Lajme jo të mira qarkullojnë në hapësirat mbarëshqiptare rreth marrëveshjeve të EULEX-it me Serbinë, për nënshkrimin e “protokollit”. Akt i papranueshëm pothuajse për të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët po e përcjellin zhvillimin e ngjarjeve me shqetësim të madh.
Reagimet kryesore kanë ardhur nga shoqëria civile në krye me Lëvizjen “Vetëvendosje”, e cila e ka njoftuar opinionin mbarëkombëtar se ky protokoll është i papranueshëm, i dëmshëm dhe tërësisht kundër sovranitetit të Kosovës. Ata reaguan fuqishëm por u arrestuan, u keqtrajtuan dhe 21 pjesëtarë të “Vetëvendosjes” po vazhdojnë të mbahen në paraburgim, vetëm pse dolën në mbrojtje të kushtetutës dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Shikuar realisht, ndëshkimet e tilla janë të njëanshme, të padrejta dhe të pabaza. Shpesh herë serbët në Kosovë, që të mos themi çdo ditë sillen shumë më ashpër ndaj organeve të rendit, ndaj ligjit dhe ndaj institucioneve të Kosovës. Madje, edhe të njëjtën ditë me protestën e “Vetëvendosjes”, në veri në Mitrovicës përdorën armët, duke plagosur e lënduar dhjetë banorë shqiptarë që po tentonin të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Por, si zakonisht nuk janë marrë masa ndaj tyre.
Fillimisht, pas publikimit në media të informacioneve për bisedimet EULEX-Beograd, Prishtina zyrtare kishte kërkuar publikisht nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë – EULEX, që të japë llogari lidhur me çfarëdolloj bisedimesh që ky mision zhvillon me shtetin fqinj të Republikës së Kosovës, Serbinë.
Këto paraqitje tani duken vetëm farsë, reagime formale të bëra vetëm për konsum të brendshëm, që kishin për qëllim amortizimin e reagimeve të qytetarëve dhe grupeve të caktuara të shoqërisë kosovare që nuk pajtohen me pazarllëqet e askujt në dëm të Kosovës. Këtij procesi dita-ditës i është çjerrë maska dhe secili prej nesh e ka të qartë se është vazhdimësi e “gjashtë pikëshit” të Ban Ki Munit, që ndonëse u shpall “i vdekur” nga institucionet e Kosovës, vazhdon të zbatohet pa problem.
Kohëve të fundit, po flitet dhe shkruhet se protokolli duhet të nënshkruhet me çdo kusht, madje jo vetëm që do të nënshkruhet protokolli për policinë, por janë në procedurë edhe dy protokolle të tjera, protokolli për doganat dhe drejtësinë.
Pas shumë zhurme e mashtrimesh se protokollin nuk ka mundësi ta nënshkruajë askush, doli se “protokolli” ishte punë e kryer qysh para se të bëhej publike ekzistenca e tij në media. Pala serbe veç e kishte nënshkruar më 3 gusht 2009.
Kjo ka ardhur ndoshta si pasojë e mosngritjes së kapaciteteve intelektuale dhe arsimore në fusha të caktuara vendimmarrëse, si pasojë e joseriozitetit dhe mospërgjegjësisë institucionale. Madje, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i akuzoi haptazi Qeverinë dhe Presidencën e Kosovës për keqmenaxhim të situatës rreth “protokollit”.
Analistë të ndryshëm EULEX-in e konsiderojnë si një mision që ka rol të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Por në rastin konkret roli i misionit të EULEX-it ka dalë të jetë i njëanshëm dhe që kryekëput po punon në zbatimin e planeve që Kosovën e zhveshin nga elementet e shtetësisë dhe që e afrojnë me Serbinë.
Po të shikohet në kontestin e vijës zyrtare, një shembull diskriminues ishte edhe pengimi i kthimit në shtëpitë dhe pronat e veta (edhe pse posedonin tapi deri 200 vjeçare) e më pas detyrimi i banorëve shqiptarë të lagjes së Vitakëve për të marrë leje për pastrimin e gërmadhave të shtëpive të djegura gjatë luftës, nga strukturat paralele serbe të komunës së Zveçanit, të dala nga zgjedhjet ilegale të 11 majit të vitit 2008. Ndonëse u tha se këto struktura janë jolegjitime për institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare.
Po të shikohet rrjedha e ngjarjeve dhe realiteti i krijuar vitet e pasluftës del se udhëheqja jonë në disa raste është treguar mospërfillëse dhe e papërgjegjshme ndaj zotimeve dhe obligimeve të veta shtetërore. Ndaj, votuesit e Kosovës duhet të mendojnë mirë para se të vendosin ku dhe kujt ia japin votën.
Tensionimet e fundit i kanë shqetësuar qytetarët e Kosovës, por edhe shqiptarët në përgjithësi. Problemet e tilla e shtyjnë Kosovën në një krizë të re, që bartë me vete rreziqe të mëdha.
Për ta evituar këtë krizë dhe rreziqet tjera që na kanosen është koha që t’i lëmë anash konceptet e tilla politike që e dëmtojnë imazhin e shtetit të Kosovës dhe t’i përvishemi shoqërisht dhe vëllazërisht unifikimit të çështjes sonë, dhe secili në mënyrën e vet të jetë avokat mbrojtës i pavarësisë dhe shtetit të Kosovës. Kjo është mënyra më e mirë që Kosova të jetë model i suksesshëm në Ballkan, të krijon stabilitet dhe të shkon drejt rrugës së integrimit evropian. Shteti i Kosovës nuk duhet të vëhet në rrezik me asnjë çmim sepse për të janë bërë sakrifica të mëdha më shumë se një shekull. Historia nuk bën të harrohet, sepse nëse ndodh kjo, është në ligjet e natyrës se ajo përsëritet.