Kryetari i Partisë Socialdemokrate Shpend Ahmeti, bashkë me nënkryetarin Qëndron Kastrati dhe kryetarin e Grupit Parlamentar Dardan Sejdiun kanë pritur sot në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, me të cilin kanë biseduar për gjendjen politike në vend dhe dialogun me Serbinë.
Duke falënderuar shtetin italian për kontributin në shtetndërtimin e Kosovës, përfaqësuesit e PSD-së theksuan domosdoshmërinë për konsensus rreth dialogut.
Me këtë rast u rishpreh qëndrimi i PSD-së, se bartës i procesit të dialogut me Serbinë duhet të jetë Kuvendi i Kosovës, e jo presidenti Hashim Thaçi dhe ekipi negociues i Qeverisë së Kosovës të cilët, sipas kësaj partie, nuk kanë legjitimitet për të negociuar.
Drejtuesit e PSD-së po ashtu shprehën nevojën për hartimin e Platformës Shtetërore të Dialogut dhe miratimin e saj përmes shumicës së kualifikuar në Kuvend, si parakusht për themelimin e ekipit gjithëpërfshirës negociues./Telegrafi/