Site icon Telegrafi

Protestuesit maqedonas në Çashkë vazhdojnë të bllokojnë hapjen e paraleles shqipe në shkollën “Todor Janev”

Protestuesit maqedonas në Komunën Çashkë, të cilët janë kundër hapjes së paraleles shqipe në shkollën “Todor Janev” sot për të tretën ditë me radhë kanë bllokuar hyrjen për në objektin e Komunës së Çashkës, duke e pamundësuar kështu edhe punën e komunës.

Për shkak të bllokadave të protestuesve maqedonas, nxënësit shqiptarë nuk shkojnë në shkollë, ndërsa mësimin janë duke e humbur edhe nxënësit e paraleleve maqedonase, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Cveta Peshovska nga Këshilli i prindërve për AIM tha se ata nuk janë kundër që fëmijët e nacionalitetit shqiptar të mësojnë në shkollë, por që të jetë në paralele të përbashkëta me fëmijët e tyre në gjuhën maqedonase.

Lexo po ashtu Kthehen protestat në Çashkë, banorët kundërshtojnë ashpër hapjen e paraleles shqipe

Ata propozojnë që në një shkollë tjetër rajonale në fshatrat e Komunës së Çashkës ku banorët janë me kombësi shqiptare, të vendoset një klasë e veçantë për gjuhën shqipe për nxënësit e klasës së parë, por jo në Çashkë ku nuk është regjistruar asnjë banor me kombësi shqiptare.

Ndryshe, ajo bën të ditur se protesta është paralajmëruar në MPB Veles dhe se policia e ka siguruar për të tretën ditë pa asnjë incident.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, një muaj më parë iu përgjigj kërkesave të tyre se shkolla i ka plotësuar të gjitha kushtet për hapjen e paraleles në gjuhën shqipe dhe ka paralajmëruar se do të bëjë përpjekje për ndryshimin e statutit të shkollës “Todor Janev” në Çashkë, në të cilën mësohet në gjuhën maqedonase./Telegrafi/

Exit mobile version