Partia Socialdemokrate përmes një reagimi për media ka shprehur zhgënjimin e saj për mos anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.
PSD ka theksuar se bllokimi i Kosovës për anëtarësim në INTERPOL i shërben fuqizimit të krimit dhe përkeqëson sigurinë rajonale e globale.
“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Interpol është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm. Atë nuk mund ta ndalin “fitoret e Pirros” të Qeverisë së Serbisë. Fushata agresive e Qeverisë së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol dëshmon dështimin e dialogut të deritanishëm midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në reagimin për media të PSD-së.
Reagimi i plotë:
Partia Socialdemokrate shpreh zhgënjimin e saj për mosmbështetjen e mjaftueshme të kërkesës së Republikës së Kosovës për anëtarësim në Interpol, sot në Dubai.
Bllokimi i Kosovës për anëtarësim në Interpol i shërben fuqizimit të krimit dhe përkeqëson sigurinë rajonale e globale. Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Interpol është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm. Atë nuk mund ta ndalin “fitoret e Pirros” të Qeverisë së Serbisë.
Fushata agresive e Qeverisë së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol dëshmon dështimin e dialogut të deritanishëm midis Kosovës dhe Serbisë. Ngjarja e sotme duhet të shërbejë si leksion për pushtetin, që të bashkërendohet me opozitën, për ta rikonfiguruar sa më parë dialogun me Serbinë. Dialogu i drejtuar nga Presidenti Thaçi po e bën Serbinë çdo ditë e më shumë agresive kundrejt Kosovës.
Nga ana tjetër, Partia Socialdemokrate kërkon përgjegjësi dhe llogaridhënie politike e profesionale, nga ana e Qeverisë dhe Ministrisë së Jashtme të Republikës së Kosovës, lidhur me dështimin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol. /Telegrafi/