Exit poll-et pas zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri treguan se Partia Socialiste është në rrugë për të fituar shumicën parlamentare.
Transmetuesi Ora News parashikoi që socialistët e kryeministrit Edi Rama të fitojnë 45-49 për qind të votave – të mjaftueshme për të siguruar shumicën në Parlamentin prej 140 vendesh.
Partia Demokratike, e udhëhequr nga Lulzim Basha, pritet të sigurojë rreth 30 për qind të votave.
Nëse parashikimet dalin të sakta, Rama do të mund të qeverisë i vetëm.
Partneri i deritashëm i koalicionit qeveritar, Lëvizja Socialiste për Integrim, pritet të fitojë rreth 19 prqind të votave.
Edhe pse procesi zgjedhor i 25 qershorit u zhvillua pa probleme të mëdha, pjesëmarrja e votuesve ka qenë e ulët – 44.9 për qind.
Rama, i cili ka shprehur shqetësime për ndikimin rus në Shqipëri, ka thënë se synon të hapë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian deri në fund të këtij viti.
Shqipëria ka fituar statusin e vendit kandidat për BE në vitin 2014, transmeton Rel.