Telegrafi

Provimi i Jurisprudencës hap për inkuadrim në sistemin e drejtësisë

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi në ceremoninë e ndarjes se certifikatave për 35 kandidatët që me sukses kanë kaluar provimin e Jurisprudencës theksoi se do të vazhdojnë me përgatitjen e kuadrove të reja për sistemin e drejtësisë.

Ai tha se nga viti tjetër do të mundohen të bëjnë kritere më fleksibile, jo në ato profesionale, por në ato të uljes se afateve kohore, në pranimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të ri.

“Bashkë me Komisionin për Provimin e Jurisprudencës do të përgatisim doracakun e ri për dhënien e provimit të jurisprudencës, ku do të përfshihen ndryshimet ligjore, do të marrim hapa konkret në themelimin e Akademisë së Drejtësisë, ku do të vazhdohet arsimimi ligjor i vazhdueshëm, jo vetëm për provimin e jurisprudencës, por edhe gjatë tërë karrierës”, tha Kuçi.

Për rëndësinë e provimit të Jurisprudencës, si hap i parë për inkuadrim në sistemin e drejtësisë folën edhe kryetari i Gjykatës Supreme, njëherësh kryetar i Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës, Fejzullah Hasani dhe kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci.

Sipas tyre, dhënia e provimit të jurisprudencës ofron kandidatët një hap me afër inkuadrimit në sistemin gjyqësor të Kosovës. /Telegrafi/