që nuk i flasim, krerët institucional e quajnë riformatim bartjen e dialogut nga ekzekutivi të presidenca. Thua ti ky paska qenë problemi. Se Hashim Thaçi si kryeministër paska negociuar keq, por tash si President do të negociojë mirë”, ka thënë Ymeri.
Ai ka shtuar se është tejet e rëndësishme që Kuvendi të marrë përsipër dialogun, që Kuvendi të miratojë platformën strategjike e t’i ritheksoj vijat e kuqe, duke i ravijëzuar qartë edhe temat për të cilat nuk flasim fare.
Ymeri pastaj prezantoi katër pikat e rezolutës në lidhje me dialogun.
1. Partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës dakordohen që përgjegjësia fundamentale për mbarëvajtjen e procesit të dialogut i takon Kuvendit të Republikës, duke qenë organi më i lartë legjislativ e vendimmarrës në vend;
2. Me votë të kualifikuar, me dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve, Kuvendi e miraton Platformën Shtetërore për Dialogun e cila do të shërbejë si dokument bazë i parimeve themeltare dhe të pozicioneve shtetërore në këtë proces të rëndësishëm;
3. Me votë të kualifikuar, me dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve, Kuvendi e mandaton bartësin/t e dialogut. I/të mandatuarit mbahen përgjegjës nga Kuvendi përgjatë secilës fazë të dialogut, dhe marrin vendime vetëm në dakordancë të plotë me të. Kuvendi i Republikës së Kosovës ruan të drejtën e shkarkimit të bartësit/ve kurdo që vlerëson se janë shkelur parimet themeltare të Platformës dhe kur procesi rrezikon të dalë jashtë kornizave të saj;
4. Kuvendi i Republikës, në pajtim me Nenin 69 paragrafi 1 i Rregullores së Kuvendit e themelon një Komision të veçantë që do ta monitorojë për së afërmi procesin e dialogut. Ky Komision do të jetë përgjegjës që ta njoftojë Kryesinë e Kuvendit dhe Seancën Kuvendore për çdo zhvillim në procesin e dialogut – e po ashtu të kërkojë debate të rregullta parlamentare gjatë kohëzgjatjes së tij. Komisioni për Mbikëqyrjen e Dialogut do të drejtohet nga Opozita parlamentare kurse përbërja e tij do të caktohet sipas formulës së përdorur në komisionet e rregullta të Kuvendit. /Telegrafi/