Protestuesit morën peng shtatë oficerë policie në Lahore sot, thanë autoritetet pakistaneze.
Protestuesit, mbështetës të partisë së ndaluar radikale islamike TLP, po protestojnë për arrestimin e një prej liderëve të tyre, i cili u burgos për kërkesën e dëbimit të ambasadorit francez nga Pakistani.
Protestat kundër Francës janë mbajtur në disa qytete Pakistaneze që nga e hëna. Ambasadori francez u bëri thirrje qytetarëve francezë në Pakistan që të largohen përkohësisht nga vendi, raporton dw.
Policia deklaroi se anëtarët e TLP-së mbanin peng shtatë oficerë policie dhe se ekzistonte mundësia që të kishte më shumë pengje.
TLP nisi një fushatë kundër Francës disa muaj më parë pasi presidenti francez, Emmanuel Macron mbrojti lirinë e shprehjes dhe të drejtën e së përjavshmes satirike Charlie Hebdo për të botuar karikaturat rreth profetit mysliman Muhamed. /Telegrafi/