Site icon Telegrafi

PS i kërkon Kuvendit ta përjashtojë Berishën, përgjigjet kryedemokrati

Anila Denaj, në cilësinë e nënkryetares së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, tha se kanë dorëzuar një deklaratë ku kërkojnë përjashtimin e Sali Berishës për gjuhë linçuese dhe fyese ndaj grave deputete.

“Kërkojmë që organet kompetente të përjashtimit të Sali Berishës me afat maksimal të parashikuar nga rregullorja. Deputeti Sali Berisha ka arritur kapërcimin e etikës. Është firmosur nga 27 deputetë. Eshtë depozituar sot dhe është pjesë e deklaratës që e keni marrë dhe kërkojmë të shqyrtohet menjëherë”, tha ajo.

Ajo shtoi se Berisha ka përdorur fjalë të papranueshme edhe kundrejt ambasadorëve në Shqipëri.

“Amabsadoërët së fundmi janë bërë tabelë qitjeshe sic janë bërë më parë edhe ndaj ministrave”, shtoi Denaj.

Kreu i PD Sali Berisha i është përgjigjur deputetes së PS Anila Denaj, e cila i kërkoi Kuvendit përjashtimin e tij nga seanca plenare me argumentin se ka kaluar çdo limit moral.

Në fjalën e tij, Berisha tha se deputetet e PS po flasin në gjuhën e Ramës, teksa theksoi se ai kurrë nuk do të bjerë në atë nivel.

“Hija e McGonigal endet në këtë parlament, me asnjë banalitet nuk mund të sfumoni skandalin e tmerrshëm

Me asgjë, me asnjë akt, me asnjë banalitet nuk mund të sfumoni skandalin e tmerrshëm në të cilin jeni përfshirë. Këtu në parlament endet hija e McGonigal, i cili bashkëpunoi jo vetëm me Edi Ramën, por edhe me disa nga këta ministra e ministre.

I cili mori përsipër si vrasës me pagesë të sulmojë opozitën, të shkatërrojë opozitën, i cili mori përsipër shumë e shumë veprime për të cilat kryetari juaj, një pjesë e juaj e mirë jeni dhe do të jeni në gjykim, në Shqipëri dhe SHBA.

Përsa i përket zonjës! Zonjë do të ju them një gjë unë ty; ty të duket të pëlqejnë ato që thotë Rama, por unë ato nuk i them kurrë, unë jam soj tjetër, edukatë tjetër, kështu që nuk kam si ta kuptoj unë reagimin tënd, përveç një dëshire që të dëgjosh nga goja ime ato që thotë kryetari yt edhe në këtë sallë parlamenti. Por ato nuk do ti plotësoj ndonjëherë”, tha Berisha .

Exit mobile version