Aktivistët e Partisë Socialdemokrate kanë mbajtur një aksion para Qeverisë së Kosovës, duke kundërshtuar draft-statutin për Asociacion.
Aktivistët kanë zëvendësuar flamurin e Kosovës, me një improvizim të një flamuri me dy yje dhe një pjesë e territorit me ngjyrë të bardhë, transmeton Telegrafi.
Gjatë aksionit, ata janë konfrontuar edhe me Policinë e Kosovës.
Kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj ka thënë se drafti i Asociacionit i pranuar nga kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në thelb, e zhbën 17 shkurtin.
“E zhbën Republikën si koncept, ku qytetarët janë të barabartë, tani zhduket barazia. Nga sot edhe flamuri i Kosovës nuk mund të jetë i njëjti. Nga sot flamuri i Kosovës i ka vetëm dy yje. Kemi themeluar një konfederatë të brendshme mes shqiptarëve dhe serbëve, pa pajtimin qytetar”, ka thënë ai.
Molliqaj tha se kryeministri Kurti ka pranuar ndarjen në etni, atë shqiptare dhe serbe.
“Pra, nga republika qytetare tani në republikë që ndahet në etni, përmes këtij draft-statuti janë bërë edhe kufij të brendshëm”, tha ai.
Molliqaj paralajmëroi edhe aksione e protesta tjera kundër Asociacionit. /Telegrafi/