“Bashkimi Europian foli qartë e në të njëjtën linjë me Raportin e fundit të ODIHR, ku theksohej paligjshmëria e vendimmarjes së KQZ më të ashtuquajtura vota “të hedhura gabimisht”. Bashkimi Europian nënvizoi gjithashtu se për shkak të kësaj situate, zgjedhjet nuk përmbushen standardet e njohura ndërkombëtarisht për zgjedhje demokratike. Ky është një hap dramatik pas në rrugën e vështirë të demokratizimit të vendit”, tha zoti Bushati.
Deputeti socialist tha gjithashtu se anullimi i vizitës nga ana e Presidentit të Komisionit Europian Barroso, qendrimet e qarta të BE-së të shprehura nga Baronesha Ashton dhe Komisioneri për Zgjerimin Fule, “tregojnë se Shqiperia në vjeshtë do të humbë një tjetër shans për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, në rast se paligjshmëria që dominon procesin zgjedhor nuk ndalet nga një vendimmarje në përputhje me kuadrin ligjor ekzistues dhe gjetjet e raportit të ODIHR-it”.
“Vendimmarja e paligjshme dhe manipulimi në tavolinë i vullnetit të popullit nga ana e KQZ-së nuk shënon fundin e këtij procesi. Jo vetëm populli shqiptar, por edhe partnerët ndërkombëtarë, sic e kanë deklaruar në vijimësi do të ndjekin nga afër plotësimin e procedurave të apelit dhe publikimin e rezultateve përfundimtare në mënyrë të ndershme, transparente të pavarur dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor ekzistues”, tha ai.
Deputeti socialist tha se opozita bashkohet me “apelin e komunitetit ndërkombëtar që Kolegji Zgjedhor në punën e tij të udhëhiqet nga ligji dhe të mos dorëzohet përballë presioneve të pushtetit”.
“Kolegji Zgjedhor ka detyrimin përpara shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë të vendos drejtësi aty ku katër përfaqësuesit e pushtetit në KQZ shkelën cdo ligj e normë demokratike, duke shpërfillur vullnetin e popullit dhe thirrjet e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian, OSBE-ODIHR dhe të gjithë miqve të Shqipërisë. Kolegji Zgjedhor ka përgjegjësinë historike për t’i rikthyer sovranit dinjitetin dhe Shqipërisë perspektivën Europiane”, tha ai./Telegrafi/