Partia Socialdemokrate ka mbajtur një aksion simbolik para ndërtesës së Qeveri dhe Kuvendit të Kosovës në lidhje me situatën në veri dhe procesin e dialogut.
PSD thekson se tensioni deri në situatë të jashtëzakonshme është racionalja e re e dialogut.
“Tensioni deri në situatë të jashtëzakonshme është racionalja e re e dialogut. Është mënyra e re e koncesioneve. Kur kompromisi bëhet nën tension nuk flitet më për lëshimet, por për rrezikun që i shpëtuam”, theksuan nga PSDK.
“Si matet suksesi i ndërhyrjes policore? Me elektrizim të situatës, me likes dhe me sharje në facebook, apo me përmbajtje më të mirë në marrëveshjet e arritura.
Më 21 nëntor rreth çështjes së targave tensioni tejkaloi kufijtë deri në eskalim. Polici, heronj, sovranitet – dokrra. Më 23 kemi nënshkruar marrëveshje edhe më të dobët sesa ajo e para 2 ditëve. Pas gjithë atij tensioni, në marrëveshjen që nënshkroi Bislimi, e pranuam shtyrjen pa afat të targave, por edhe Asociacionin.
E njëjta gjë ndodhi me zgjedhjet në Veri. Konjufca në Prishtinë fliste për shtyrjen e zgjedhjeve, ndërkohë në Veri me armë zjarri u plagos polici Ekrem Neziri. Nëse zgjedhjet u shtynë, kujt i shërbeu tensionimi. Kryeministrit sigurisht”, thanë nga Partia Socialdemokrate.
“Tensionet kaotike, joserioze dhe të pamenduara në veri e kanë pasur edhe një efekt. Nëse veriun e vendit e trajton vetëm me hekur dhe kërbaç, ky është argument për formimin e Asociacionin. Kjo mënyrë e Qeverisë e ka unifikuar bashkësinë ndërkombëtare me Serbinë. Tensionet në veri po shërbejnë si katalizator për Asociacionin”, u shprehën nga PSD-ja. /Telegrafi/