Site icon Telegrafi

PSD-ja dorëzon para Qeverisë së Kosovës peticionin për marrëveshjet që LVV-ja dikur i kundërshtonte

Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) me anë të një aksioni para Qeverisë ka dorëzuar peticionin e vitit 2015, me të cilin ishin kundërshtuar marrëveshjet e arritura me Serbinë.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj deklaron se këto marrëveshje janë po të njëjtat që dikur Lëvizja Vetëvendosje i kundërshtonte.

“Mbani mend peticionin më të madh në Kosovë që ka ndodhur ndonjëherë? Sigurisht që po. Ti që sot po e sheh këtë peticion, që e kemi risjellur në formë aksioni, të kujtohet vetja duke e nënshkruar. Në vitin 2015, u mblodhën mbi 200,000 nënshkrime për të kundërshtuar 4 marrëveshjet e arritura me Serbinë: Asociacioni i komunave me shumicë serbe, barrikadimin në urën e Ibrit në Mitrovicë, kodin telefonik shtetëror si dhe marrëveshjen e energjisë. Aty shkruhej qartë: ‘Këto marrëveshje nuk i përfaqësojnë interesat e qytetarëve të Kosovës…’, ‘Qytetarët e Kosovës nuk ia kanë dhënë mandatin Qeverisë së Kosovës që të pranojë marrëveshje të tilla’”, shkruan Molliqaj.

Sipas tij, ky vullnet i dikurshëm politik ishte edhe i kryeministrit aktual Albin Kurti, por që tashmë është zhvendosur.

“Ky vullnet politik dikur ishte edhe i Kurtit. Vërtetohet lehtë; në këtë peticion ka nënshkruar me dorën e vet. Sot, ky vullnet është zhvendosur. Paradigma e mëhershme e dialogut Kosovë-Serbi është pranuar në tërësinë e saj. Marrëveshja e dëmshme për energjinë u nënshkrua. Ajo është problematike për dy arsye: Së pari sepse ka hapur rrugën që veriu i Kosovës të trajtohet ndryshe nga pjesa tjetër e Kosovës, dhe së dyti kjo marrëveshje është sinjal i qartë që edhe marrëveshjet e tjera do të pranohen, duke përfshirë edhe atë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thekson ai.

Molliqaj shton se nuk është e mjaftueshme nxjerrja e hipokrizisë.

“Nxjerrja e hipokrizisë nuk mjafton. Kritika e jonë është ndaj dëmit që kjo qeveri po sjell. Me pranimin e kornizës së vjetër të dialogut, e për pasojë edhe të marrëveshjeve të arritura, Kosova po ndahet në vija etnike, duke përjetësuar konflikt e konservuar ndarje. Kjo kornizë nuk ka sjell marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse sepse fokusin e ka pasur partikular e të pjesshëm. Dhe në këtë kohë, marrëveshja përfundimtare që sjell paqen e përhershme në mes të dy vendeve është më e nevojshme se kurrë”, shton ai.

Në fund, kreu i PSD-së thotë se Kurti dhe qeverisja e tij nuk kanë mandat për të bërë marrëveshje që ndajnë Kosovën.

“Kurti dhe qeverisja e tij nuk kanë mandat për të bërë marrëveshje që ndajnë Kosovën. Çfarëdo marrëveshje e pjesshme nuk çon tek marrëveshja përfundimtare; çfarëdo marrëveshje e pjesshme nuk mund të sjell paqe të përhershme në mes të dy vendeve. Prandaj, pos që janë gabim, janë edhe të dëmshme dhe të rrezikshme”, përfundon Molliqaj. /Telegrafi/

Exit mobile version