Partia Socialdemokrate (PSD), mbrëmjen e së mërkurës, pas filimit të orës policore ka zhvilluar një aksion simbolik në afërsi të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, për të kundërshtuar masat antiCOVID të marra nga institucionet.
Në këtë aksion, PSD-ja e ka quajtur ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia “Dr.Hipokriti”.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha pas këtij aksioni se Qeveria Kurti nuk e ka prioritet mirëqenien e qytetarëve por e ka prioritet pushtetin.
Ai theksoi se nuk i kundërshtojnë të gjitha masat, por konkretisht orën policore, pasi sipas tyre kjo është një masë shabllon.
“Ajo që shprehim këtu është që ne nuk jemi kundër masave të qeverisë në tërësi, por njëra nga masat që e kundërshtojmë është ora policore. Kjo masë është shabllon dhe jemi kundër”, ka thënë Molliqaj.
Tutje, Molliqaj ka thënë se marrja e masave nuk e ka pasur për prioritet qytetarin e Kosovës.
“Kjo Qeveri mori masat vetëm pasi u zgjodh presidentja. Kjo qeveri e ka pasur pritoritetin numër dy në pandemi. Duhet të bëheshin dy javë që të merreshin masa. Jo rastësisht një ditë pasi u zgjodh presidentja që të marrë masa. Kjo tregon se qeveria Kurti e ka prioritet pushtetin e jo mirëqenien. Si një Qeveri e majtë, qeveria Kurti nuk e ka prioritet mirëqënien dhe qytetarët janë mbyllur me vendim të ngutur”, tha ai.
Molliqaj tha po ashtu se refuzimi i vaksinave nga Shqipëria është qasje e gabueshme.
“Bota po e ka një qasje tjetër. Bota perëndimore nuk po tregohet solidare dhe po përdorë vaksinat për vete. E qartë është se Kina dhe Rusia po e përdor vaksinën për politikë. Mos harroni se Kurti para zgjedhjeve ia dërgoi një mesazh Ramës, dhe ai duke qenë në garë zgjedhore vetë ia ktheu shpejt pa u menduar. Por kur Kurti u sigurua se nuk po shkojmë në zgjedhje mori vendim që mos të marrim vaksina”, shtoi Molliqaj. /Telegrafi/