Partia Socialdemokrate përmes një aksioni simbolik ka kritikuar për nepotizëm Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti, duke e emëruar një rrugë me emrin “Rruga e dajës së VETËVENDOSJE-s”.
Ky aksion është zhvilluar pasi në media është përfolur për një aferë korruptive në Ministrinë e Infrastrukturës të udhëhequr nga Liburn Aliu.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se partia në pushtet po e grabitë pastër pasurinë publike.
“’Daja është emri nepotist i kapitalizmit grabitqar. Problem aq sa vetë fenomeni është shpjegimi i tij. Përqendrimi i vëmendjes ka qenë tek afërsia familjare me njerëzit e pushtetit, dhe sidomos kërkesa për ta gjetur me çdo kusht zyrtarin e korruptuar”.
Ai tutje ka thënë se “kjo përhumbje te daja, tezja ose zyrtari i korruptuar ka lënë jashtë vëmendjes operacionin strukturor: ndikimi i bizneseve të mëdha në institucionet e shtetit”.
“Një klasë e tërë pasunarësh është majmur me miliona nga lejet, licencat e tenderët publik. Akumulimi i tyre është grabitje e pastër e pasurisë publike. Paratë dëgjuam se po përmenden midis kompanive private, puna është kryer në shtet”./Telegrafi/