Në sheshin “Zahri Pajaziti” në Prishtinë është mbajtur një protestë si reagim ndaj vrasjes së dyfishtë në fshatin Brekoc të Gjakovës, në të cilin dyshohet se Pjetër Nrecaj vrau gruan e tij Valbona Nrecaj dhe vajzën 9 vjeçare.
Edhe dje në Gjakovë është mbajtur një protestë e ngjashme ku u kërkua përgjegjësi dhe dorëheqje e personave zyrtarë të Policisë së Gjakovës.
Me parullat “Boll ma drejtësi selektive”, “Boll ma dhunë institucionale”, “Gruaja denoncon”, policia injoron”, “Edhe sa thirrje të humbura”, “Qeveri e Kanunit”, “Polici e Kanunit”, etj., aktivistë për të drejtat e njeriut kanë protestuar për vrasjen e dyfishtë në Gjakovë dhe kanë kërkuar shkarkimin e krerëve të Policisë së Gjakovës.
Luljeta Aliu, nga Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi, ka thënë se nuk është problemi vetëm te dhuna ndaj grave, por sipas saj, problemi është se shteti nuk i mbron qytetarët e vet. Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të protestojnë dhe të kërkojnë shkarkimin e krerëve institucionalë.
“Krejt duhet me dalë qetu me kërku shkarkimin e policëve në Gjakovë, që kanë qenë aty zyrtarë edhe nuk e kanë marrë parasysh detyrën e vet. Jo duhet, po na e kërkojmë shkarkimin e komandantit të Policisë së Gjakovës, kërkojmë llogaridhënie prej Ministrisë, kërkojmë llogaridhënie prej krejt qeveritarëve që janë këtu, që nuk po funksionon gjykata, s’po funksionon Policia, pse s’po funksionon? Çka jeni t’u ba? Pse po merreni me ide falso? Me ide boshe. Merruni me drejtësinë për qytetarët, sigurojeni jetën e qytetarëve. Une du çika jeme m’e kanë e sigurt”, ka thënë Aliu.
Ndërsa Besnik Leka, ka thënë se sot janë mbledhur që të kërkojnë që vrasësit të marrin dënimin e merituar.
Ai ka thënë se duke heshtur para rasteve të tilla, të gjithë janë bashkëfajtorë.
“Vrasja e Valbonës dhe bijës së saj para syve të institucioneve, dëshmon që sot në Kosovë është dekriminializuar dhe normalizuar dhuna. Heshtja na bënë bashkëfajtorë, heshtja na bën të gjithëve vrasës, prandaj sot e përherë ne e ngrisim zërin dhe ofrojmë energjinë tonë që thirrja e radhës të dëgjohet”, ka thënë Leka.
Kurse Adelina Trshana, aktiviste për të drejtat e njeriut, ka thënë se përmes kësaj proteste po kërkojnë reagim institucional dhe shkarkim të personave që kanë qenë përgjegjës për rastin e vrasjes në Gjakovë.
Ajo ka thënë se nuk ka reagim institucional dhe për këtë gratë po hezitojnë ta denoncojnë dhunën.
“Si aktiviste kam me pasë shumë problem për me i inkuraju gratë për me ba kallëzime në polici, me denoncu dhunën që e ushtrojnë burrat e tyre në to ose qoftë edhe ndonjë ngacmim seksual, për shkak se nuk po ka reagim institucional edhe për këtë jena mbledhë sot që me zgju qet interesim te Policia edhe te Qeveria, që me pas sa ma shumë reagim që thjesht mos me u motivu këta dhunues me ushtru këtë dhunë çdo ditë në gra”, ka thënë Trshana.
Protesta #BollMo ka nisur në orën 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, më pas marshi ka vazhduar drejt stacionit policor dhe te objekti i Qeverisë. Përgjatë marshimit, protestuesit u janë drejtuar personave tjerë me thirrjet “Çonu prej kafes” dhe “Krejt kena faj”.
Përveç për Valbona Nrecajn dhe vajzën e saj, në këtë protestë u kërkua drejtësi edhe për gratë e tjera që u vranë nga burrat e tyre. Organizatorët kanë bërë thirrje që këto protesta të vazhdojnë edhe në qytetet tjera.
Valbona Marku dhe vajza e saj Klara më 7 gusht janë vrarë nga bashkëshorti përkatësisht babai Pjetër Ndrecaj. Atij i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. /kp/Telegrafi/