PSD dhe koalicioni qeverisës besojnë së ligji për dialog do të marr votat e mjaftueshme për miratim edhe në lexim të dytë. Nga Partia Social Demokrate theksojnë së ky ligj do të shkojë në Kuvend në seancën e ardhshme e që sipas tyre do ta ketë edhe mbështetjen e koalicionit qeverisës.
Ligji për dialogun, i cili është kërkuar nga PSD-ja edhe si njëri ndër kushtet e kësaj partie për të votuar buxhetin për vitin 2019, kishte kaluar në lexim të parë në dhjetor të vitit të kaluar.
Deputeti i Partisë Social Demokrate, Faton Topalli, thotë se në seancën e ardhshme do të procedohet të Kuvend për miratim edhe në lexim të dytë.
“Ligji për Dialogun do të vjen ne Kuvend seancën e ardhshme, kjo është e sigurt. Platforma për dialogun nuk është votuar në Komision sepse ka pasur mungesë kuorumi kështu që ajo vjen si platformë në Kuvend pa miratimin e Komisionit për Politikë të Jashtme”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Faton Topalli.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, nga koalicioni qeverisës beson se ky ligj do të kalojë në Kuvend.
“Patjetër se jemi për këtë Ligj, pasi kompleton bazën me të cilën ekipi e Kosovës shkon në dialog. Jam i bindur se deputetët do ta votojnë sepse ka të bëj me një interes nacional dhe shtetëror të Kosovës”, deklaroi Ahmet Isufi.
Por, njohësi i zhvillimeve politike, Fisnik Halimi thotë se ligji për dialog nuk do të duhej të shkonte fare në Kuvend.
“Ai ligj thjeshtë është i keq, që nuk do të duhej të shkonte në Parlament fare sepse është jashtë kontekstit të politikës reale që po zhvillohet çdo ditë…”, tha Fisnik Halimi.
Lëvizja Vetëvendosje si dhe LDK-ja janë dy partitë opozitare që nuk e votuan ligjin në lexim të parë./RTV Dukagjini/Telegrafi/