Ky është momenti rrëqethës kur një motoçiklist i pafajshëm i cili po paguante benzinën në pompën e derivateve, për pak sa nuk e pëson më jetë kur një burrë e rrëmben për krahu dhe e shfrytëzon si mburojë nga dy vrasës me pagesë, të cilët po e qëllonin me breshëri plumbash.
Por për fat të mirë ai ka shpëtuar pa as më të voglin lëndim, derisa burri që e “rrëmbeu” për disa sekonda, mbeti i vdekur në vend, transmeton Telegrafi.
Kamerat e sigurisë kanë filmuar ngjarjen e tmerrshme në një pompë të derivateve në Sao Paulo të Brazilit, ku shihet një burrë i paidentifikuar i veshur me bluzë të verdhë duke ecur drejt pompës për të paguar benzinën.
Dhe derisa po i afrohej dy veturave të parkuara, ai e kupton se e zuri belaja kur një person e rrëmben dhe mundohet ta shfrytëzojë si mburojë nga dy vrasës me pagesë, të cilët e gjuajnë pa ndërprerë me revole.
Por, është interesant se si edhe përkundër faktit që plumbat i kalonin nëpër fytyrë asnjëherë prej tyre nuk e goditi, derisa burri që e shfrytëzoi si mburojë mbeti i vdekur në vend.
Në video shihet se si disa plumba bëjnë rikoshet dhe godasin e njërën prej veturave të parkuara, ndërsa ky motoçiklist me fat largohet nga vendi i ngjarjes pa ndonjë lëndim, por sigurisht i tmerruar nga frika.
Videoja është shpërndarë në rrjetet sociale gjatë të hënës dhe brenda katër ditëve është shikuar nga mbi 4500 persona. Ndërkaq personat që e kanë publikuar videon pretendojnë se nuk e dinë se pse është vrarë burri nga dy vrasës me pagesë.
Sipas policisë braziliane, rasti është duke u hetuar dhe se janë duke punuar në atë drejtim në identifikimin e vrasësve, ndërsa motoçiklistin që i shpëtoi vdekjes i kanë bërë thirrje që të paraqitet në polici dhe të dëshmojë. /Telegrafi/