Site icon Telegrafi

Proza e Anton Harapit

Anton Harapi

Nga: Halim Halimi

Anton Harapi instalon një poetikë të shkrimit individuale me karakteristika të theksuara të botës së tij fiktive; realizimit gjuhë­sor, modelimit të karaktereve, inicimit të situatave, motiveve, qasjes ndaj realitetit dhe faktografisë, përdorimit të informacio­nit, realizimit të tërësisë tekstuale dhe një mori veçorish, të cilat i japin Harapit vendin dhe rëndësinë në suaza të modaliteteve të letërsisë shqipe.

Kritika letrare heton ndjeshëm kualitete të brendshme letrare në suaza të veprave, të cilat integrojnë motive, çështje specifike që ndërlidhen me fusha fundamentale qenësore, humane, duke filluar nga religjioni, filozofia, etnopsikologjia, socio-politika e deri te realiteti historik dhe ai në të cilin jeton autori. Vepra e Harapit nuk shkëputet deri vonë, por edhe sot ndjeshëm nga figura e vetë Harapit.[1]

Nga kritika vepra e Harapit nuk është kaluar pa u studiuar, por sa është punuar për t’u hedhur dritë dhe për të precizuar kualitete të krijimtarisë së tij lë për të dëshiruar ngaqë janë shkrime të cilat janë të shkurtra dhe nuk janë aq kontributdhë­nëse në favor të veprave e vlerës artistike që prodhon ky autor.

Harapi si krijues paraqitet me dy veprat e tij Andrra e Pretashit dhe Valë mbi valë, të cilat, nga statusi zhanror në studimet paraprake, dalin si mjaft të diskutuara dhe shpeshherë të lëna hapur, të mospërcaktuara tipikisht. Më vonë, me studimin e tij Fakticiteti në letërsi, Anton Gojçajt në mënyrë teorike-analitike, duke aplikuar konvencat në planin teorik që përcaktojnë naty­rën dhe statusin e zhanrit, vjen në përfundim se Andrra e Pretashit plotëson kriterin për t’u quajtur roman, ndërsa vepra Valë mbi valë konsiderohet novelë.

Mjafton të lexojmë dhe analizojmë atë që shkruhet për Harapin e fokusi në shumicën e herës trajton veprimtarinë e tij politike, fetare, publicistike, shkollimin, idetë, botëkuptimin e tij socio-politik; theksimi i asaj jete me plot dramacitet, qëndrimin e tij në relacion me rrymat e reja politike, posaçërisht komunizmin dhe pasojat që i paguan për pikëpamjet e tij. Ndërsa për veprën e krijimtarinë e tij mund të gjejmë në pak faqe tekst përjashtim të pak studimeve të vona, si ai i Anton Gojçajt dhe Gjystina Cacaj-Shushka, studime të cilat reduktojnë veprimtarinë dhe nxjerrin në pah krijimtarinë dhe atë që ofron teksti si njësi. Këto studime japin kontribut. Gojçaj, duke parë veprën në planin struktural, madje për t’u dhënë fund diskutimeve mbi statusin zhanror të tekstit dhe për t’u dhënë fund dilemave mbi atë se a janë këto vepra letërsi mirëfilli, apo diçka jashtë kësaj për shkak të dimensionit të fuqishëm të faktografisë në tekst.

Përgjithësisht, karakteristikë e dy veprave të tij është shumë­dimensionaliteti i çështjeve të cilat i integron dhe trajton, që para­qiten nga prizmi artistik dhe lëvizin nga ekzistencializmi, ndo­dhitë specifike, çështje jashtë zhvillimit linear të veprës, që në vepër konceptohen të dhëna në formë të episodeve (digresio­neve).

Në interpretimin e veprës së Harapit duhet pasur parasysh një mori elementesh biografike të jetës së tij, të cilat janë evidente e të patejkalueshme. Hetohen dhe janë tejet të pranishme në tekst, duke filluar nga konteksti, në të cilin shkruhen veprat dhe jeton e vepron autori, rendi françeskan dhe shkolla, me të cilën etiketohet autori, pozita shoqërore prej shërbyesi fetar, vendi ku i aplikon njohuritë e kryen shërbimet fetare, relacioni me traditën, Kanuni i Lekë Dukagjinit, njohja e filozofisë moderne dhe filozofëve eminentë, studimet në Austri, mosindiferenca ndaj politikës dhe zhvillimeve shoqërore, jeta publicistike dhe elemente të tjera janë bazike, të cilat duhen marrë me rezervë për të njohur, interpretuar dhe të shkoqitet shpeshherë kuptimi i veprës në tërësi.

Në këtë tekst tonin kryesisht do të fokusohemi në fabulën e veprave në dimensionin semantik, i cili del të jetë i realizuar si në planin stilistik-gjuhësor, po ashtu edhe si gjetje për ndërtimin e shkrirjen e motiveve të temave të shumta në tekst, të cilat arrijnë nivelin artistik me mënyrën e realizimit dhe seleksionimin e çështjeve interesante që i bën autori.[2]

Afinitetet e tij krijuese e kreative hetohen dhe dalin edhe nga fusha e publicistikës, me ç’rast Harapi ishte tejet i mprehtë dhe me një njohje gjuhësore të thellë bëri pothuajse pasqyrën më besnike të realitetit në artikujt e tij të botuar te Hylli i Dritës. Veprat e tij i përcjell historia e fatit të mosbotimit e mohimit dhe anatemimit, por falë njerëzve artdashës e vlerëruajtësve, ato panë dritën e botimit, shpërndarjes dhe leximit.

Theksi i veçantë në realizimin e përshkrimit

Përshkrimi zë një vend të rëndësishëm në tërësinë tekstuale për të paraqitur pjesë të rëndësishme si në paraqitjen e ambien­tit, atmosferës për realizimin e situatave, ngjarjeve, të cilat deter­minohen ndjeshëm nga vendi ku ekzekutohen. Paraqitja e deta­jeve të karakteristikave të personazheve, të cilët me zhvillimin e realizimit të romanit zhvillohen dhe kanë konotime të veçanta, artikulojnë përmbajtje për veçimin e karakterit të personazhit, bukurisë së natyrës, e cila paralelisht paraqet edhe harmoninë e jetës në provincë, portretimin e personazhit me veprimin e tij ndaj realitetit, gjestikulacionin, mimikën. Projektimit dhe rën­dësisë së këtij dimensioni i jepet hapësirë e veçantë.

Marrim fragmentin nga Andrra e Pretashit, libër i cili fillon me një tekst iniciues të kësaj natyre:

“Dielli ishte në të rám. Hijet kishin marrë brigjet e thata të Cemit, e, si t’ishin kah endin nji pëlhurë të zbetë, por të madhnueshme mbi atë brî mali, me turrin e lehtë të nji flladi, kandshëm po u kapshin në Sukën e Grudës. Shkrepat, vetmue prej rrezeve të diellit, rrethue me njomsín e shërbelës së përqukueme e aty këtu prej ndo’ i lisi të rrallë, merrshin nji trajtë vigane, hjedhë mbi ato blerime. Mësa natyra dante si me kenë tue rá në pushim, anë e kand shpërthen kanga, ndihen fishkullime, andej thërrasin, këndej gjegjin…[3]

Në rastin konkret kemi fragmentin në të cilin kemi konkre­tizim të lokacionit me emërtimet Suka-Gruda. Koha e muzgut, ndjesia e autorit e dhënë si përjetim nga vrojtimi i tij, që ia bën kapjes së këtij momenti, duke e paraqitur në një mënyrë të tillë figurative-stilistike, duke e dhënë me një cilësi të tillë artistike dhe kaq natyrshëm e domethënës përshkrimin, autori përzgjedh që edhe romanin ta fillojë pikërisht nga kjo perspektivë ose nga kjo pikë.

Teknika të ngjashme dhe të përafërta apliko­hen edhe kur për­shkrimi kalon nga natyra, peizazhi, idili tek individi, karakteri, përshkrimi ngelet në simetrinë e personazhit, parcialisht futet e thellohet në psikologjinë e tij të brendshme:

‘S’vonoi, e me nji fëmijë të vogël për doret më njanë anë, e me pipin qelibari, punue në serm, në tjetrën, disì pa pritë, më del përpara Prêtash Cuka, nji plak, kund 70 vjeç. Hecte me hap të ngultë e të kadalshëm; trupi i tij drejtë si qiri, zani i fortë si pushka; syt pak sa të himë e të gropuem, por të fortë, fëtyra e mundshme, por jo e vojtun, balli i gjanë me do rrudha të trasha; nji plak typ, i shtym në mot, por jo i mbetun; në shëndet, i pa kurrfarë mungese as ndër shise e as ndër gjymtyrë, përveç se i ishte trashë të ndiemt, e për ketë shkjak merrte gjithkund me veti nipin e vogël, i cili, me sa fuqí kishte i a thonte plakut në vesh fjalët e gjegjet e mija.”[4]

Brenda këtij fragmenti në mënyrë piktoreske arrijmë të kri­jojmë një tablo të qartë të një njeriu të moshuar të paraqitur me fjalët më të përzgjedhura, duke e portretuar deri në hollësi aq besnikërisht personazhin e tij, i cili ka përmasa substanciale në cytjen e zhvillimit të ngjarjes me ëndrrën e tij.

Në suaza të kësaj, konstatojmë që autorit nuk i mungon vetë­dija e lartë letrare për strukturimin dhe realizimin e tekstit në planin gjuhësor.

Rifunksionalizimi në tekst i filozofisë popullore

Në fillim krejt veçuam rëndësinë e biografisë së autorit në interpretimin e veprave letrare të tij. Autori dokumentohet nga krijimtaria e tij e përgjithshme për njohjen e thellë, të cilën e ka për kulturën dhe filozofinë popullore, e cila kultivohet ndër bano­rët e zonave malore, provinciale si rezultat i nevojës për të kri­juar – një sistem parimesh e vlerash mbi bazë të të cilave priren ta organizojnë jetën e tyre banorët e zonës. Njohja dhe afirmi­mi i kësaj filozofie rifunksionalizohet në tekst, duke u vlerësuar për origjinalitetin, thellësinë e mendimit të motivueshëm, kon­stante dhe me fuqi argumentuese. Natyrisht, si nevojë e tij kri­juese, ngaqë ngjarjet në roman kapin pikërisht këtë topikë në suaza të së cilës modifikohen të gjitha situatat e ngjarjet si dhe elementet e tjera të cilat barten për nevojat e tij krijuese, inte­grimin e pjesëve nga tërësia kulturore identitare e shqiptarëve.

Termi rifunksionalizim shërben për t’i përfshirë të gjitha for­mat e mundshme të funksioneve të reja, të cilat marrin trajta të ndryshme në të cilat manifestohet ky dimension filozofik popu­llor; qoftë si rrëfime të pastra gojore, thënie, anekdota, sentenca e të gjitha format e tjera, të cilat e ngërthejnë brenda vetvetes shpirtin e popullit. Ato futen në tekst dhe japin efekte të cak­tuara, duke specifikuar pjesë, kontekste, situata, individë, shka­qe dhe fenomene në nivel lokal apo edhe universal. Kjo mënyrë e realizimit dhe kultivimit të shkrimit i jep autorit një bonus të mjeshtërisë së tij krijuese. Ato jo gjithmonë mund t’’ gjejmë ose janë të pranishme në forma të pastra intertekstale; ato shkrihen dhe kanë funksione tipike, p.sh., në metagjuhën për modelimin e karaktereve në dialogë, në formë mësimi, këshille për tejkali­min e situatave të caktuara, për të gjykuar një proces shoqëror, definuar një ndjenjë, një emocion, portretuar dhe përkufizuar një çështje:

Asht âshtu si thue ti, por e kom pasë ndie një fjalë prej të parëvet, qi thojshin; mos u gëzo i gëzuem, as mos u mjero i mjeruem; ele-ma plaku, qi s’ka pse i a ban qefin vetit.[5]

Ajo konkluzë e asaj filozofie popullore që konstatohet merret e mirëqenë, e padiskutueshme, ngaqë populli ka kaluar në faza të sprovave të ndryshme ndër breza dhe testimi kaq i gjatë ndër vite i jep kësaj esencën e ekzistencës së asaj që nxirret si mësim pas asaj rruge të gjatë:

I vorfëni shpreson se bëgatet, i ligu ka nadë se shëndoshet, i riu pret se plaket, por besà plaku s’ka shka pret veç dekën!

Shkrirja kaq e natyrshme e këtyre formave të dhëna të filozo­fisë popullore në tekst e forcon semantikisht tekstin dhe nuk fragmentarizohet teksti. Mirëpo, sentencat ose fjalët e urta dalin si të krijuara ose të dala origjinale nga vetë vepra e autorit, me ç’rast gjejmë të thëna nga personazhet, nga referencat e pastra kulturore shqiptare, ose parcialisht lexohen pahetueshëm nga përpunimi që autori ia bën në laboratorin e tij krijues.

Në romanin Andrra… nga vetë autori sentencat sistemohen dhe jepen krejtësisht në fund të romanit në formë rendore, të cilat janë pjesë përbërëse e veprës, e cila për nga natyra e kulti­von dhe e realizon më shumë ketë dimension sesa novela Valë mbi valë. Në realizimin e përgjithshëm autori merr dhe ushqe­het shumë nga etnosi e kultura e maleve dhe kanuni që kemi të aplikuar për gjykimin e çështjeve më delikate të jetës.

Si rrëfim i realizuar, si pjesë strukturale, del si çështje e rën­dësisë së veçantë për një vepër të tillë prozaike. Çështjen e paraqitjes dhe trajtimit të rrëfimit, Anton Gojçaj në studimin e tij për veprat e Harapit i jep si specifika të tipave të rrëfimit, mbi bazë të të cilave realizohet, lëviz ngjarja, kualitetet e arritura, relacionet e zhvillimit e strukturimit të rrëfimeve.

Rrëfimi i ngjarjeve në veprat e Harapit ka një parabazë tejet të pranishme në modifikimin e narracionit në veprën e tij, që ka të bëjë me korpusin e madh të rrëfimeve popullore. Sado i përpunuar, në vepër e ruan celulën dhe pigmentin e origjinali­tetit të saj. Në veprat e tij kemi rrëfimin autodiegjetik. Ndonjë­herë, eventualisht, kemi ndërhyrje dhe plasime të narratorëve të tjerë, të cilët i bartin kompetencat e rrëfimit. Por, kjo është e reduktuar në vepër, ndërsa përgjithësimin e gjithë zhvillimit kauzal e jep vetë frati.

Formimi i tij, personaliteti, pozita e tij në shoqëri e determi­nojnë mënyrën e rrëfimit prej meshtari, me ç’rast kemi prezent kontaktin e përditshëm me njerëz të niveleve dhe kategorive të ndryshme; rrëfimet e të cilëve kanë përmbajtje të ekstremeve të ndryshme nga ato më të thjeshtat tek ato më dramatiket, të cilët, në raport me fratin, në rrëfimet e tyre janë të sinqertë, të thjeshtë, të hapur për shpalosjen e brengave, preokupimeve ose dijeve të tyre. Frati është gjithmonë prijatar në biseda, dhënien e kaheve të saj e në seleksionimin e temave dhe specifikimin e ndodhive pa fund; duke shpalosur nga ato, të cilat i mendonte ai, që janë në dobi për t’u trajtuar me objektiva, p. sh., për të shquar ose shpjeguar një fenomen e koncept që kultivohej ndër banorët e malësisë, ose që ishin karakteristikë për ta. Veçojmë statusin e gruas në shoqërinë shqiptare në zona rurale, hakmarrjen, çështjen e organizimit të jetës, ngushëllimin dhe ushqimin shpirtëror të tyre, shpeshherë sekuenca nga ndërhyrjet e tij në çështje të ndrysh­me, si dorëzan për të shuar konflikte, ngatërresa e për të sjellë paqe e harmoni, rend në shoqëri.

Çështje tematike

Veprat letrare gjithmonë kanë reflektuar dhe realizuar dimen­sione specifike të kohës-hapësirës gjatë realizimit të tyre të tërësishëm. Duke veçuar faktorë të ndryshëm eksternalë/inter­nalë, të cilët janë bartur dhe funksionalizuar në tekst me intenca të caktuara autoriale karshi realitetit, shoqërisë, politikës dhe fushave të tjera, të cilat janë prodhim i aktivitetit njerëzor karshi jetës dhe nevojave të saj, që kanë determinuar edhe zhvillimin e mendimit, perceptimin e të arriturave etj.

Nga ky kënd mund ta veçojmë zhvillimin e tërësishëm të shoqërisë nëpër etapa të caktuara dhe paralelisht ta paraqesim zhvillimin e artit në suaza të modifikimit e funksionit të tij në përgjithësi si proces dinamik e delikat. Kërkesat e individit dhe shoqërisë karshi artit, në këtë rast të letërsisë, kanë qenë nga më të ndryshmet. Ky fakt mbështetet edhe në shpjegimet e feno­menit të letërsisë, në historikun e artit, fillimisht duke u parë si nevojë dhe gradualisht, duke u sinkretizuar dhe pavarësuar si funksion jashtë çdo ngarkese ideore të mundshme që rrënon iden­titetin e letërsisë me etiketa e funksione socio-politike.

Tema fundamentale në romanin Andrra e Prêtashit është ajo e gjakmarrjes, ndërsa në novelën Valë mbi valë është paksa më e vështirë të definohet tema fundamentale tipike ngaqë është ambige në këtë sens.

Në diskutimin në nivel tematik kemi të bëjmë me veçantinë e veprave të llojit të vet, duke na dhënë modalitete, të cilat zhvillojnë paralelisht motive dhe tema të shumta të degëzuara. Në roman manifestohen si episode të veçanta në formë digre­sionesh, të cilat kanë një motiv-ide substanciale në vetvete, por në tërësi i lidh tema fundamentale dhe ruan logjikën e realizi­mit gjeneral. Motive të zhvilluara në kuadër të temës kryesore janë: martesa, mikpritja, rituali i vdekjes, mënyra e organizimit dhe funksionimit të jetës me parabazë kanunin, jeta e malësorit /malësores, jeta në vetmi prej frati, specifikimi i ndodhive të veçanta, si: kurorëzimi, mosrespektimi, pranimi i parimeve dhe mosnënshtrimi ndaj tyre, brengat e jetës etj.

Në çdonjërin nga këto motive autori krijon karaktere speci­fike të cilat shpalosin këto në përpikëri. Shembull i kësaj natyre e kemi rastin me plakën Lenë me mënyrën e saj të jetuarit, që për autorin çuditërisht ajo ngelet një qenie burimi e force e pashterueshme dhe e pagjunjëzuar para jetës dhe sprovave të njëpasnjëshme të saj. Kjo, sipas autorit, është pikërisht ajo gjen­dje shpirtërore e arrirë nga një njeri krejtësisht i thjeshtë; ajo që e kërkojnë edhe filozofët më të mëdhenj të kohës për mënyrën se si e pranon plaka Lenë.

Kishte mbërrijtë malsorja në kulmin e filozofís së vërtetë: me kenë e lume përnjimend.[6]

Ndryshe nga romani Andrra e Prêtashit, novela Valë mbi valë zhvillon tema, në të shumtën e herëve në nivel universal, duke elaboruar mbi çështje të religjionit, ekzistenciale të njeriut mbi çështje të nevojës së besimit, rrëfime nga historia e nga e kalu­ara, dashuria në relacione të ndryshme, figura e nënës, jeta për bukën e gojës, botëkuptimet e njerëzve. E gjitha kjo falë dialo­gëve, sidomos ato me doktorin e profesorin, që për nga natyra pyetjet e tyre janë gjithmonë më sfiduese dhe insistojnë të japin përgjigje relativisht dhe objektivisht të qëndrueshme nga logjika intelektuale e vet narratorit (fratit) në rastin specifik.

Monologu

Një karakteristikë që hetohet në tekst dhe veçohet me nuanca të thella në planin e realizimit është monologu i rrëfimtarit. Autori në dy veprat realizon një figurë ambige të fratit që mund ta tipizojmë në këtë mënyrë: frati në relacion me shoqërinë dhe botën jashtë vetvetes, frati në relacion me vetveten. Frati në relacion me shoqërinë ka një realizim me kualitete të tilla; del më i thjeshtë, më i natyrshëm në biseda, më komunikues, nuk i largohet misionit dhe detyrës së tij si shërbyes fetar, do të thotë kemi të bëjmë me një figurë komplekse, që jashtë është ndryshe e brenda vetes shfaqet më ndryshe. Në monologët e tij del më konceptual, më i thellë, më i trazuar, më filozofik, më kom­pleks.

Manifestimi dhe plasimi i botës së tij të leximit, studimit si forcë kreative, urtia në përqindje të mëdha ngelet brenda vetes së tij, andaj ai gëzohet kur e gjen një bashkëfolës të një niveli të arrirë, nëpërmjet të cilëve reflektohet e shfaqet kapaciteti dhe diapa­zoni i tij, virtytet dhe çdo afinitet tjetër:

Sa gëzoheni ju se po keni me kê me folë, aq po kënaqem un se po kam kuj me i folë e po kush më kupton.

Frati kur është vetëm, mediton, revoltohet, kërkon zgjidhje për probleme, vuan dhe në saje të kësaj në shumicë herësh kërkon shpëtimin në rrugën e Zotit. Kjo e përforcon bindjen dhe sinqe­ritetin e besimit të tij:

E në ket kundrim m’u bâ se e gjeta zhvillimin e problemës, se pásh të gjitha kavít e mjerimeve, se hetova të gjith faktorët e lumnís! Pásh se mâ e fuqishme po ishte zêmra se mendja; njeri lumnís mâ afer po ia bâte me zêmer se me mend, e mâ po kishte nevojë per dashtní se per dije; me shtue në botë zémra të pasterta, bujare, të fjeshta, të dêja me kênë dashtë, e t’afta me dashtë d.m.th m’u flijue për të mirë, kta po dote me thanë me shtue e me mbajtë lumnín njerzore.

Monologë të tillë të kësaj forme janë ato përmbajtje që ngrehin pikëpyetje të mëdha ngaqë kapin çështje të një vetëdije që kërkon shpjegimin e esencës dhe ekzistencës së tij. Si kërkim i vazh­dueshëm nga kjo hetojmë referenca të filozofëve të mëdhenj të shekullit nga antikiteti, mesjeta, bie fjala, Agustini e deri te filo­zofia moderne me Niçen, Shopenhaueri, që nënkupton se në këtë domen autori ka krijuar një identitet të vetin për reagime edhe në këto pika të rëndësishme të shkencave humane:

Si âsht pra kjo punë; se gjithçka na lên; e po gjith ato shka na lên, âsht per me na mbajtë në jetë!?

Ku jé, more nieri, shka m’i thue ti filozof a natyralist ksajë tfaqe misterjoze, para së cillës, jo un e ti, por askush nuk mund të rrijë sehirxhí, pa u interesua ? Po mos t’i kishim mendt në krye, patëm me u futë pa nji pa dy, nder rrymët e ligjve qi mbajnë e rregullojnë fizikun e landen, e fillim i marim, pa pá, pa ndie, pa dijtë, pa u kujtue, me ndjekë fatin e rriskun e shtasve, të bimve e të elementave, por kto mendt t’ona! oh kto po, ja se do të na marrin në qafë, ja se do të na bâjnë verte të lum!

Frati kur diskuton mbi tema të natyrave të tilla filozofike, asnjëherë nuk ngelet vetëm brenda kornizave të religjionit. Ai bart përvoja nga më të ndryshmet në konstruktimin e mendimit e qëndrimit të tij dhe do të thosha kemi të bëjmë me rastin më tipik, me ç’rast mund të shohim se si koekzistojnë religjioni dhe filozofia, duke bashkëvepruar dhe duke marrë e duke mos anash­kaluar e neglizhuar asnjërën. Autori arrin konkluzione kon­stante, logjike dhe racionale në formë pikëpyetjesh që të bëjnë të mendosh, që teksti t’i rezistojë kohës i garanton vlerën este­tike të parashtrojë diçka të qenësishme e të përhershme atë që edhe mund të cilësohet si esencë e njeriut.

Tejkalimi i situatave kufitare, krizave emocionale e ruajtja e gjendjes së qetësisë shpirtërore, e cila arrihet me prehjen e bindjes së thellë të besimit ndaj Zotit dhe kjo ngelet thellë në qenien e tij, të cilën në raste specifike nuk e kursen ta thotë:

I ap vetit, çohem e shkoj në Kishë. Thom meshën e kryej uratët e tjerat detyrë shpirtnore, me shpënesë të ngultë, se i Madhi Zot do të më ndritëte n’atë terrinë, do të më qitëte në rrugë t’a gjejshem shtegun për me i ndreqë ato ngatrresa e me pajtue punë e zemra ndër ata dy bajrakë e nji herit edhe me vu në hullí të marë pamjen e jetës seme.

Jeta ka vështirësi, sprova; njerëzit janë gjithmonë në përpjekje të rezistojnë, t’i zgjidhin këto probleme, të krijojnë traditë pozi­tive ndaj jetës. Një përpjekje e vazhdueshme, nëse forca e njeriut është e pamjaftueshme, ai duhet të kërkojë mëshirë dhe ndihmë nga Zoti dhe do t’ia dalë ta përmbushë veten dhe ta ngushëllojë veten. Kjo gjithmonë falë bindjes dhe besimit në Zotin, që konceptualisht del se besimi është domosdoshmëri e nevojë e njeriut.

Perspektivat multidimensionale të vlerësimit

Deri më tani me theks të veçantë jemi ndalur te protagonisti i dy veprave, për mënyrën e modelimit, gjykimit, vlerësimit, ligjërimit në suaza të veprës, që kemi spikatur tipin e intelektua­lit misionar, i cili ka formim me frymë religjioze, por afinitetet e tij botëkuptimore i tejkalon ndjeshëm. Këto nga sytë dhe logjika e tij na rrëfehen shpesh.

Për të paraqitur një çështjeje të një natyre të tillë i referohemi një gjykimi të personazhit të Lucës për birin e tij Gjokën, i cili kishte arritur të shkollohej dhe të dilte jashtë atij mentaliteti dhe mënyre të jetesës. Por, si pasojë tek ai ndodhin disa ndryshime drastike, që nga perspektiva e Lucës mund të cilësohen si fatke­qësi e njohjes. Në bisedë e sipër me fratin, me tendencën e shpa­losjes së hallit për të birin, mënyra e artikulimit të mendimit vjen nga ajo që ka parë dhe i është servuar për të vlerësuar se si qëndron puna. Realisht, nga ky bashkëbisedim i thjeshtë dhe krejt i natyrshëm, autori e ngrit një pikëpyetje të madhe: se në të vërtetë a janë shkolla, leximet, mendimet ato që e trazojnë jetën e njeriut, nga ajo mënyrë e të jetuarit, me ç’rast gjithçka merret si e mirëqenë? Sa mund të ketë logjikë dhe vërtetësi në ato se çfarë pohon Luca?!

Djali shkoi n’Austri e hini në shkollë. Frati, qi m’i këndonte letrat e tija, më thonte se â’ kah e xên shkollën fort mirë, edhe mue disì filloi të më bâhej qefi, kah ndiejshem mirë për tê…

Por sa pare bân! Qe prani lufta, e përnji qi duel vendit tanë Austrija, djali më kthei te shpija – me shëndet e me sifate, mâ mirë s’ka, falemi nderës Zotit, por i âsht prishë puna, mërzitet për shkado, tretë si mos me i pasë mê’t me veti… shkolla e ka çartë!…

Po si á’ këjo punë, zotní, – se pra thonë se shkolla të bân njeri, – si ásht, se jo vetëm djali em, por edhe gjithsa janë, qi kanë kthye si Gjoka, s’janë mâ as për veti, as për shpí, as për shkollë… bile t’ishin për shkollë!? Por haràm as për atë punë me gjasë nuk po duheshin gjâ. A s’asht mâ mirë me ndejë n’e moçme, me punue atë tokë, me i ardhën reth gjâs e me hangër nji kashatë bukë rahat te shpija?! Shife tash Gjokën, me kurrsend s’i bâhet qefi, as s’asht kurrkund më tê… manà jam bá marak edhe fort e s’po dij si do të vetet me mbarue puna e tij…

Fragmenti lë shumë për të nënkuptuar. Pjesa tjetër e përgjigjes së fratit është diçka tjetër për sa i përket asaj që ne fokusuam si kualitet. Përgjigjja e fratit mund të cilësohet si variacion i mund­shëm që ngrihet si tezë nga Luca. Tani nga kjo logjikë e të men­duarit për koncentrimin e shkollimit, krahasimit të fazës së Gjokës para shkollimit dhe pas shkollimit, në relacion me të tjerët. Evidentimi i veprimeve të tij deri në përpikëri, reagimet, ndjeshmëria dhe të gjitha ato që e veçonin si karakter janë kaq të realizuara sa ne hetojmë elemente të vet autorit te Gjoka, duke pasur parasysh se vetë autori ishte shkolluar në Austri. Ai vinte nga provinca, tranzicioni i tij shpirtëror, vlimi i literatu­rës, kontakti me kulturën e ambientin evropian janë disa nga faktorët që lënë gjurmë në ngritjen shpirtërore. Kundër kësaj jete qëndron jeta e malësorit, jeta e qetë, stabile, larg brengës e mërzisë – brejtjes shpirtërore, jeta për kafshatën e gojës, larg filozofisë së jetës, botës, leximeve, diturisë. Tani këtu bëhet pyetja se cila do të ishte jeta ideale dhe e duhur për njeriun?!

Brenda kësaj në një formë shpaloset edhe admirimi ndaj tra­ditës, jetës ndër male, qetësisë, punës fizike, gjallërisë, atrakti­vitetit, dashurisë, pastërtisë dhe fisnikërisë shpirtërore larg çdo zhvillimi urban-social përtej atyre kodrave që, sipas tyre, jashtë vendit: Do të treteshin si kripa në ujë.

Frati, duke qenë se vetë kishte kaluar nëpër atë stad të jetës, të shkollimit, të formimit, kontaktit me literaturën, eksplorimit të vendeve të qytetëruara, me theks të veçantë Austrinë, dhe e gjitha kjo nuk ishte diçka e huaj për të. Me atë se çka e ngac­monte dhe manifestohej te Gjoka, ngase këto ishin shenjat, kur njeriu fillon ta krijojë formimin shpirtëror, identitar e intele­ktual, andaj këtë se çka ngjan me Lucën ai e shpjegon kështu:

Droja e Lucës pra, ishte e pathemel, pse Gjoka, jo vetëm se nuk ishte prishë në kurrnji pikpamje, mu’ ishte pjekë e burrnue me të pasë ande, vetëm se tue pasë kenë dhanë këndimevet fort me gjoks, tue pasë pá e provue jetën europjane me tana komoditetet, në njanë anë zekthi i shkollës, e në tjetrën anë kontrasti i madh i ambjentit ku do të rrinte e i jetës qi do të shkonte, krahasue me jetën e shkueme dér atëherë, tana këto Gjokën e përvëlojshin në shpirt e ai përnjimend ishte në nji krizi jete: dashtënija atnore për veti e ndiesít e zemrës me atë fisnikí instiktive e të trashigueme për veti, përbáll sosh egzigjencat shpirtnore e trupore, qi për sa vjet të shkueme me plotsimin e tyne, i ishin kenë bâ nji nevojë… tana këto rrethana e shkaqe luftojshin në shpirtin e tij e mateshin me ia plandosë jetën…

Përgjithësisht, në këtë fragment jepet me logjikë të shëndoshë tranzicioni shpirtëror, faktorët kyçë, spikatja e tipit të intele­ktualit të ri, që diferencohet prej shoqërisë. Nuk e ka humorin në atmosferën që mbizotëron në atë ambient refuzues, në atë se çfarë i servohet nga tradita, paraardhësit, puna, në dobi të familjes, rrethit, shoqërisë, që në nivel të idesë na dërgon tek autorët modelë, si Migjeni me Studenti në shtëpi, Ernest Koliqi me tregimin Gjaku e tregimet e tipit të tillë që instalojnë një modalitet të tillë të modelimit të personazhit, që shkollohet jashtë vendit dhe si rezultat i kthimit mënyra e perceptimit, akomodimit në relacion me shoqërinë dhe shoqëria në relacion me individin.

Babai që paraqet dashurinë atërore, njëherësh përfaqëson tra­ditën, punën dhe, sipas tij, jeta ideale është dhe duhet të jetë e realizuar në këtë mënyrë:

Jeta e malsorit, kur t’a bân Zoti nafakë me e hangër nji kashatë bukë me rob, pa i u përshpirtë kujë, veç mundit tand, pa pasë telashe, me kend, âsht nji jetë e lume me ia pasë lakmi.”, kjo sipas babait duhet të jetë jeta ideale për djalin e tij e gjithsecilin që pretendon që jeta e tij të jetë produktive ngase është një formë pragmatike e stërtestuar, dhe ndoshta forma më e prerë që ata e ai mund t’i besojnë, gjithçka tjetër është diçka tjetër dhe e dyshimtë.

Mâ rahat e shkon jetën beriu e bulku i mirë, se shkollari, të cilin s’e ngîn gjâ.

Shembulli tjetër në saje të kësaj është modelimi i karakterit unik në shoqëri, të cilën autori e realizon, e portreton me një stil që lë mbresa për t’u mos u harruar. Plaka Lenë, e cila ngër­then brenda vetes një filozofi jetësore të pëlqyer e rrallë të arrit­shme, e bën që ta integrojë në tekst dhe ta modelojë në aspektin ligjërimor, botëkuptimor, në relacion me botën, realitetin, shoqë­rinë, religjionin. Të gjitha këto kanë një manifestim individual dhe për fratin çuditërisht një personalitet i modifikuar, i bartur nga bota e artit, e filozofisë në realitet, me një venerim të kuj­desshëm nxjerr në pah gjithë karakteristikat e mundshme.

Plaka Lenë bën një jetë tejet të vështirë. Jeta është treguar shumë e padrejtë me të. E sprovuar në format më të rënda, ajo nuk heq dorë nga jeta asnjëherë, nuk i largohet dhe mohon atë që i është caktuar nga Zoti. Në familjen që kishte, pa të cilën vazhdonte të jetonte dhe, mbi të gjitha, ishte falënderuese ndaj Zotit për ato të mira që, sipas saj, i gëzonte, duke pohuar se falë Zotit ajo i kishte mendtë. Lena plakë, si rast specifik, mund të na kujtojë edhe Jobin nga Dhiata, që u sprovua me gjërat më të shenjta. Kuraja dhe vullneti i çeliktë, të cilin e kishte dhe e reflektonte, e bënte atë që të ketë një trajtim dhe konceptim të veçantë dhe si përfundim autori konstaton:

Kishte mbërrijtë malsorja në kulmin e filozofís së vërtetë; me kenë e lume përnjë mend.

Rendi françeskan

Botëkuptimi religjioz del të jetë tejet i pranishëm në vepër. Edhe më parë kemi specifikuar karakteristika puro religjioze, të cilat integrohen dhe modifikohen në tekst. Një karakteristikë brenda këtij dimensioni, e cila ka një vlerë të veçantë për shkak të parimeve, veçorive me të cilat funksionon si rend ose herezi brenda kristianizmit, është rendi françeskan; rend me sistem vlerash të përcaktuara mbi bazë të të cilave priret ta tregojë shëmbëlltyrën dhe rrugën e drejtë të besimit për besimtarët e humanizmin në kuptimin universal.

Edhe në Shqipëri instalohet një rend i tillë, i cili e ka histori­kun e formimit me Shën Françeskun në krye, por ajo që duam ta theksojmë dhe e cila ka një rëndësi për veprat e Harapit; si stili i shkrimit, artikulimi i shprehjes, konceptet mbi letërsinë, shoqërinë, religjionin, traditën, kontekstin, rolin dhe përgjegjë­sinë e tyre në favor të kombit dhe kompetencat politike për domosdoshmërinë e ruajtjes së identitetit nacional.

Ernest Koliqi në studimin e tij për letërsinë shqipe, teksa flet për fenomenin e letërsisë së dy shkollave shqipe funksionale në Shkodër, atë të Jezuitëve në krye me Mjedën dhe shkollën françeskane në krye me Fishtën, të dyja dallojnë në zhvillimin dhe krijojnë mënyrën e ligjërimit, botëkuptimit dhe karakteri­stikat e tjera evidente në studimin e Koliqit.

Frati protagonist i veprave modelohet në bazë të parimeve të këtij rendi, ndryshe thënë personazh ideografik i autorit, i cili kishte kompetenca në kolegjin françeskan. Nga kjo kulturë e formimit që e përbën dhe manifestohet në këtë personalitet si veçori bazike; admirimi për traditën, gjuha popullore (me prani të shumta të frazeologjive, thënieve të urta), filozofia e urtësia popullore, modestia, seleksionimet e temave fundamentale, pas­qyrimi i jetës në varfëri, çështje të besimit e moralit, bota përtej varrit, integrimi i figurave qenësore, si: Jezu Krishti, stili i thjeshtë i akceptueshëm i shkrimit. Autori nuk heziton të konkretizojë informacione nga veprimtaria e tyre:

Po, Zotní, veprimi françeskan në Shqypní ka nji histori 700 vjeçare. Kemi pá mirë e kemi pá keq, e kemi pa hjekë edhe mâ keq: jemi pershkue neper zjarm e neper shpatë, kemi tretë nder male, kemi banue nder shpella e nder gerdhata, e këtij vendi, Shqypnís nuk i jemi dá kurr; me këtë popull të shkretë kemi dá gëzimet e idhnimet, të mirat e të vështirat, kemi bâ nji me tê qafen e nafaken; posë Zotit, nuk ka dijtë kush as se jemi gjallë, e si kemi mujtë, kambë per kambë me burrat e burrave, kemi mbrrijtë der këtu në ketë kohë, me pritë e me pá nji autonomí shqyptare…

Ky fragment është vetëm një nga ata që bën identitetin e tyre, e përcakton veprimin e tyre në dobi të shoqërisë, duke krijuar binomin Atme e Fe; ideal për të cilin bëhet gjithçka e mundshme, ideal për të cilin duhet luftuar e duhet flijuar për ta se janë të vetmet qëllime që njeriun, sipas tyre, e mbajnë në jetë. Autori në modelimin e protagonistit e projekton tipin e fratit intelektual, i cili ka këto afinitete: është prijës religjioz katolik, ka formim dhe kulturë kristiane, njeh psikologjinë e njeriut, njeh provin­cën, traditën, jetën e varfër e ndien dhe e jeton, është altruist, filantrop, modest. Gjuha që përdor është e thjeshtë popullore, është gjithmonë afër dhe mes vuajtjes e tmerrit e dhimbjes; gjith­monë afër të tjerëve në momentet e tyre më të vështira. Fakti që kanuni e privilegjon rolin e kishës dhe priftit në shoqëri, bën që roli i tij, veprimet e tij të jenë pikante në gjithë vëmendjen e në konsideratën e shoqërisë.

Mjafton ta kujtojmë momentin e iniciativës së tij që të jetë dorëzan në pajtimin e gjaqeve dhe iniciativa të tjera humane që e realizojnë dhe e portretojnë figurën e tij.

Reflektimi i filozofisë së krishterë, ajo që i orienton njerëzit, i ngushëllon, i mëshiron, i largon, i shpëton njerëzit nga situatat e caktuara. Frati është prijatar dhe e dëshmon në mënyrat më të ndryshme, sidomos në novelën Vali mbi valë në bisedën dhe debatin, të cilin e bën me mjekun dhe profesorin.

Ai në mënyrë objektive mbron dhe shpjegon çështje të natyrës dhe parimeve kristiane; çelibati, shkollimi i të rinjve kristianë në kolegj, kristianizmi dhe koncepti mbi dogmën, kristianizmi si kërkues dhe mbështetës i së vërtetës, të vepruarit drejt, të punohet drejt dhe të ruhen vlerat humane në parim.

Pyetje mbi çështje fundamentale ontike-ekzistenciale

Autori ka formimin klasik të leximit, njeh probleme, feno­mene, të cilat i kanë brejtur e trajtuar filozofët. Krijues e njerëz të cilët janë marrë mbi filozofët e kristianizmit, si: Akuini, Augustini e deri te klasikët e mëdhenj Platoni e Arisoteli dhe natyrisht, pas gjithë kësaj literature, autori arrin të krijojë një formë të mendimit personal mbi këto çështje.

Në një sekuencë të novelës Valë mbi valë krijohet një formë debati e diskutimi me kahe të lira, por me fokus mbi filozofinë e funksionit të kristianizmit, në raport të brendshëm dhe të jashtëm në relacion me shoqërinë dhe diskutimi udhëhiqet nga bashkëfolësit me pyetjet e tyre.

Harapi vlerën e afirmon, e deklaron, e ruan, e kultivon dhe insiston gjithmonë t’i bëhet mburojë dhe të bëjë që të hapen sytë në përcaktimin e gjërave të çmuara humane dhe të bëhet kujdes rreth konkluzave të “disave” siç i quan autori.

__________

Literatura:

Çështje të romanit, grup autorësh, Rilindja, Prishtinë, 1980.
Elioti, Thomas, Ese të zgjedhura, Rilindja, Prishtinë, 1982.
Gjeçovi, Shtjefën, Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kuvendi, Lezhë, 1994.
Gojçaj, Anton, Fakticiteti në Letërsi, Gjon Buzuku, Prishtinë, 2007.
Hamiti, Sabri, Letërsia moderne shqipe, UET-Press, Prishtinë 2009.
Koliqi, Ernest, Dy shkollat shkodrane, Kisha e Shën Ndoit, Prishtinë, 1998.
Krasniqi, Nysret, Autori në Letërsi, AIKD, Prishtinë, 2009.
Platoni, Shteti, Prishtinë, 1980.
Pllumi, At Zef, Françeskanët e mëdhaj, Tiranë, 2001.
Rugova, Ibrahim, Refuzimi estetik, Rilindja, Prishtinë, 1987.
Të tjerët për Anton Harapin, grup autorësh, Prishtinë, 2003.
Zhenet, Zherar, Figura, Prishtinë, 1985.

__________

Burimet:

Harapi, Anton, Andrra e Pretashit, Prishtinë, 2003.
Harapi, Anton, Valë mbi valë, Prishtinë, 2003.

__________

[1] Të tjerët për Anton Harapin, grup autorësh, Prishtinë, 2003.

[2] Anton Gojçaj, Fakticiteti në letërsi, Gjon Buzuku, Prishtinë, 2007.

[3] Anton Harapi, Andrra e Pretashit, Prishtinë, 2003, f. 3.

[4] Po aty f. 5.

[5] Po aty f. 6.

[6] Po aty f. 87.

Exit mobile version