Telegrafi

PS: Thirrja për dialog nuk ndryshon qëndrimin tonë

Në emër të kryetarit të PS-së, anëtarja e Asamblesë, Megi Ajtyreza, tha se opozita është e vendosur kundër regjimit të kusarisë.

“Ne jemi vendosmërisht kundër regjimit të kusarisë dhe matrapazllëkut dhe lufta frontale e Saliut kundër Presidentit, Prokurores së Përgjithshme, Drejtorit të Shërbimit Informativ, gazetarëve kundërshtarë, të gjithë puçistë, tregon në fakt se çfarë marrëzie është vetë përralla e këtij puçi imagjinar”, theksoi ajo.

Ajtyreza shtoi se kryeministri duhet të çojë në burg ata që vranë demonstruesit për t’i hapur rrugë kompromisit.

“Dialogu e kompromisi duan dy palë dhe bëhen mes dy palësh. Ne kemi qenë e jemi gati për dialog në të mirë të vendit dhe për kompromis në interes të shqiptarëve. Por sigurisht ne nuk do të presim kthimin e Saliut nga rruga qorre ku ai ikën përditë, në drejtim plotësisht të paditur”, vijoi Ajtyreza. /Telegrafi/