Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka sugjeruar që ata që përdhosin flamurin amerikan duhet të kalojnë një vit pas hekurave.
Bëhet e ditur se ish-presidenti i bëri komentet gjatë një telefonate për Fox & Friends në Fox News, ku sulmoi gjithashtu rivalen e tij të re për Shtëpinë e Bardhë, Kamala Harris.
Komenti i tij për flamurin vjen pasi protestuesit të indinjuar nga vizita e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në SHBA, dogjën flamurin amerikan si dhe një figurë të Netanyahut në rrugët e Uashingtonit, në shenjë proteste ndaj ndihmave ushtarake amerikane në Izrael.
“Unë mendoj se ju duhet të dënoheni me një vit burg nëse e përdhosni flamurin amerikan”, tha Trump.
“Tani njerëzit do të thonë se kjo është antikushtetuese. Ata që e thonë këtë janë budallenj”, shtoi ai.
Trump pretendoi se nëse Kongresi do të miratonte një ligj që vendos një rregull të tillë, djegia e flamurit do ndalohej, shkruan the Independent, përcjell Telegrafi.
“Është e pamundur që kjo të ndodhë në vendet e tyre. Ne dukemi kaq keq për botën, kjo ishte një shfaqje e turpshme”, tha Trump duke iu referuar Rusisë së Vladimir Putinit, Kinës së Xi Jinping dhe Koresë së Veriut të Kim Jong-Un.
Kur u pyet për planin e tij për t’i dhënë fund luftës në Gazë, Trump tha se dëshiron që Netanyahu “të përfundojë atë sa më shpejt”.
“Izraeli nuk është shumë i mirë me marrëdhëniet me publikun, unë do t’ju them këtë”, shtoi Trump përpara se të vazhdonte të pretendonte se sulmi i 7 tetorit të Hamasit e as lufta në Ukrainë nuk do të kishin ndodhur po të ishte ai president.
🚨BREAKING: Trump says he will jail those who burn the American flag
“I think you should get a one-year jail sentence if you do anything to desecrate the American flag.”
Do you support this?
Yes or No pic.twitter.com/jNvTmxQXN0— Wake Up America (@_wake_up_USA) July 25, 2024
Trump u pyet gjithashtu për Projektin 2025, një platformë e propozuar prej 900 faqesh e Partisë Republikane e krijuar nga grupi i ekspertëve të krahut të djathtë, Heritage Foundation.
Ai tha se disa nga pikat e dokumentit janë “të mira”, ndërsa të tjerat janë “absolutisht qesharake”.
Pasi ndau mendimin e tij për dokumentin, Trump pretendoi se nuk kishte të bënte me të dhe nuk e kishte parë kurrë.
“Ata shkruan diçka me të cilën unë nuk pajtohem në shumë raste, dhe në disa raste ju jeni dakord”, tha Trump.
Ish-presidenti vazhdoi të sulmonte edhe rivalen e tij, zëvendëspresidenten Kamala Harris.
“Ajo ishte prokurore, por ishte prokurore e dështuar. Ajo futi shumë njerëz në burg që nuk duhet të kishin qenë kurrë atje. Ajo futi në burg njerëz që ishin armiq politikë”, tha republikani. /Telegrafi/