Projektbuxheti për vitin 2019 pritet që të votohet në lexim të dytë gjatë këtij muaji. Drejtuesit e Qeverisë së Kosovës janë shprehur optimist se këtë muaj Kosova do ta ketë edhe buxhetin e ndarë për këtë vit.
Por, pavarësisht optimizmit të Qeverisë, partitë opozitare duket se do ta zvarrisin edhe më shumë këtë proces.
Kujtojmë se në leximin e parë kur edhe kaloi Projektbuxheti për vitin 2019, dy partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk e mbështeten, ndërkaq Partia Socialdemokrate i dha një mbështetje të kushtëzuar.
Madje kalimi në lexim të dytë do të varet pikërisht nga PSD-ja, e cila ka thënë se do ta votojë buxhetin në rast se i plotësohen pesë kërkesat e paraqitura si kusht që koalicioni qeverisës t’i ketë votat e tyre për miratim të Projektbuxhetit për vitin 2019.
Në kërkesat e PSD-së kërkohet që Ligji për pagat të miratohet në lexim të dytë së bashku me leximin e dytë të projektbuxhetit, me theks të veçantë në kërkesat e sektorit të shëndetësisë, Ligji për dialogun të miratohet në Qeveri dhe të dërgohet në Kuvend, Ligji për Qeverinë të sillet në Kuvend për miratim në një afat prej tre muajve, pastaj kërkohet funksionalizimi i plotë i Ministrisë së Bujqësisë dhe lirimi nga detyra i ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo si dhe i tërhiqet vërejtja Qeverisë se projektbuxheti është i ngarkuar së tepërmi me skema sociale e beneficione pensionale.
PSD insiston se pa plotësimin e këtyre kërkesave nuk do të ketë votim të buxhetit nga ana e tyre. Kështu ka deklaruar për Telegrafin, zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi.
“Kërkesat tona do të realizohen dhe vetëm atëherë do të ketë votim të buxhetit”, ka thënë shkurt Kuçi.
Projektligji për buxhetin e vitit 2019 është votuar në lexim të parë nga deputetët e Kuvendit në fund të vitit 2018.
Buxheti i Kosovës për vitin 2019, sipas projektimit aktual, pritet që të arrijë vlerën 2.3 miliardë euro. Nga kjo shifër, rreth 770 milionë euro janë paraparë për investime kapitale. /Telegrafi/