Telegrafi

Prudentino, Nishani firmos ekstradimin

Sipas një njoftimi zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë, pas firmosjes së ekstradimit nga Bujar Nishani, autoritetet shqiptare janë në pritje të përgjigjes nga pala italiane.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ekstradimi do të kryhet brenda datës 12 janar. Albino Prudentino u arrestua në shtator të 2010-ës në qytetin e Vlorës, ku dhe zhvillonte bizneset e tij prej disa muajsh.

Prudentino akuzohet si një prej drejtuesve të organizatës kriminale Sacra Corona Unita. Gjykata e Lecces e akuzon Prudentinon për bashkëpunim kriminal të tipit mafioz, trafik droge dhe grabitje në rrethana rënduese.

Ndërkohë, në Shqipëri pas arrestimit të tij, prokuroria nisi një sërë verifikimesh mbi pronat e italianit, por rezultoi se ai nuk kishte asnjë pronë në vendin tonë, përveçse disa bizneseve të marra me qira nga shtetas shqiptarë.

Sidoqoftë, në lidhje me këtë çështje prokuroria ka nisur hetimet për pastrim parash në Shqipëri, dhe mes tre italianëve janë nën hetim edhe shtetas shqiptarë. /TCH/